E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lekët falsë, kërkohet makineria e blerë në Bullgari

Vihen në lëvizje struktura të posaçme hetimore, pas sinjaleve se në Fier po prodhohen kartëmonedha false, që kanë një ndryshim shumë të vogël me origjinalet. Paratë dyshohet të jenë shpërndarë në të gjithë vendin FIER - Në tregun valutor fierak është hedhur këto kohë në qarkullim një sasi e konsiderueshme kartëmonedhash false, të prerjeve 500 dhe 1 mijë-lekëshe, të prodhuara nga një makineri e blerë në Bullgari për këtë qëllim. Burime të sigurta informacioni thanë për gazetën, se po punohet nga struktura të posaçme hetimore dhe gjurmuese për identifikimin dhe vënien para drejtësisë të personave që kanë hedhur këto para në qarkullim. Drejtoritë e këtyre strukturave në Tiranë kanë dhënë alarmin prej disa javësh tek vartësit e tyre në Fier, të cilëve u kërkojnë me çdo kusht informacion shumë të detajuar, por edhe të dokumentuar në lidhje me këtë çështje. Sipas burimeve, mësohet se nga ana e tyre ka dyshime serioze se një muaj më parë, një person ka blerë në Bullgari një pajisje elektronike, e cila prodhon kartëmonedha false. “Kjo pajisje dyshohet se ndodhet në rrethina të Fierit, por ende nuk është zbuluar saktësisht se ku fshihet”, pohojnë për gazetën burime. Blerësi i kësaj makinerie veç të tjerash, ka blerë jashtë vendit edhe letrën e veçantë që nevojitet për prodhimin e lekëve falsë, së bashku me materialet e tjera ndihmëse, siç janë shiritat e sigurisë etj. Pak ditë më parë u përhap përmes mediave lajmi, se edhe në qytete të tjera të vendit ishin shpërndara lekë falsë, të po të njëjtave prerje. Gjithçka u pikas, pasi në duart e organeve të specializuara ranë disa kartëmonedha të falsifikuara, 500 dhe 1 mijë-lekëshe. Për qëllime hetimi nuk jepet numri i serisë së lekëve të sekuestruara. Vetë banorët, të cilët ende nuk dinë gjë në lidhje me paratë e falsifikuara, mund të kenë rënë pre e këtyre kartëmonedhave gjatë aktivitetit të tyre. Sipas uniformave blu, në Drejtorinë e Policisë së Fierit janë marrë në pyetje pothuajse të gjithë personat e dokumentuar që ushtrojnë aktivitet privat të këmbimit valutor. Po kështu, janë thirrur në polici edhe kambistët që punojnë në të zezë, por që nuk dihet se çfarë kanë thënë ata në ambientet e drejtorisë së policisë.

Edhe bankat pre e falsifikimit

Burimet shtuan se kartëmonedhat e falsifikuara kanë qarkulluar edhe në disa banka në qytetin e Fierit, pasi ato janë në fakt të pakuptueshme me sy të lirë. Sipas informacionit të grumbulluar nga 14 banka që operojnë në Fier, vetëm njëra prej tyre zotëron një mekanizëm që mund t’i kapë këto kartëmonedha false. Në këtë bankë, parave false gjatë numërimit u vendoset një shenjë, e cila i bllokon automatikisht. Ndërkaq, në banka të tjera, nëse arkëtares i “shpëtojnë” para false, ajo është e detyruar t’i paguajë ato në fund të muajit nga paga e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›