E Diel, 1 Nëntor 2026

Lejohen reklamat kontestuese pro-izraelite në metronë e Washingtonit

Një gjykatës në Washington vendosi se autoritetet e metrosë së qytetit duhet ta lejojnë publikimin në stacione të një reklame pro-izraelite, që cilëson radikalët myslimanë si njerëz të egër. Ekspertët ligjorë thonë se nuk ka asnjë mënyrë për të shmangur Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane, i cili mbron lirinë e fjalës, edhe nëse disa njerëz e konsiderojnë përmbajtjen ofenduese.

Zyrtarët e metrosë kishin ngritur shqetësime se kjo reklamë mund të nxisë dhunë, sidomos pas sulmit ndaj konsullatës amerikane në Libi.

Aty shkruhet: "Në çdo luftë midis njeriut të qytetëruar dhe atij të egër, mbështet njeriun e qytetëruar. Mbështet Izraelin. Mposht xhihadin”.

Për shumë myslimanë, xhihadi përbën një luftë të brendshme shpirtërore. Por disa njerëz e kanë përdorur këtë koncept fetar si një justifikim për dhunë.

Nihad Awad është drejtor ekzekutiv i Këshillit për Marrëdhëniet amerikano-islamike. Grupi mbron interesat e myslimanëve amerikanë.

"Deri tani, shumica dërrmuese e atyre që e kanë parë reklamën e kanë dënuar atë. Kanë dënuar fanatizmin, urrejtjen që mbart, si dhe organizatorët e saj", tha Awad.

Këto reklama janë sponsorizuar nga Iniciativa e Mbrojtjes së Lirisë Amerikane, një grup pro-izraelit që thotë se lufton kundër islamizimit të Amerikës. Dy organizata amerikane për të drejtat civile e cilësojnë atë si një grup që nxit urrejtje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›