E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi, spitalet private fshehin fitimet

Spitalet privateSpitalet private po fshehin fitimet reale të aktivitetit të tyre duke paguar më pak taksa se sa iu takon. Ky është konstatimi që vjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila shfaq të njëjtat ankesa edhe për kompanitë e ndërtimit dhe sektorin e hoteleri-turizmit në vendin tonë.
Fshehja e xhiros
Shumica prej këtyre subjekteve deklarojnë xhiro më të vogël; kryesisht shërbimi hotelier dhe ai shëndetësor privat, duke iu shmangur tatimit real që duhet të paguajnë. Administrata tatimore i ka bërë thirrje këtyre subjekteve të korrigjojnë deklarimet e tyre, sepse në të kundërt do të gjobiten. “Për vitin 2013 janë përcaktuar si sektorë ekonomik në risk hoteleri-turizmi, shërbimet shëndetësore private si dhe sektori i ndërtimit. Këta sektorë gjatë 2012-ës kanë shfaqur nivel të ulët pajtueshmërie me ligjin, shmangien nga detyrimi për të deklaruar dhe paguar realisht aktivitetin e tyre ekonomik. Vetëm në drejtorinë rajonale tatimore Tiranë, sektori i shërbimeve shëndetësore private, përfaqëson katër për qind të totalit të tatimpaguesve të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe disa prej tyre vazhdojnë të deklarojnë xhiro vjetore nën 2 milionë lekë, tha dje Erjon Prifti, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Veç shëndetësisë, tatimet kanë dyshime për evazion edhe tek kompanitë e ndërtimit dhe ato të hoteleri-turizmit.
Apeli
Tatimet i bëjnë thirrje këtyre kompanive që të tërheqin mbrapsht bilancet e dorëzuara dhe t’i korrigjojnë ato në të kundërt do përballen me masa të forta ndëshkimore. “Ju është bërë thirrje që brenda datës 30 qershor të vitit 2013 të korrigjojnë deklaratat e tyre, në mënyrë që të shmangin penalizimet gjatë veprimeve që do të ndërmarrë më vonë administrata tatimore”, tha Prifti.
Diferenca
Nga analiza e riskut tek këto grupe tatimpaguesish, janë konstatuar diferenca midis xhiros së deklaruar dhe aktivitetit të tyre gjatë vitit të kaluar, ndaj Administrata Tatimore i ka përcaktuar këta sektorë me risk për vitin 2013. Shmangia e taksave ka bërë që edhe të ardhurat në buxhet të jenë shumë herë më të ulëta se vitet e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se për herë të pas disa vitesh buxheti po përballet me rënie të ndjeshme të ardhurave nga taksat; ku në katër muajt e parë, të këtij viti u mblodhën rreth 30 milionë dollarë më pak se viti i kaluar dhe rënia më e fortë është pikërisht te Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›