E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leicester shkarkon Erikssonin

Leicester City e ka shkarkuar menaxherin Sven Goran Eriksson. Ish selektori i Anglisë, i cili të hënën e pësoi humbjen e radhës 3:0 nga Milwall, është larguar nga klubi pas vendimit të pronarëve tajlandezë të ekipit anglez.

Synim i Leicesterit këtë sezon është të futet në play-off për rikthim në Premierligë. Aktualisht ky ekip gjendet në pozitën e 13-të, por ka vetëm 2 pikë më pak se zona e barazhit dhe 5 më pak se zona që ofron futjen direkt në elitën e futbollit anglez.

Fitorja eventuale e së hënës do ta ngriste Leicesterin në pozitën e katërt, por ky ekip nuk ia doli dhe trajnerit suedez kjo i kushtoi me ‘kokë’. Eriksson e kishte marrë detyrën e trajnerit në ekipin nga King Power Stadium në tetor të vitit të kaluar, kur ky klub rrezikonte të binte në një kategori më të ulët garash.

Por, pasi u përforcuan me Yakubu e Kyle Naughton, ‘Foxes’ u ngritën dhe përfunduan në pozitën e 10-të. Sidoqoftë, investuesit e rinj King Power i ofruan 10 milionë funte gjatë verës për përforcime me objektiv rikthimin në Premierligë.

Dhe, përkundër faktit se Eriksson ka përvojë të madhe, pasi më parë udhëhoqi Anglinë, Manchester Cityn dhe Lazion, pronarëve të rinj u humbi durimi dhe vendosën për shkarkimin e suedezit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›