Lefterie Lleshi: Zgjedhjet parlamentare - garantoj respektimin e ligjit
KQZ zhvillon mbledhjen e parë, Denar Biba zgjidhet nënkryetar
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefteri Lleshi ka garantuar respektimin e ligjit në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Kryekomisionerja u shpreh e sigurt se vlerat e të gjithë komisionerëve do të ushtrohen me përgjegjshmëri.
Në mbledhjen e parë të KQZ-së, të drejtuar prej saj, kryetarja e sapo zgjedhur theksoi se primare në punën e institucionit do jetë respektimi i ligjeve të vendit. Më pas, sipas përcaktimeve ligjore, është zgjedhur edhe nënkryetari i Komisionit. Pas votimit, Denar Biba u shpall në postin e numrit dy të institucionit përgjegjës për organizimin dhe funksionimin e zgjedhjeve.
Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u miratua edhe mandati i Auron Tares si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvend, pas dorëheqjes së disa ditëve më parë të, Andis Harasanit.
Kjo ishte mbledhja e parë të KQZ-së, pas riformatimit në bazë të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, ku përfaqësohen subjektet politike të spektrit të djathtë, të majtë dhe të qendrës në Parlament. Komisioni përbëhet nga katër përfaqësues të zgjedhur përkatësisht dy nga partia më e madhe në mazhorancë Partia Demokratike, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj, si dhe dy nga partia më e madhe në opozitë, ajo Socialiste, Albana Shtylla dhe Denar Biba. Ndërkohë që anëtari Ilirjan Muho, është propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Jani Jano nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Ndërkohë kryetarja e Komisionit, është zgjedhur përmes një procedure të veçantë. Në votimin që u zhvillua në Kuvend, kryekomisionerja Lleshi mori vetëm votat e mazhorancës, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.