Popi ka vendosur të bëhet VIPS

Eno Popi vërtet ka vite që punon në radio, por gjithsesi radioja ngelet radio e nuk të bën të famshëm, nuk të lançon, as të jep kënaqësinë e të bërit fytyrë të njohur, aq më pak të jesh në faqet e shtypit e të bëhesh figurë mediatike. Dhe ai nuk është se nuk e di këtë. Ai e ka ditur që në fillim e për t’ia arritur përdor çdo rrugë të mundshme. Thellë-thellë ai po vdes të bëhet pak protagonist, plastë ai që nuk do të donte të ishte i tillë! Kështu, ngaqë është mërzitur duke ndenjur në hije, Popi është rebeluar ndaj gjendjes së tij të mjerë dhe ka vendosur të bëhet analist shtypi. E si mund t’ia refuzosh një shans të tillë prezantuesit që, kur fillon të flasë, nuk ia del njeri ta ndalojë. Kohët e fundit protagonizmi i Popit po arrin majat, falë edhe thashethemeve që qarkullojnë për të. Nëpër kafenetë e ndryshme të Tiranës përflitet se ai është në “Top-listën” e gazetarëve gay.
Aurela Gaçe
Kthehet në vendin e origjinës
Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Aurela Gaçe, ka vendosur që të kthehet në vendin ku e ka filluar karrierën e saj profesionale, në Vlorë, për të mbajtur një koncert. Në këtë qytet bregdetar ajo ka marrë duartrokitjet e para nga publiku, ndaj dhe ka një motiv më tepër për të qenë e pranishme. Këtë lajm ajo e ka bërë të ditur për “Gazetën Shqiptare”, dhe ka thënë se duartrokitjet e para i ka marrë pikërisht në këtë vend. “Vlorën e dua dhe më duket se është normale të më mundësohet që ta shpreh dashurinë me çfarë di të bëj më mirë: të këndoj për të”, ka thënë Gaçe. Këngëtarja po ashtu ka thënë, se së shpejti do të hedhë në treg një klip të ri dhe një album muzikor, ndërsa në jetën e saj sentimentale vazhdon të qëndrojë hermetike, pasi ende nuk e ka gjetur shpirtin e saj binjak.
Ermal Fejzullahu
Blen shtëpi në vlerën e 300 000 eurove
Kosovari Ermal Fejzullahu ka blerë një shtëpi në vlerë prej 300 000 eurosh në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, i cili po ndërtohet në Veternik. Lajmin e ka bërë të ditur për “telegrafi.com” një mik i Ermalit, i cili ka thënë se shtëpia e re e Ermalit është një vilë e vërtetë dhe se ai e ka blerë atë me ndihmën e babait të tij, legjendës së muzikës shqipe, Sabri Fejzullahut. Më shumë se përrallore, ajo ka shumë dhoma, ka pishina dhe një stil arkitektonik tejet klasik. Këngëtari i njohur e ka blerë shtëpinë menjëherë pas xhirimit të videoklipit të ri, të cilin pritet ta lançojë gjatë verës nëpër televizionet kosovare.
Eranda Libohova
Nuk ka frikë të këndojë live
Ajo ndjehet më shumë se e sigurt kur vjen puna tek aftësitë e saj vokale. Eranda Libohova ka thënë se nuk frikësohet aspak që të këndojë live para publikut, pasi ajo nuk e ka kompleksin se do ta tradhtojë zëri. Këngëtarja e ka dëshmuar këtë gjatë një mbrëmjeje në një lokal nate në Tiranë, ku me të hyrë brenda ka kapur mikrofonin dhe ka filluar të këndojë pa pushim. Duket se zëri i saj i ka kënaqur mysafirët e një karaoke-bari në Tiranë, të cilët kanë kënduar bashkë me të këngët e saj të njohura.