Lëndohet Ronaldo, nuk luan ndaj Brazilit

Kristiano Ronaldo dhuroi paraqitjen spektakolare të radhës, kur i vetëm kundër Irlandës së Veriut realizoi një hat trick, e cila i lejoi Portugalisë të përmbyste disavantazhin 2-1 në një sukses 4-2.
Por, me sa duket, ylli i Realit është “lënduar” gjatë eliminatores së të premtes, prandaj stafi mjekësor e ka ndaluar që të jetë në fushë për miqësoren e datës 10 shtator kundër Brazilit, e cila do të luhen në Boston, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye, përballja e parë e yjeve mes “CR7″-tës dhe brazilianit Neymar do të shtyhet për më 26 tetor, kur Reali të udhëtojë në “Camp Nou” kundër Barcelonës, takim i vlefshëm për Primera Divizion.
Sipas burimeve pranë “Seleçaos” së Europës, Ronaldo ka disa probleme me tendinat e gjurit, ndaj nuk do të rrezikohet më kot pas një feste dhe një triplete, e cila e futi në historinë e futbollit portugez. Falë 3 golave të tij, ai la pas legjendën Eusebio (41 realizime) dhe u ngjit në kuotën e 43 golave. “Kjo është diçka madhështore, një dhuratë si kjo nuk mund të kishte qenë më e bukur, pas një triplete”, – tha pas ndeshjes Ronaldo. 28- vjeçarin e ndajnë vetëm 4 gola nga rekordmeni absolut në përfaqësuese, Pauleta, me 47 gola./indeksonline/