E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, nis procesi dhe në zonat turistike

21/02/2011  Flet kreu i agjencisë rajonale, Agron Akshia: Cilat zona dhe kush përfiton

SHKODER- Drejtuesit e zyrës së ALUIZNI-t theksojnë se shumë shpejt do të fillojë procesi i legalizimeve edhe në zonat turistike të Shkodrës, ku bëjnë pjesë Velipoja, Shiroka, Zogaj, Razma dhe Thethi. Procesit të legalizimeve në zonat turistike iu hap rrugë nga qeveria aktuale, pasi më përpara nuk lejohej legalizimi i tyre. Ky proces pritet me interes nga mjaft banorë të Shkodrës, pasi në zonat turistike ka mjaft ndërtime pa leje.

Ndërtimet

Ndërtimet janë të konsiderueshme sidomos në plazhin e Velipojës, ku numërohen mbi një mijë ndërtime pa leje ku bëjnë pjesë objekte nga vilat njëkatëshe deri tek ndërtesat private shumëkatëshe. Bazuar në eksperiencën e fituar gjatë procedurave të procesit të legalizimeve në zonat e ndryshme informale të këtij qarku specialistët e kësaj zyre janë të mendimit se në zonat turistike, ky proces do të jetë më i lehtë e për rrjedhojë dhe më i shpejtë. Sipas kreut të zyrës së ALUIZNI-t në Shkodër, Agron Akshia, lehtësia dhe mënjanimi i vonesave për legalizimin e ndërtimeve pa leje në zonat turistike qëndron në faktin se ndryshe nga zonat e tjera, terrenet ku janë ngritur objektet janë afër dhe të grupuara. “Për procesin e legalizimeve në zonat turistike ndikon shumë edhe terreni. Rasti i zonës së plazhit të Velipojës është shumë i thjeshtë po të krahasohet me objektet e vetëdeklaruara dhe të legalizuara të zonave të tjera, siç janë zonat malore, apo zona të tjera. Këto zona nuk e kanë lehtësinë e plazhit të Velipojës apo të zonës turistike Shirokë-Zogaj që janë në distancë shumë të afërt dhe terreni është jashtëzakonisht i përshtatshëm për ta kryer me sukses procesin e legalizimeve”, sqaron kreu Agjencisë së Legalizimeve Shkodër, Agron Akshia. Ndërkohë Akshia thekson se do të legalizohen të gjitha shtesat e ndërtimeve që janë futur në proces legalizimi dhe që janë të ndërtuara deri kur ka përfunduar fotografimi satelitor në vitin 2007. “Duke zbatuar me përpikëri ligjin, do të legalizohen objektet, të cilat janë të fotografuar nga fotografimi ajror në muajt prill- maj 2007. Të gjitha objektet, apo pronarët, ose poseduesit e këtyre objekteve, që kanë ndërtuar ose shtuar pjesë anësore apo në lartësi janë kontingjent i dosjeve për vetëdeklarime të rreme, siç quhen në gjuhën ligjore. Kjo do të thotë që ato përjashtohen nga procesi i legalizimit”, bën të ditur Akshia. Ndërkohë kreu i Agjencisë së Legalizimeve Shkodër, Akshia thekson se deri tani kanë përfunduar plotësisht procedurat e vlerësimit, të kualifikimit dhe matjeve në terren në të gjithë zonat informale, me përjashtim të zonave turistike që do fillojnë së shpejti të futen në këtë proces. Sipas Akshisë, për 4561 dosje, që janë të përfunduara, mjafton vetëm shlyerja e detyrimeve financiare nga qytetarët që kanë paraqitur dokumentet për legalizimin e objekteve dhe menjëherë ata bëhen pronarë të objekteve. Por ndërkohë që Agjencia e Legalizimeve e ka kryer punën e saj, problemi ka mbetur tek qytetarët, të cilët nuk janë në të njëjtat ritme me aktivitetin e Agjencisë, pavarësisht lehtësirave që u ka krijuar qeveria për pagesa më të ulëta se çmimi real i tokës së zënë, si dhe për kryerjen e pagesave edhe me letra me vlerë.

Rikthehen pas disa vitesh

Hapen 130 biznese të reja nga emigrantët

FIER- Dhjetëra biznese të hapura në qytetin e Fierit janë hapur kryesisht nga të rinj emigrantë që pasi kanë punuar një kohë të gjatë në vende të ndryshme evropiane janë rikthyer në vendlindje për të hapur një biznes të tyrin përgjithnjë. Sipas specialistit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Fier, Haxhi Krasniqi, numri i bizneseve të hapura kryesisht nga emigrantët ka njohur rritje gjatë vitit 2011, ndërsa nisi si një ndryshim i madh qysh në muajin shtator të vitit të kaluar.

«Për vitin 2011 ka më shumë hapje biznesesh të reja në krahasim me një vit më parë”,-ka thënë Krasniqi dhe kjo frymë e re nisi kryesisht nga muaji shtator i vitit të kaluar dhe ka vazhduar në muajt janar dhe shkurt. Në përgjithësi bizneset e hapura të reja janë kryesisht nga shqiptarët e ardhur nga vendet fqinje ku ata kanë punuar si emigrantë”. Lidhur me numrin e bizneseve të rinj që ata kanë çelur aktivitetin e tyre gjatë muajve të parë të vitit 2011 sipas specialistit të QKRB për rajonin e jugut Haxhi Krasniqi ka qenë rreth 130. Po sipas tij mësohet se gjatë 2 javëve të para të shkurtit janë hapur 60 aktivitete të reja private. Emigrantë të Greqisë, Italisë, por edhe të Anglisë janë kthyer për të investuar në vendlindje duke shënuar kështu rritje të numrit të bizneseve. “Pas një kohe kaq të gjatë që emigrantët kanë punuar në Greqi, Itali, Angli apo Gjermani ata kanë krijuar një pjesë të të ardhurave që mendojnë se mund të ushqehen dhe mund të punojnë këtu”,-ka thënë Krasniqi. A. Damini

Ishte invalid

Vetëvritet 51-vjeçari, baba i 2 fëmijëve

FIER- Një 51-vjeçar i ka dhënë fund jetës së tij duke u vetëvrarë me çifte në ambientet e shtëpisë së tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin periferik afër Fierit rreth 3 km larg tij në Zhupan. Enver B. 51 vjeç babai i 2 fëmijëve i ka dhënë fund jetës së tij duke u vetëvrarë. Ngjarja ka ndodhur rreth orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme dhe vetëm në mëngjes familjarët kanë gjetur 51-vjeçarin të vetëvrarë. Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka shkuar në vendngjarje dhe ka kryer veprimet e para procedurale dhe ka pyetur familjarët rreth shkaqeve të ngjarjes së rëndë. Ende nuk ka një version të qartë për shkakun e çuarjes drejt flijimit të 51-vjeçarit, Burime zyrtare nga policia fierake bëjnë të ditur se 51-vjeçari ishte invalid dhe para disa muajsh kurohej nga sëmundje të shëndetit nervor. Sëmundja e gjatë e kishte agravuar gjendjen e tij shëndetësore dhe ai vuante nga depresioni nervor. A. Damini

Vjedhja e Uester Unionit

Policia vë në pranga autorin e

vjedhjes, në kërkim një tjetër

FIER- 2 ditë pas ngjarjes së vjedhjes së një pike agjencie valutore të Uester Union në Levan policia fierake ka arritur të vërë në pranga të dyshuarin për këtë ngjarje. Sipas policisë, pas një pune intensive të bërë nga seksioni i luftës kundër krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, është bërë i mundur arrestimi i shtetasit Ergent Brace, 24 vjeç, lindur e banues në Fier, i dënuar më parë për veprën penale të “vjedhjes”. Ndërkaq është bërë shpallja në kërkim e një shtetasi, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në lagjen "Kastriot" të qytetit të Fierit i kanë vjedhur nëpërmjet ushtrimit të dhunës, sendet personale si dhe shumën prej 70.000 lekësh shtetasit Lintor R. 21 vjeç. Gjatë ecurisë së hetimeve, këta shtetas dyshohen të jenë gjithashtu autorët e vjedhjes së shumës prej 300 eurove në pikën e këmbimit valutor në pronësi te shtetasit me iniciale A.C. Nga ana e shërbimeve të policisë, hetimet vazhdojnë intensivisht për dokumentimin e plotë ligjor, si dhe kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjarje. Materialet procedurale do ti referohen Prokurorisë së rrethit gjyqësore Fier, për veprën penale të "vjedhjes me dhunë të kryer në bashkëpunim". A. Damini

Në pranga 3 bashkautorët

Merr fund aventura e grabitjes së bankës greke

DURRES- Ka rënë në prangat e policisë edhe personi i tretë i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e një banke greke në qendër të qytetit të Durrësit. Shtetasi Admir E. 37 vjeç nga Durrësi nuk ka mundur të rezistojë më shumë se 24 orë nga koha e kapjes së dy shokëve të tij, të cilët akuzohen si bashkëpunëtor në këtë vjedhje me armë. Durrsaku Elezi me nofkën Luçiano është kapur në qytetin e Vlorës në përpjekje për të ikur nga vendi me anë të linjës me tragete. Puna e mirëorganizuar dhe bashkëpunimi e strukturat përkatëse në Tiranë e në Vlorë i kanë sjellë sukses policisë së Durrësit. Në një kohë shumë të shkurtër policia identifikoi autorët e grabitjes së bankës greke NGB, filiali i së cilës është në kryqëzimin e rrugës “1 Maji” në qendër të qytetit bregdetar. Admir E. është arrestuar në të zbardhur të mëngjesit të djeshëm nga policia e Durrësit dhe Vlorës në një banesë. Edhe në këtë rast nuk janë dhënë detaje, por është thënë nga deklarimet zyrtare të policisë se ka marrë fund aventura e grabitjes së bankës. Shuma më e madhe e parave të grabitura janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale së bashku me 2 armë zjarri dhe një autoveturë. Në orën 04.20 të ditës së shtunë janë vënë në pranga shtetasit Romeo D. 24 vjeç dhe Dasho J. 41 vjeç të dy nga Tirana. Ky i fundit ishte person i skeduar për policinë ngase në Greqi. Ky shtetas ka vuajtur dënimin për veprën penale të vjedhjes. Grabitja ka ndodhur më datë 18 shkurt në orën 09.10 dhe pas këqyrjes së tabulateve të kamerave të përgjimit të filialit brenda dhe jashtë bankës janë identifikuar si autorë të mundshëm 3 persona. Dy të arrestuarit akuzohen se kanë hyrë të armatosur në filialin e bankës dhe nën kërcënimin me pistoletë kanë mundur të marrin shuma të mëdha parash. Bëhet fjalë për një shumë që kalon të 3.5 milionë lekët. Sipas policisë, në arkën e bankës janë marrë 6 mijë dollarë, 24 mijë euro dhe 600 mijë lekë. Gjatë arrestimit të dy tiranasve, Romeo D. dhe Dasho J. strukturat e luftës kundër krimit ndaj pronës ka mundur të bllokojë 2.3 milionë lekët, të cilat pretendohet se janë marrë pikërisht në bankën NGB të Durrësit. Së bashku me paratë janë sekuestruar edhe dy pistoleta si dhe mjeti Ford Fiesta. Mjeti është bllokuar ngase dyshohet të ketë shërbyer për largimin e të dyshuarve nga vendi i ngjarjes. Kasketa në kokë nuk ka mundur të ruajë fshehtësinë e dy personave që grabitën bankën, ndërsa tiranasit janë kapur në banesat e tyre në Tiranë 20 orë pas ngjarjes. Që atë ditë policia pati deklaruar se në grabitje kanë marrë pjesë tre vetë, ndërsa në kohën që vuri në pranga 2 tiranasit, deklaroi në burime zyrtare se i treti është identifikuar dhe se ka nofkën “Luçiano”, por pa deklaruar emrin e tij të plotë. Zbardhja në një kohë shumë të shkurtër nga ana e strukturave të policisë e ngjarjes së bujshme ka shërbyer si motivim i punës së kualifikuar të ekspertëve të seksionit përkatës dhe të mbështetësve të tyre. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›