E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama dhe Romney u përballën në debatin e dytë presidencial

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kundërshtari i tij republikan Mitt Romney zhvilluan mbrëmë debatin e dytë presidencial në Universitetin Hofstra të New Yorkut. Ndaj dy kandidatëve u drejtuan pyetje nga votues të pavendosur se për kë do të votojnë.

Presidenti Obama i tha kundërshtarit republikan Mitt Romney se plani i tij për mbajtur shkurtimin e taksave për të pasurit do të shtonte defiçitin dhe barrën mbi amerikanët.

“Nëse dikush vjen tek ju guvernator, me një plan për shpenzimin e 7 apo 8 trilion dollarëve por pa treguar se si do t’i gjejë këto para deri pas zgjedhjeve, nuk duhet ta pranosh një marrëveshje të tillë, as populli amerikan. ”

Gjatë debatit të dytë presidencial në Universitetin Hofstra në New York, Romney akuzoi presidentin se dëshironte të rriste taksat për të pasurit. Ai tha se plani i tij do të çonte në rritjen e vendeve të punës dhe një buxhet të balancuar.

“Unë kam drejtuar biznese për 25 vite dhe kam balancuar buxhetet. Kam patur Lojërat Olimpike dhe e kam balancuar buxhetin. Kam drejtuar shtetin Massachussetts dhe nga pozita e guvernatorit kam balancuar buxhetin për katër vjet.”

Kandidatët u pyetën nga votues ende të pavendosur se për kë do të votojnë.

Pyetja e parë erdhi nga një student i cili u kërkoi kandidatëve të dinte se çfarë do bënin që ai të gjente punë dhe të mbështeste veten financiarisht pas mbarimit të shkollës.

Romney tha se ishte e papranueshme që studentët mbarojnë shkollën me shumë borxhe dhe me shanse të vogla për të gjetur punë. Ai tha se studentët e meritojnë shansin për punësim. Pa dhënë detaje ai tha se e dinte se çfarë duhej bërë që ekonomia të rritej përsëri.

Nga ana e tij, presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për sistemin arsimor më të mirë në botë. Ai tha se do të krijonte më shumë vende pune duke ringjallur prodhimtarinë në Shtetet e Bashkura dhe ritrajnimi i punonjësve për industri të tjera, duke përdorur paratë e kursyera nga dhënia fund e luftërave në Irak dhe Afganistan.

Pas pyetjeve mbi energjinë, ekonominë, vendet e punës dhe pagës së barabartë për gratë, një pjestare e audiencës e pyeti Romney mbi imigracionin.

Guvernatori tha se nuk do të jepte amnisti për imigrantët e paligjshëm. Ai tha se donte një sistem efikas imigracioni duke bërë thirrje për dhënien e më shumë Kartave të Gjelbra/Green Card për punonjësit e kualifikuar. Ai akuzoi presidentin Obama se kishte dështuar në mbajtjen e premtimit për të realizuar reformën për imigracionin.

Presidenti tha se kishte bërë gjithçka të mundur për të rregulluar sistemin e imigracionit. Një tjetër pjesëtar në audiencë donte të dinte se kush kishte mohuar shtimin e sigurisë për konsullatën amerikane në Benghazi, Libya dhe pse.

Romney e akuzoi presidentin se ju deshën dy javë për t’i treguar popullit amerikan se sulmi ndaj konsullatës dhe vrasja e ambasadorit amerikan dhe tre të tjerëve, ishte një akt terrorist.

Nga ana e tij, presidenti tha se e kishte quajtur sulmin në Benghazi një akt terrorist ditën që pasoi. Ai tha se sugjerimi që kushdo në qeverinë e tij do të përdorte dhunën në Libi për përfitime politike apo hedhur hi syve popullit amerikan është fyes.

Debati i tretë dhe i fundit presidencial do të zhvillohet javën që vjen në Florida. /voa/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›