E Diel, 1 Nëntor 2026

Legjendat shqiptare animohen me teknologjine me te fundit

Konstandini në tre dimensione ngjan me këtë burrë të ri. Ndërtimi i trupit dhe vendosja e kockave, lëvizja e flokëve që i merr era dhe e syve sipas gjendjes shpirtërore, mërzisë dhe habisë, është realizuar me teknologjinë e fundit që përdoret në kinemanë e animacionit.
I riu Genc Buxheli është në proces të punës për një serial me 10 pjesë, 45 minuta secila që ka në esencë besën, rinjohjen, ringjalljen si në balada dhe në eposin e kreshnikëve. Me kryepersonazh Konstandinin që së vdekurish përmbush një amanet.

Legjenda e animuar që tregon Genci nuk merr përsipër t’u japë përgjigje pikëpyetjeve që ngrihen për kodet zakonore ballkanase, për të vdekur që ecin me të gjallë. Por ai ka mënyrën e tij që nëpëmjet personazheve të rinj që i shtohen legjendës të sjellë një frymë realiste dhe të tregojë se besën mund ta përmbushë edhe një i afërm a shok i ngushtë i të vdekurit.

Është njëlloj si të punosh pikturë me kompjuter. Detaji i modelit dydimensinal realizohet më vete, si këto duar të Doruntinës dhe dekolteja e fustanit të saj të natës, të cilat i kalojnë figurës tredimensionale. Me të njëjtën metodë bëhet trajtimi grafik, kompozimi i imazheve, realizohet ekspresioni i portreteve, gjuha dhe aktrimi i karaktereve, skenat masive të betejave të cilat kërkojnë një punë mirëfilli regjisoriale.
Atmosfera gjithmonë gri, e mjegullt, gotike na mban në mesjetë.
Në vitin 2008 bashkë me Marin Bezatlliun, Genci realizon filmin e tij të parë të animuar “Maska e Famës”. Së fundi është përfshirë në një dokumentar të animuar për fëmijë realizuar nga National Geographic.
Seriali i legjendave, gati brenda këtij viti, është hap i rëndësishëm që hedh 26-vjeçari sepse e përdor teknologjinë e avancuar për të treguar tema epike dhe nëpërmjet tyre t’i flasë një audience të rinjsh dhe të rriturish, territore që animatorët tanë me përvojë nuk i kanë në llogari.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›