Ndihma ekonomike, 2 dollarë në ditë për person
Sipas ministrit të Punës, Barka, këtë vit masa mesatare e NE për familje do të rritet me 67%. Brenda pak vitesh, 2 dollarë në ditë për person
Ndihma Ekonomike do të pësojë rritje me ritme të shpeshta. Madje brenda pak vitesh masa e ndihmës ekonomike do të arrijë në 2 dollarë për person në ditë. Këtë e deklaroi dje ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, gjatë seminarit "Adresimi i Përjashtimit Social në Shqipëri", organizuar nga Fondacioni "SOROS". Sipas Barkës, rritja e masës së ndihmës ekonomike (NE) do të fillojë të realizohet që këtë vit pasi masa mesatare e NE për familje të rritet me 67%, në krahasim me vitin 2007.
Rritet NE-ja
Fondet për Ndihmën Ekonomike parashikohen të rriten me ritme më të larta, se fondet për Personat me Aftësi të Kufizuara (PAK) dhe Shërbimet Sociale. Kështu, ministri Barka deklaroi dje se në vitin 2008 fondet për NE rriten 27%. "Rritja e fondeve për Ndihmën Ekonomike për vitin 2008, garanton objektivat për reduktimin e varfërisë; përsosjen e mekanizimit të shpërndarjes së NE, nëpërmjet punës komunitare, pagesës së energjisë elektrike dhe programet e tjera sociale; fillimin e rritjes së masës së NE drejt 2 USD në ditë për person; përfshirjen e familjeve realisht të varfra në skemë dhe përjashtimin nga skema të rasteve abuzive",- pohon Barka duke shtuar se me buxhetin e vitit 2008, do të fillojë zbatimi i objektivave të Strategjisë së Mbrojtjes Sociale 2008-2013, duke zbatuar kriteret e reja për vlerësimin e varfërisë. Ndërkohë Barka pohon se mbajtur parasysh efektin e mekanizmit për përfshirjen e familjeve realisht të varfra në skemë dhe largimin e familjeve që përfitojnë padrejtësisht, parashikohet që në vitin 2008, numri i familjeve në skemën e NE të reduktohet në rreth 92 mijë. Ndërsa masa mesatare e NE për familje, sipas Barkës, të rritet me 67%, në krahasim me vitin 2007. "Ky është një hap në drejtimin e duhur për ta bërë ndihmën më dinjitoze, që të plotësojë gradualisht nevojat e familjeve të varfra në mënyrë të mjaftueshme",- thekson Barka. Ndërkohë Ministria e Punës bën të ditur se, aktualisht, sipas hartës së përditësuar të varfërisë, vlerësohet se rreth 15% e popullsisë ose rreth 480 mijë banorë jetojnë nën vijën e varfërisë absolute, nga rreth 18% ose 570 mijë persona që ishte ky tregues në vitin 2005. Mbi bazën e hartës së varfërisë dhe kritereve të reja, numri i familjeve të varfra do të përcaktohet çdo vit për çdo njësi vendore, nga Njësia e Varfërisë, e cila është ngritur dhe konsoliduar në Ministrinë e Punës. "Numri i familjeve të varfra që do të përfshihen në skemën e NE, do të dërgohet si kuotë orientuese për çdo bashki/komunë, çdo vit, që në momentin e hartimit të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm",- pohon Barka.
67 për qind rritet masa mesatare e NE-së për familje në krahasim me vitin 2007
27 për qind janë rritur fondet për Ndihmën Ekonomike krahasuar me vitin 2007
480 mijë banorë jetojnë nën vijën e varfërisë absolute aktualisht në vendin tonë
92 mijë familje do të reduktohet numri i familjeve përfituese të NE-së në 2008