300 vjet qytet
Në vitet 1683-1690 u zhvillua një nga luftërat e shumta austro-osmane. Në aleancë me Austrinë hyri dhe Republika e Venedikut, flota e së cilës ndërmori veprime edhe në brigjet e bregdetit të Adriatikut dhe Jonit, ku një nga sukseset e saj ishte edhe marrja e kështjellës së Vlorës dhe Kaninës në 1690 (Histori e Shqipërisë, Vëll. I, Tiranë 1959, fq. 400). I ndodhur në këto kushte, Sanxhakbeu i Vlorës, Kapllan Mehmet Pashë Vlora, e shpërnguli selinë e tij në Berat, i cili u kthye qysh atëherë në qendër të Sanxhakut të Vlorës (Eqrem Bej Vlora, Kujtime, Tiranë 2003, fq.606), megjithëse ia mori qytetin Venedikut disa vite më vonë (1693).
Ndërkohë që qysh nga këto vite nisi një komunikim intensiv midis këtyre dy qyteteve, sepse skela e Vlorës luante një rol të rëndësishëm për marrëdhëniet ekonomike-tregtare të qytetit të Beratit. Kjo rrugë atëherë kalonte në itinerarin Vlorë-Babicë-Armen, kalonte Vjosën në Murtajas dhe ndiqte vijën Selishtë, Hekal, Ballsh, Aranitas, Qafë e Sinjës, Bolinjan, Velabisht, Berat (Jovan Adami, rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri, Tiranë 1983, fq.63)
Megjithëse përshkonte një distancë jo të gjatë, kjo rrugë paraqiste vështirësi sepse kalonte në territore të karakterit kodrinoro-malor. Përpjekjet për të gjetur një arterie më të thjeshtë komunikimi u bënë në kohën e sundimit të Sanxhakbeut Ahmet Kurt Pasha (1768-1789), i cili njihet edhe për ndërtimet dhe e shumë urave, ku do të përmendim atë të Gorricës, Hasan Beut (Ura Vajgurore), Kuçit etj. E kësaj kohe është edhe ura e ndërtuar në qytetin tonë nga Rrapushja (1777), e bija e Kurt Pashës (Teki Selenica, Shqipëria 1927, Tiranë 2002, fq.169), e cila bëri që komunikimi midis dy qendrave kryesore të Sanxhakut të kryhej në aksin Vlorë, Mifol, Fier, Roskovec, Berat, i cili ishte i gjatë 80 km dhe kishte avantazhin se ishte një rrugë fushore.
Të dhënat që kemi deri më sot mbi vjetërsinë e Fierit si vendbanim shkojnë deri në vitin 1777. Ato jepen nga autori Teki Selenica në librin "Shqipëria në 1927" fq.169, ku thuhet se "Ura e ndërtuar nga Rrapushja në vitin 1777 lidhi fshatrat e Fierit të madh dhe Shkozës, të cilat i ndante lumi Gjanica". Duke parë perspektivën e zhvillimit të këtij vendbanimi, Mitropolia e Beratit ndërtoi në vendin e Kishës së vogël të Shën Mërisë, katedralen e Shën Gjergjit në vitin 1781. Ndërkohë me rëndësinë që fitoi si pikë e transportit tranzit, Fieri nisi të ndryshojë fizionominë. Ai shndërrohet nga një vendbanim i karakterit rural në një qendër shërbimesh, ku pikërisht pranë urës mbi Gjanicë do të ngrihen një han, një furrë bukë, një nallban e disa dyqane. Transporti i asaj kohë bëhej me qerre dhe kafshë ngarkesë, të cilat së bashku me njerëzit pushonin në "Stacionin" pranë Gjanicës. Por dëshmi të drejtpërdrejta ose të tërthorta se kujt i takonte në pronësi ky fshat shtetit ose ndonjë çifligari (beu) deri më tani nuk kemi. Po kështu ka boshllëk dokumentacion edhe për banorët që e popullonin atë. Vetëm në vitin 1806, kohë që e vizitoi atë zv.konsulli francez në Janinë, Fransua Pukevil, kemi të dhënat e para që duhen marrë në konsideratë. Diplomati i huaj dëshmon se"Fshati i madh i Fierit kishte 200 shtëpi". (Fransua Pukevil, "Në oborrin e Vezirit të Janinës", Tiranë 2000, fq.82-86).
Në vitin 1821, Sanxhakbej i Sanxhakut të Janinës, Delvinës u emërua Veziri Omer Pashë Vrioni, ish-komandant i Ali Pashë Tepelenës.
Me këtë njeri nis së qeni "Derë e madhe" familja Vrioni. (E.B. Vlora, Kujtime, Tiranë 2003, fq.586). Djali i Omer Pashës, Kahremani u bë gjatë Tanzimatit (1839-1870) Mytesarif i Beratit. Duke qëndruar në këtë post ai i shërbeu me përkushtim Serasqerit të Rumelisë, Reshid Pashës. Për këtë qëllim ai mori tituj, ofiqe, pushtet nga Stamboll.
Si njeri largpamës (E.B. Vlora, nga Berati në Tomorr e kthim, Tiranë 2003, fq.70) ai e bëri familjen të pavarur ekonomikisht. Së bashku me Reshid Pashën dhe të birin e tij, Eminin, Kahreman Pasha bleu nga shteti çifligjet që u ishin sekuestruar bejlerëve "rebelë" në vitet 1820 dhe gjatë Tanzimatit.
Pas vdekjes së ortakut, ai bleu pjesën e tij si dhe mori nga e motra si shpërblim katër çifligje të mëdha që i përkisnin familjes Vlora. Më anë të këtyre metodave, ai arriti ta njëqindfishojë pasurinë e familjes (E.B.Vlora. Kujtime, Tiranë 2003, fq.568). Në vitin 1854 Kahareman Pasha u shkëput nga Berati (po aty fq. 612) dhe themeloi degën e Vrionëve që u vendosën në Fier. Dhjetë vjet më vonë ai ndërtoi tregun e qytetit. Për këtë moment na jepen dy dëshmi interesante që mund ti citojmë. Në librin e tij Shqipëria 1927, fq. 169, autori Teki Selenica thotë se: Fieri u themelua si qytet në vitin 1864 nga Kahreman Pashë Vrioni, i biri i Vezirit Omer Pasha. Ndërsa autori rumun, Anastas Hociu, në librin e tij "Aromanu", në fq.123-124, thotë se: Fieri si qytet llogaritet në vitin 1864. (Cituar nga Hysen Emiri, Historia e Fierit, Kavajë 2001, fq.55).
Të tjerë autorë themelimin e Fierit ia atribuojnë një tjetër pjesëtari të kësaj familjeje. Kështu Eqrem Bej Vlora thotë se: është Omer Pasha i Riu (1839-1828), i biri i Kahreman Pashës ai që themeloi qytetin e Fierit në vitin 1800, (kujtime 1895-1925, fq 613). Këtë dëshmi mua më duket se e korrigjon po Teki Selenica, i cili për këtë moment shkruan se: në vitin 1877 Fieri u rindërtua dhe u sistemua sipas një plani modern nga Omer Pasha (Shqipëria me 1927, fq. 169). Për këtë qëllim ai solli dy urbanistë italianë të quajtur Tombolini dhe Molinari. Sistemi i shtrirjes së qytetit kombinon shtrirjen kuadratike në fushë, ku rrugët kryqëzoheshin në formë rrezesh drejt qendrës. Për paraqitjen e këtij plani, Eqrem Beu i cili kishte vizituar shumë herë Fierin midis viteve 1895-1907 e përcaktonte atë si "thuajse një qytet Perëndimor" (Nga Berati në Tomorr dhe kthim, fq.123). Ndërsa udhëtarja e njohur angleze, Miss Edit Durham, e cila e vizitoi fierin në vitin 1904, na ka lënë këtë dëshmi. "Fieri është një fshat i vogël, pronë e një beu me shumë iniciativë, i cili ka ndërmend ta kthejë në një qendër tregtare. Ai ka rindërtuar pazarin, ka ngritur godina solide prej guri me një arkitekturë çuditërisht moderne" (Brenga e Ballkanit, fq 72).
Por momenti tek i cili duhet ndalur dhe duhet punuar në të ardhmen është ai midis aktivitetit të Kahreman Pashës dhe të birit të tij, Omer Pashës. Në këtë kohë, Vrionasit cilët ishin nëpunës të bindur të Stambollit. Të veshur me tituj, grada dhe pushtet ata nuk duhet ta kenë pasur të vështirë të siguronin statusin e Bashkisë për Fierin.
Pasi e siguruan këtë gjë, domethënë e shndërruan Fierin nga fshat në qytet. Vrionasit e mbajtën postin e kryetarit të bashkisë (Beledie Reiz) për shume vjet deri në vitin 1912, kur në vend të Galip Pashës (1849-1932) të birit tjetër të Kahreman Pashës, u zgjodh si i pari i qytetit përfaqësuesi i Vegjëlisë, Tonç Kilica.
Deri në vitin 1864 ishte një fshat që banohej nga bujq-çifçinj në pronësi të familjes latifondiste Vrioni, e cila kishte prona të mëdha në Myzeqe. Dokumenti i parë që dëshmon mbi Fierin është dëshmia e Pukevilit, i cili ka vizituar "fshatin e madh" të Fierit në vitin 1806. Të dhëna të tjera më të hershme për Fierin nuk ekzistojnë, por dihet që kisha ortodokse e "Shën Gjergjit" është ndërtuar në vitin 1781, si famulli ne vendin ku ndodhet edhe sot kisha e re.
Pyetjes, a u bë kisha pikënisje e themelimit të këtij fshati, apo ajo u ndërtua për ti shërbyer kësaj qendre të banuar që ekzistonte përpara saj, nuk mund ti japim dot përgjigje. Megjithatë, kisha e Shën Gjergjit ishte e tipit katedrale e ndërtuar 8 km në lindje të manastirit të Apolonisë.
Mespërmës Fierit kalonte lumi i Gjanicës, mbi urën e gurtë të të cilit ndodhej një han, që u shërbente udhëtarëve dhe tregtarëve, të cilët udhëtonin në drejtimin Berat-Vlorë.
E diskutueshme ka mbetur edhe origjina e emrit Fier, për të cilin sot ekzistojnë dy hipoteza. E para është ajo e studiuesit Hysen Emiri, i cili mendon se emri Fier rrjedh nga italishtja "Fiera" domethënë panair. Këtë emër ia vendosën këtij vendi tregtarët venedikas që merreshin me blerjen e produkteve bujqësore-blegtorale, në panairin që zhvillohej pranë kishës së Shën Gjergjit, ndoshta që nga koha e Mesjetës, kohë prej të cilit ka filluar të p