Leksikoni jugosllav

“Leksikoni i YU Mitologjisë” është shfaqje e cila e hapi festivalin e 18-të Ndërkombëtar të Arteve Performuese ‘EX PONTO’ në Lubjanë të Sllovenisë.
Koncepti i shfaqjes ndërtohet në sistemin multilingual dhe Teatri Kombëtar i Kosovës zë hapësirën qendrore në performancë artistike.
“Pjesëmarrja e TKK-së në këtë projekt ka pasur qëllim të dyfishtë, avancimin e kulturës sonë dhe promovimin e aktorëve shqiptarë të Kosovës si dhe të vazhdojë të ecë krah për krah me zhvillimet teatrore europiane si pjesë e integrimit kulturor në këtë familje të madhe të vlerave të përbashkëta. Mbështetja e dialogut ndërkulturor midis krijuesve të teatrit evropian është njëri ndër misionet e TKK-së, ndaj edhe ky projekt është përpjekje që TKK të marrë vendin meritor në hapësirat ndërkombëtare teatrore”, thuhet në një komunikatë për shtyp të dërguar nga Teatri Kombëtar.
Ekipi i shfaqjes përbëhet nga Oliver Ferlic, regjisor, Jasna Zmak, dramaturge, Rosana Hribar, koreografe etj.
Ndërkaq, në shfaqje performojnë Helena Miniq, Bajrush Mjaku, Gresa Pallaske, Miha Nemec, Maja Nemec, Ljuma Panev, Joana Popovska, Miso Obradovic.
Performanca e regjisorit Ferlic, e cila është shumë avangarde e ndërtuar mbi mitin, thashethemet dhe argumentet shumë provokuese për historinë e hapësirave të ish Jugosllavisë, vitin e ardhshëm do të shfaqet në Austri, Gjermani dhe Rusi.