Pullat e akcizës, një ligj i dytë në Kuvend nuk është dekretuar ende i pari
Projektligji i miratuar vetëm nga maxhoranca parashikon që të pajisen me pulla fiskale, pijet alkoolike, vera, rakia, produktet e duhanit, birra e importuar dhe e prodhuar në vend, ndërsa për birrën për të cilën aktualisht nuk është përdorur pullë akcize, megjithëse është mall subjekt i akcizës, në bazë të kontratës së koncensionit, do të përdoret një shenjues direkt që quhet ‘Kodi i sigurisë’. Miratohet vetëm me votat e maxhorancës projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8976 “për akcizat në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, opozita braktis komisionin, pas propozimeve të pamarra parasysh nga shumica dhe debateve në lidhje me çështjen. Opozita kërkoi që shqyrtimi i ndryshimeve në projektligjin në fjalë të bëhehej pas hyrjes në fuqi të ligjit bazë për akcizat, i cili u miratua në seancë plenare të enjten e kaluar. Sipas opozitës, me miratimin e këtyre ndryshimeve, paragjykohet vendimi i presidentit, i cili nuk e ka dekretuar ende ligjin bazë. “Ndryshimet janë kërkuar që më 9 shkurt 2011. Ato vijnë në funksion të një ligji të sapomiratuar në seancën e fundit plenare për pullat fiskale, ku monopoli i tyre kaloi nga shteti në një firmë koncensionare. Ky ligj nuk ka hyrë ende në fuqi, sepse duhen dy javë nga publikimi në Fletoren Zyrtare. Ky projektligj është ndërmarrë pa u ditur, nëse ligji do të miratohej në parlament” - u shpreh nënkryetarja socialiste e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Mimi Kodheli. Nga ana tjetër, kryetari Edmond Spaho sqaroi se pretendimi i opozitës nuk ka kuptim, pasi nuk ka kusht që ndryshimet në ligjin sekondar të vijnë para apo pas miratimit të ligjit fillestar. Sipas Spahos, ato mund të vinin edhe si paketë. “Ne kërkojmë që përderisa ky ligj reflekton ndryshimet e çmimeve të pullave fiskale, të parashikuara nga një ligj tjetër, që nuk ka hyrë në fuqi ende, të presim për ta shqyrtuar”, - tha Braçe. Kurse argumentet mbështetëse për ta miratuar këtë projektligj u dhanë nga deputeti demokrat Mima, i cili sqaroi se hyrja në fuqi e ligjit bazë ka të bëjë me shtrirjen e efekteve. “Ne po ndërrojmë sistemin, nga i centralizuar në duart e shtetit në një koncensionar dhe kjo do kohë e mund, prandaj kërkojmë miratimin e këtij projektligji. Ligjet janë komplementarë me njëri-tjetrin’ - u shpreh Mima. Kurse Braçe kundërshtoi duke argumentuar se projektligji ka gabime në kohë dhe në tekst, duke thënë se ligjet duhej të silleshin të dy bashkë. Me ligjin e mëparshëm të akcizave 1 herë në katër vjet bëhej rakordimi për pullat fiskale, pasi ishte i pamundur kontrolli i tyre. Ndryshimi thelbësor që i është bërë ligjit konsiston në mënyrën e depozitimit nga koncensionari tek importuesi jashtë kufijve. Në të njëjtën kohë, ndryshimet në ligj parashikojnë pajisjen me pullë fiskale me elemente të larta sigurie për alkoolin, pijet alkoolike, vera, rakia, produktet e duhanit, birra e importuar dhe e prodhuar në vend, ndërsa për birrën për të cilën aktualisht nuk është përdorur pullë akcize, megjithëse është mall subjekt i akcizës, në bazë të kontratës së koncensionit, do të përdoret një shenjues direkt që quhet ‘Kodi i sigurisë”.