E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet me bono, problem shpërndarja e formularëve

Interesi i madh i qytetarëve për tërheqjen e formularëve për legalizimin e ndërtimeve të tyre me bono privatizimi ka bërë që në zyrat rajonale të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale të mungojnë formularët. Sipas afateve zyrtare, formularët për pagesat me bono privatizimi duhet të kishin mbërritur që prej datës 15 mars, por shumica e qytetarëve nuk janë pajisur me formularët përkatës për shkak të interesit të madh. Nga informacionet e marra nga ALUIZNI, ky problem tashmë është drejt zgjidhjes për të gjithë ata qytetarë, dosjet e të cilëve kanë kaluar fazën e verifikimit dhe janë gati për të bërë pagesat. Duke nisur që nga data 12 mars e këtij viti, afati për dorëzimin e kërkesës është tre muaj, pra deri në qershor. Në këtë kërkesë, qytetari tregon se deri në ç'masë do të paguajë tarifën në letra me vlerë. Pagesa do të bëhet nëpërmjet dy formularëve, për ata që e kanë kryer pagesën dhe do të rimbursohen për atë pjesë që do ta paguajë në letra me vlerë dhe një tjetër formular për ata që do të paguajnë për herë të parë. Formularët tërhiqen pranë zyrave të ALUIZNI-t, ku secili qytetar do të shënojë të dhënat përkatëse lidhur me masën e shlyerjes që i takon për parcelën ndërtimore. Çdo muaj përgatitet një mijë deri në dy mijë dosje, ku çdo qytetari i përgatitet dosja individuale. ALUIZNI monitoron gjithë zonën informale dhe më pas bëhen kalimet e pronësisë me vendim qeverie. Lidhet kontrata me qytetarin. Përgatitet fatura e pagesës për ndërtimin dhe parcelën ndërtimore. Qytetari kryen pagesën dhe lidh kontratën me ALUIZNI-n. Më pas, përgatitet dosja dhe kalohet për vendim qeverie. Pas këtij momenti, kryhet hipotekimi për kalimin e pronësisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›