Deputetët e pakicës kërkojnë vende të rezervuara në asamblenë e Kosovës
Përfaqësuesit e minoriteteve pretendojnë se vendet e tyre të rezervuara në asamblenë e Kosovës janë vendimtare për votën e pakicës
25 parlamentarë të pakicës po bëjnë përpjekje që të mbajnë vendet e tyre në asamblenë e Kosovës, pasi privilegji i tyre do të përfundojë me mandatin e tanishëm legjislativ. Sipas kushtetutës së 2008-ës, komunitetet e pakicës në Kosovë gëzojnë 20 vende të rezervuara në asamblenë me 120 vende: 10 për serbët e 10 të tjera për përfaqësuesit turq, boshnjakë e romë. Vendet e partive të pakicës fituar në një zgjedhje të rregullt u janë shtuar këtyre numrave. Por kjo do të përfundojë së shpejti pas mandatit të dytë të tanishëm. Mandati i tanishëm legjislativ duhet të përfundojë më 2014, por ka një marrëveshje mes udhëheqësve politikë, kreut të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, atij të opozitës Isa Mustafa e Zëvendës/Kryeministrit Behgjet Pacolli, për të zhvilluar zgjedhje të përgjithshme më 2013 sipas një sistemi të ri zgjedhor. Në të ardhmen, 20 vendet e rezervuara do të mbushen vetëm në qoftë se pakicat nuk fitojnë në zgjedhje. Pakicat argumentojnë se vendet e rezervuara janë vendimtare për përfaqësimin e komuniteteve të tyre në organizmin legjislativ, pasi shifrat e votuesve të pakicave janë përgjithësisht të vogla në vend. "Të gjithë deputetët e pakicës mbajnë të njëjtën pozitë, të rëndësishme për ne. Vendet në parlament janë forca jonë," tha Duda Balje, një anëtare boshnjake e asamblesë. Ajo frikësohet se marrja fund e të drejtës së vendeve të rezervuara do të pengojë përfaqësimin e pakicave në institucionet e Kosovës. "Nuk jemi të fortë në zgjedhje sepse nuk kemi një numër të madh boshnjakësh që jetojnë këtu, kështu që nuk mund të kemi të njëjtat kuota me komunitetet e tjera," tha Balje. Sipas regjistrimit më të fundit të Kosovës të botuar në shtator, ka 27,533 boshnjakë në Kosovë dhe disa qindra të tjerë jetojnë në veri të vendit dhe nuk u përfshinë në regjistrim. Kërkesa u nënshkrua nga të gjithë deputetët e pakicave dhe iu dërgua qeverisë për të nisur procedimin. Balje tha se grupi u takua me Kryeministrin Hashim Thaçi dhe ambasadorët e huaj në Prishtinë muajin e shkuar e diskutime shtesë priten në të ardhmen. Enis Kervan, një anëtar turk i asamblesë së Kosovës, pranoi se ndryshimi i dispozitës kushtetuese kërkon mbështetjen e fortë nga anëtarët shqiptarë të asamblesë të cilët përbëjnë shumicën. Por është optimist se shumica mbizotëruese etnike do të mbështesë përpjekjen e deputetëve të pakicave. "Presim që deputetët e komunitetit të shumicës të pranojnë rrethanat tona e të miratojnë qëllimin tonë," tha Kervan. Lirije Kajtazi, një përfaqësuese e Lidhjes Demokratike të Kosovës, partia e dytë më e madhe shqiptare në asamble, megjithatë tha se periudha e vendeve të rezervuara duhet të marrë fund. "U dhamë atyre [deputetëve të pakicës] dy mandate [asambleje] si një mundësi për të bindur përfaqësuesit dhe komunitetet e tyre se duhet të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës dhe shtet-bërjes," tha Kajtazi. Ajo mendon se kjo fazë u krye me sukses dhe në rrethana normale demokratike nuk ka nevojë për vende të rezervuara. Përfaqësuesit e pakicave janë dakord, por frikësohen se në një proces normal nuk do të jenë në gjendje të hyjnë në parlament, gjë që është vendimtare për të drejtat e tyre. "Po luftojmë të gjithë për të drejtat tona, që e bën praninë tonë në asamble të rëndësishme. Parlamenti është ku mund të luftojmë për të drejtat tona, veçanërisht kur vjen puna te ligjet për të drejtat e pakicave," tha Balje. Nebojsha Periç, një veprimtar politik serb nga Graçanica, tha se është e rëndësishme si për komunitetin serb dhe atë shqiptar që të përfaqësohen në organizmin më të lartë legjislativ me një numër të përshtatshëm përfaqësuesish. "Zgjidhja ekzistuese u duk të jetë e efektshme e një nxitje për përfaqësuesit e komuniteteve jo-shqiptare për të marrë pjesë në jetën politike të Kosovës në numër të rëndësishëm; ky duhet të jetë rasti në të ardhmen," tha Periç. Ai shqetësohet se heqja e vendeve të rezervuara mund të shpinte në një asamble mono-etnike. Sipas tij, kjo është kundër vlerave evropiane dhe në kundërshtim me objektivin e Kosovës për të shkuar më pranë BE-së.