E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tubim madheshtor ne kujtim te rrezimit te diktatures

21/02/2011  PD feston 20-vjetorin e përmbysjes së regjimit totalitar. Përshëndet kryeministri Berisha

“Bllokmenët të mos e provojnë më 21 janarin”

Mijëra simpatizantë festojnë rënien e diktatorit. Bogdani: Falënderojmë 300 qytetarët

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në koncertin e madh festiv të organizuar me rastin e 20-vjetorit të përmbysjes së regjimit totalitar, simbol i të cilit u bë rrëzimi i bustit të diktatorit Hoxha, më 20 shkurt të vitit 1991. Ai e cilësoi këtë datë si ditën e ngadhënjimit të lirive dhe dinjitetit njerëzor mbi shtypjen e egër, poshtërimin e pamerituar. Kreu i qeverisë iu drejtua qytetarëve duke i uruar ta gëzojnë këtë ditë të lirë, si dhe u kërkoi atyre ta nderojnë si dita e kurajës njerëzore. Ndërsa atyre, që ai i quajti “bij të etërve hoxhistë”, u deklaroi se pushtet me dhunë nuk do të merrnin kurrë në këtë tokë. “Liria është pasioni ynë”, përsëriti disa herë në fjalën e tij lideri i PD-së.

Përkujtimi

“Gëzuar 20 shkurtin, ditën e kurajës, trimërisë, guximit, lirive të mëdha qytetare!”, deklaroi Kryeministri Berisha nga foltorja e vendosur te sheshi “Nënë Tereza”, nën shikimin dhe dëgjimin e mijëra qytetarëve, që ishin mbledhur për të festuar këtë ditë. Numri një i qeverisë solli një copëz histori të atyre ditëve 20 vjet më parë, ku studentët liberatorë të universitetit të Tiranës do të ngujoheshin në grevën epike të urisë, në grevën vendimtare të lirisë, për heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha universitetit në të cilin ata studionin. “20 shkurti është një datë që përmbysi bustin e diktatorit, është vendimi i jetës së tyre, me të cilën ata bënë të lirë veten e tyre, familjen, ditën në të cilën Partia Demokratike, opozita shqiptare më e re e asaj kohe, do të organizonte dhe do të shënonte një nga fitoret më të mëdha në tërë historinë e kombit dhe do të shndërrohej në një nga forcat më të fuqishme antikomuniste në Evropë”, tha Berisha. Duke përmendur vuajtjet e atij sistemi, të cilat i hoqën në kurriz shumë qytetarë, kreu i qeverisë ftoi të pranishmit të nderojnë së bashku me të me një minutë heshtje viktimat e regjimit barbar komunist. Dhe pse të vështira këto 20 vjet, Berisha përmendi arritjet e deritanishme, si: anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe së fundmi zgjedhjet e 8 majit. “Me ne, shqiptarët do të votojnë gjithmonë të lirë. 8 maji është prova jonë e re ndaj lirisë, 8 maji do të jetë festa e votës së lirë”, tha Kryeministri. Ai iu drejtua nga tribuna edhe kundërshtarëve të tij politikë, pinjollëve të Bllokut, duke i paralajmëruar që të mos e përsërisin më 21 janarin. “Mos guxoni më kurrë ta provoni, se kjo qeveri legjitime, rendi kushtetues i një vendi anëtar të NATO-s nuk mund të përmbyset kurrë me dhunë. Institucionet kushtetuese të një vendi të lirë janë kështjellat e lirisë. Mjerë ata që guxojnë ti prekin ato!”, deklaroi shefi i ekzekutivit.

Përshëndetja

Koncertit festiv nuk i mungoi as deputetja Rajmonda Bulku, njëra prej studenteve të asaj kohe, 91-it, e cila dje predikoi për paqe dhe lumturi. “Ne ishim forca e regjimit të komunizmit, me gjithë bustet, e jemi qytetarët që nuk braktisëm kujtesën, ndërsa të humburit janë pala që e humbën kujtesën. Ne jemi ndryshe nga pala me kujtesë të trembur. Jemi këtu për ti thënë ndal krimit në bulevard. Duam mirëkuptim sepse dimë të zgjedhim e sjellim optimizëm; duam paqe e lumturi, jemi së bashku se dimë të zgjedhim e të luftojmë me optimizëm. Kjo kohë ka vetëm një emër, Sali Berisha”, tha Bulku. Pas koncertit, deputeti Gerti Bogdani falënderoi pjesëmarrësit që iu bashkuan kësaj dite. “Në mitingun e PD-së ishin pjesëmarrës 300 mijë qytetarë, të cilët festuan në mënyrë festive 20 shkurtin”, tha ai.

Nisja e koncertit

I parashikuar të niste në mesditë, koncerti festiv i organizuar me rastin e 20-vjetorit të përmbysjes së regjimit totalitar, si çdo organizim i madh, nisi 15 minuta me vonesë. Deri në mbërritjen e Kryeministrit të vendit, njëkohësisht kryetar i PD-së, pas deputetes se PD-së, Rajmonda Bulku, drejtuesja e koncertit, anëtarja e Këshillit Drejtues, Çiljeta Xhilaga, çeli siparin me këngën e Jonida Maliqit, duke e vijuar me të tjera.

Mbërritja e Kryeministrit

Pas rreth 25 minutave që kishte nisur mitingu festiv, i lajmëruar nga duartrokitjet e të pranishmëve u ngjit në skenë kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha. Ai mbajti një fjalim rreth 30-minutësh për simpatizantët e PD-së dhe të atyre që festonin rënien e diktaturës. Berisha e nisi fjalën me arsyet e këtij festimi dhe e mbylli me prioritetet e qeverisë drejt integrimit. Koncerti festiv zgjati plot 60 minuta.

Pjesëmarrja

Një numër i madh simpatizantësh dhe përkrahës të partisë në pushtet, por edhe të ditës përkujtimore, pushtuan sheshin e madh “Nënë Tereza” para Korpusit dje, me rastin e festës së 20-vjetorit të rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha. Harta gjeografike e pjesëmarrësve shtrihet deri matanë hyrjes kryesore të Presidencës, ndërkohë që grupe njerëzish ishin vendosur në skajet e kolonave dhe të Akademisë së Arteve.

Kreu i LSI-së vijon turin paraelektoral në Berat e Skrapar

“8 maji do të jetë dita e çmontimit të politikës së dhunës”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi që nga Berati objektivin e partisë që kryeson për të arritur dyfishin e rezultatit zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme vendore. Për këtë, ai kërkoi mobilizimin e të gjithë përkrahësve dhe votuesve të LSI-së, me qëllim, siç tha ai, të çmontimit të politikës së dhunës më 8 maj. Bindjen e tij për fitore, kreu i LSI-së e mbështeti tek puna e deritanishme e koalicionit qeverisës, si dhe te mungesa e alternativës së kundërshtares së tij politike, opozitës. “Vendi ku të gjithë qytetarët e botës demokratike kërkojnë zgjidhjen e problemeve është pikërisht Parlamenti, atje për të cilin ata votojnë një herë në katër vjet për ti besuar përfaqësuesit e tyre. Natyrisht që qeveria ka një përgjegjësi të madhe për vendin, por absolutisht që opozita ka një përgjegjësi edhe më të madhe, sepse ajo duhet të jetë si në çdo vend demokratik alternativa e së nesërmes. Por a është kjo alternativë që presin shqiptarët? A është kjo alternativë në 2013-n, a është në 2017-n apo në 2027-n?!”, tha Meta në fjalën e tij. Ai tha se opozita e sotme, e kryesuar nga Edi Rama, në vend që të jetë alternativa e së ardhmes, është përfaqësuese e së shkuarës. Kjo, vijoi ai, në radhë të parë është kriza e lidershipit të opozitës dhe jemi të bindur se të gjithë socialistët e ndershëm dhe patriotë absolutisht që do të izolojnë këta zjarrvënës të demokracisë, të institucioneve dhe të së ardhmes evropiane të vendit. Meta në turin e tij paraelektoral në qytetin e Beratit dhe në Skrapar ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Ekonomisë, Nasip Naço.

Sulo Gozhina

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›