Lekaj me kundërkandidat për kreun e degës së AAK-së

Mentor Kazazi inxhinier i makinerisë, do të sfidoj Pal Lekajn në postin e kryetarit të degës së AAK-së në Gjakovë, në zgjedhjet që do të mbahen në muajin e ardhshëm. Kandidaturën për të parin e degës në Gjakovë, zyrtarisht Kazazi e ka paraqitur të martën pasdite, ndërsa është bërë publik të mërkurën.
Kazazi tha se po i hynë kësaj gare me besimin e plotë për të avancuar më tutje zhvillimin e partisë, duke promovuar vlerat tradicionale të popullit të kombinuar me ide dhe energji të reja, dhe me vizionin që dega e AAK-së në Gjakovë, të zhvillohet si parti e cila do të udhëheq me komunën e Gjakovës drejt sfidave të këtij mileniumi”.
Kjo është hera e parë që kryetari aktual i degës së AAK-së dhe njëherësh kryetar i komunës së Gjakovës, Lekaj do të ketë një kundërkandidat. Vet Lekaj, e ka bërë publike rikanndidimin e tij, para disa ditësh për të vazhduar drejtimin e këtij subjekti në Gjakovë.
Mentor Kazazi i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës para disa javësh, së bashku me dy ekspert të tjerë nga Gjakova, Arben Ymeraga dhe Visar Lluka.
Ai është diplomuar në fakultetin e inxhinierisë në Prishtinë, ndërsa studimet post universitare i ka vazhduar në Universitetin Teknik në Vjenë si dhe në në SHBA. Ai për një kohë ka punuar në USAID, ndërsa është pronar i një biznesi privat, në Prishtinë e Gjakovë./Indeksonline/