Lëkundje tërmeti në Korçë, banorët: Nuk kemi dëme në banesa

Disa lëkundje tërmeti janë ndjerë në orët e para të ditës së sotme (23mars) në zonën mes Korçës dhe Ersekës. Epiqendra e tërmetit ka qenë 6 km nga fshati Mollas në bashkinë Kolonjë, ndërsa lëkundja më e fortë me magnitudë 4.4 ballë është pasuar me disa pasgoditje.
Në fshatin Qafëzez lëkundjet kanë qenë më të shpeshta, duke shkaktuar panik tek banorët. Kjo për vetë faktin, se në këtë fshat, u dëmtuan 12 banesa si pasojë e tërmetit që goditi qarkun e Korçës në 1 qershor të 2019.
Banorët shprehen se këtë herë, nuk ka pasur dëme në banesa ndërsa nga frika, janë detyruar të qëndrojnë jashtë banesave.
Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në qytetin e Korçës si edhe në disa fshatra të bashkisë Devoll.
/rtsh/