Sensacioni Levante

Fillimi i jashtëzakonshëm i Levantes këtë sezon në La Liga ka befasuar të gjithë në Spanjë. Një fakt që e bën edhe më mbresëlënëse arritjen e tyre është se skuadra ka vetëm shtatë futbollistë, të cilët kanë kontrata të vlefshme me klubin edhe për sezonin e ardhshëm.
Gjashtë fitore dhe dy barazime nga tetë ndeshjet e ligës të zhvilluara deri më tani, përfshirë fitoret e befasishme 1-0 ndaj Real Madridit, 3-0 ndaj Malagas dhe së fundmi 3-0 në udhëtim ndaj Villarrealit, kanë bërë që ata të kenë më tepër pikë tani në këtë fazë të sezonit sesa në gjithë pjesën e parë të edicionit të kaluar.
Megjithatë, politika e rreptë e klubit nga Valencia, që ka vuajtur nga problemet financiare në të kaluarën, nënkupton se më tepër se gjysma e ekipit ka të drejtë të negociojë me klubet tjera nga janari i ardhshëm, situatë me të cilën sipas gazetës spanjolle AS, nuk nguten të merren presidenti Francisco Catalan dhe drejtori Manolo Salvador.
Në anën tjetër, trajneri Juan Ignacio Martinez dëshiron të mbajë grupin aktual të futbollistëve. Një element problematik është se skuadra e Levantes është më e vjetra në La Liga. Ekipi që fitoi ndaj Malagas para një xhiroje ishte i moshës mesatare 31 vjeç e 268 ditë - më e vjetra në La Liga.
Në fakt, skuadra Los Granotes mund të ndahet në katër kategori: ata me kontrata, ata me kontrata dhe mundësi të vazhdimit, futbollistë të huazuar dhe ata që vijnë në fund të marrëveshjeve të tyre aktuale.
Grupi i parë përmban vetëm shtatë futbollistë: Gustavo Munua, Pedro Lopez, Vicente Iborra, Jose Javier Barkero, Nabil El Zhar, Hector Rodas dhe Miguel Pallardo të gjithë të cilët kanë të ardhmen e garantuar në klub ose mund të largohen nëse Levante vendos t’i shesë.
Sergio Ballesteros, Asier del Horno, Francisco Javier Farinós dhe Nano – të gjithë veteranë – formojnë grupin e atyre që mund të vazhdojnë për një tjetër vit nëse arrijnë të paraqiten në një numër të caktuar të ndeshjeve dhe Levante i shmanget rënies nga liga. Carlos Aranda është në situatë të ngjashme. I vetmi dallim është se kontrata e tij mund të vazhdohet për dy vite.
Gustavo Cabral, Xavi Torres, Keylor Navar dhe Arouna Kone të gjithë pritet të kthehen te klubet e tyre në fund të këtij sezoni, pas skadimit të periudhave të huazimit edhe pse Levante pritet të bëjë përpjekje për transferimin e ndonjërit prej tyre ose vazhdimit të huazimit.
Në fund, futbollistët, të cilëve u skadon kontrata më 30 qershor të vitit të ardhshëm dhe nuk kanë të përfshirë mundësinë e vazhdimit të saj, janë: Javi Venta, Valdo, Rubén Suárez, Juanlu Gómez, Juanfran García, Rafa Jordá dhe Marc Mateu. Në çfarëdo mënyre, Levanten e pret një betejë për të mbajtur ekipin që aktualisht qëndron në krye të La Ligas.