E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, nis sot plotësimi i formularit A1

21/02/2011  Maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm në caktimin e dy provimeve me zgjedhje

Për t’u përfshirë në garën e pranimeve në universitete maturantët, duke filluar nga dita e sotme, duhet të plotësojnë formularin A1 dhe A1Z, në të cilin duhet të listojnë dy lëndët me zgjedhje që duan të japin provim. Maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm që të plotësojnë në mënyrë sa më të saktë këtë formular, sipas përcaktimeve të bëra edhe në udhëzuesin shpjegues, në mënyrë të tillë që të shmangin gabimet që mund të çojnë në përjashtimin e tyre. Tashmë në formular gjenden të listuara 17 lëndë, nga të cilat nxënësit duhet të përzgjedhin vetëm dy prej tyre. Sipas rregullave të konfirmuara, maturantët nuk duhet kurrsesi të përzgjedhin dy lëndë që u përkasin gjuhëve të huaja, pasi në këtë rast përzgjedhja quhet e pavlefshme. Po ashtu, nxënësit e shkollave profesionale duhet të qarkojnë vetëm njërën nga lëndët që renditen nga numri 13 deri në 17. Njëkohësisht, specialistët konfirmojnë se edhe plotësimi i të dhënave personale duhet bërë me shumë kujdes, në mënyrë që të mos ketë ngatërrime. Plotësimi i formularit do të quhet i rregullt, vetëm nëse bëhet me shkronja të mëdha (kapitale). Në rast të kundërt, ai do të konsiderohet i pavlefshëm dhe nxënësi ose kandidati humbet të drejtën e regjistrimit. Për rastet kur nxënësi ose kandidati ka bërë gabime në plotësimin e formularit, ata mund të plotësojnë një formular tjetër A1, i cili zëvendëson të parin. Zëvendësimi i formularëve mund të pranohet nga komisioni shkollor i Maturës Shtetërore vetëm brenda afatit të dorëzimit të tij, që është data 10 mars 2010. Pas këtij afati, nxënësi ose kandidati nuk ka të drejtë të bëjë ndryshime të tjera. Për kandidatët që kanë mbaruar para vitit 2011, drejtori i shkollës ngarkon një mësues që do të luajë rolin e mësuesit kujdestar e që do të ndihmojë në hedhjen e të dhënave për notat e detyruara si dhe mesataren. Sipas burimeve në MASH, më shumë probabilitet për të shpallur fitues në universitete do të kenë ata maturantë, që do të përcaktojnë për provimet me zgjedhje lëndë që janë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme që kanë mbaruar. Kjo pasi në procesin e llogaritjes së rezultatit final vlera e koeficientëve do të jetë më e lartë për degët e të njëjtit profil me llojin e shkollës së mesme, sesa ato me natyra të ndryshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›