E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leo Mesi, “Topi i Artë 2009”

Mesi ka grumbulluar 473 pikë nga 480 të mundshme, duke lënë pas (me një distancë të madhe pikësh) Kristiano Ronaldon, që mori 233 pikë. Në vendin e tretë dhe të katërt janë përsëri dy lojtarë të Barçës, Ksavi dhe Iniesta, përkatësisht me 170 dhe 149 pikë.

Më pas vjen Samuel Eto me 75 pikë (i vetmi futbollist që aktualisht luan në kampionatin italian), i ndjekur nga Kaka (58), Zllatan Ibrahimoviç (50) dhe Uejn Runi (35). 22-vjeçari kurorëzon në këtë mënyrë një sezon fantastik, në të cilin fitoi pesë tituj me katalanasit, duke shënuar gjithsej 38 gola.

“Sinqerisht, e dija që isha mes favoritëve – deklaroi ai menjëherë pas zyrtarizimit -, sepse pata një sezon të shkëlqyer me Barcelonën. Megjithatë, nuk e prisja të fitoja me një diferencë kaq të madhe. “Topi i Artë” është shumë i rëndësishëm për mua, të gjithë lojtarët që e kanë fituar kanë qenë të mëdhenj”.

Lionel Mesi është lojtari i gjashtë në historinë e Barcelonës që fiton këtë titull, i cili jepet nga “France Football” që nga viti 1956. Gjithashtu, ai është futbollisti i tretë më i ri, pas Ronaldos dhe Majkëll Ouen.

“Ky çmim është një nder i madh për mua dhe fakti që jam argjentinasi i parë që e fitoj, më emocionon pa masë. Suksesin ia dedikoj familjes sime që më ka qëndruar gjithmonë pranë në momentet e vështira. Do të jetë e vështirë ta mbaj, sepse sezoni i kaluar zor se mund të përsëritet”, nënvizoi Mesi.

Në fund, edhe diçka në lidhje me Argjentinën, që u kualifikua për në Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut pas një rruge të gjatë e të vështirë: “Ishte tepër e lodhshme, patëm shumë vështirësi. Por ishim të bindur se në fund do t’ia dilnim”.

“Topi i Artë 2009”, ja renditja përfundimtare:

1. Lionel Mesi (Argjentinë, Barcelona), 473 pikë
2. Kristiano Ronaldo (Portugali, ManUtd/Real Madrid), 233
3. Ksavi (Spanjë, Barcelona), 170
4. Andres Iniesta (Spanjë, Barcelona), 149
5. Samuel Eto'o (Kamerun, Barcelona/Inter), 75
6. Kakà (Brazil, Milan/Real Madrid), 58
7. Zllatan Ibrahimoviç (Suedi, Inter/Barcelona), 50
8.Uejn Runi (Angli, Mançester Utd.), 35

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›