Legalizimi, qarku pengi katër zona informale
VLORË- Katër nga 6 zonat që presin legalizimin në bashkinë e Vlorës, ende nuk kanë marrë miratimin e strukturave të qarkut. Edhe pse ligji sanksionon që ky proces duhet të kishte përfunduar në fund të dhjetorit, ende zonat presin mbledhjen e strukturave të qarkut. Sipas kreut të ALUIZNIT, për qarkun e Vlorës, Roland Tafili, bashkia e Vlorës dhe pikërisht katër zonat në fjalë kapin numrin më të madh të ndërtimeve. Për gjithë bashkinë ato përbëjnë 2/3-at e zonave, ose 6700 ndërtime pa leje. Për bashkinë e Vlorës, e cila kap shumicën dërrmuese për ndërtimet e listuara drejt fitimit të statusit legal, janë aprovuar vetëm dy zona nga ana e qarkut nga 6 të tilla. Sipas Tafilit, të gjashtë zonat, në bazë të ligjit duhet të ishin aprovuar, por mos kalimi në qark po vonon në një farë mënyre hyrjen në këtë proces. Gjithsej në rang qarku Vlora ka 21 zona informale, nga të cilat 10 të aprovuara në KRRTRSH dhe 17 të miratuara në qark. Në 21 zonat informale që është përgatitur dokumentacioni tekniko ligjor, 10 mijë ndërtime janë të identifikuara.