E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lehne: Nga dialogu përfitojnë Kosova e Serbia

Janari nuk do të jetë vetëm muaj i konsultimeve për krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës, por edhe i takimeve të shtuara me diplomatë evropianë, të cilët do të vizitojnë Prishtinën me qëllim të përcaktimit të një date për dialogun me Beogradin.
Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Franco Frattini, ka paralajmëruar se gjatë janarit do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, ndërkaq mediat kosovare kanë theksuar se edhe shumë diplomatë të tjerë do të qëndrojnë në Prishtinë, përfshirë drejtorin politik në Ministrinë e Jashtme të Austrisë, Stefan Lehne.
Diplomati austriak, në një bisedë për “Kohën Ditore”, ka thënë të martën se nisja e dialogut po varet esencialisht nga Prishtina. Ai nuk ka dashur që të konfirmonte nëse do të vizitojë Prishtinën, por ka thënë se Austria është e gatshme që të ndihmojë.
“Unë shpresoj që dialogu të nisë shpejt. Beogradi deklaron se është i gatshëm. Edhe BE-ja është e gatshme që të ofrojë rolin ndërmjetësues menjëherë. Pra esencialisht nisja e dialogut varet nga Prishtina. Sa më herët që bisedimet të fillojnë, aq më herët do të arrihen rezultate konkrete nga to, rezultate prej të cilave do të përfitojnë dy palët”, ka thënë Lehne.
Diplomati austriak, i cili ka qenë një kohë të gjatë i angazhuar në Kosovë dhe në Ballkan edhe si zyrtarë i BE-së, ka thënë se Prishtina dhe Beogradi kanë shumë çështje për të zgjidhur.
“Të dyja vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi i ndërsjelltë. Dialogu do të jetë një procesi vazhdueshëm që do të mbulojë shumë çështje. Është ide e mirë që bisedimet fillimisht të fokusohen në çështje praktike, në mënyrë që të ketë rezultat të shpejtë dhe të ketë efekt në kualitetin e jetës së të dyja palëve”, ka thënë Lehne.
Drejtori politik në Ministrinë e Jashtme të shtetit austriak, ka thënë se marrëdhëniet ndërfqinjësore janë të rëndësishme në rrugën drejt BE-së të Prishtinës dhe Beogradit.
“Të dyja, edhe Kosova e edhe Serbia, kanë perspektivë të hyrjes në BE. Marrëdhëniet ndërfqinjësore gjithmonë kanë qenë një kriter i rëndësishëm gjatë zgjerimit të BE-së. Dialogu do t`i ndihmojë edhe Prishtinën, edhe Beogradin në përpjekjet e tyre për të lëvizur drejt BE-së”, ka thënë Lehne.
Diplomati austriak ka thënë se Austria do ta përcjellë nga afër procesin. I pyetur nëse ai personalisht do ta vizitojë Kosovën dhe do angazhohet personalisht, Lehne ka thënë se nuk do të jetë i angazhuar drejtpërdrejt.
“Nuk do të angazhohem drejtpërdrejt. Sidoqoftë, Austria sigurisht se do të përcjellë nga afër procesin edhe do të jetë e gatshme që të ndihmojë aq sa mundet”, ka thënë Lehne.
Ministri i Jashtëm italian, Frattini, ka thënë në Romë se do të qëndrojë në Prishtinë dhe Beograd me qëllim që të informohet edhe rreth përgatitjeve që po bëjnë të dyja vendet për të filluar bisedimet. Frattini, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, ka thënë po ashtu se ende nuk është momenti për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi, sipas tij, paraprakisht duhet të normalizohen raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ai ka thënë se qëllimi është që të gjitha vendet e Ballkanit të bëhen anëtare të Bashkimit Europian, por sipas tij, “Kosova ende nuk mundet pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare”.
Diplomatët evropianë presin që procesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit t`i paraprijë një takim i kryeministrit kosovar Hashim Thaçi dhe i presidentit serb Boris Tadiç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›