E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leo Mesi: Provoni të na ndaloni

Kristiano Ronaldo nuk dorëzohet: Kemi shpresa për titullin, nëse e fitojmë, sezoni i Realit nuk është i dështuar Ylli i Barcelonës, entuziast pas fitores në “Bernabeu”: Jemi më të fortët!

“Jemi më të fortët”. Lionel Mesi mund t’i lejojë vetes të thotë çfarë të dojë pas spektaklit të radhës që Barcelona dhuroi të shtunën në “Santiago Benabeu”. Ylli argjentinas udhëhoqi katalanët në fitoren 2-0 në fushën e Realit të Madridit, me golin e realizuar në pjesën e parë të sfidës mes dy rivalëve të përjetshëm. Triumfi në “klasiken e mijëvjeçarit” ka bërë që “blaugranat” të jenë të avantazhuar në garën për titullin në La Liga. Tashmë, skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola ka tri pikë më shumë se “galaktikët”, kur mungojnë edhe 7 javë nga mbyllja e kampionatit. Por, avantazhi është i dyfishtë, sepse në rast se Barça dhe Reali e mbyllin sezonin me pikë të barabarta, ata do të klasifikohen në vendin e parë, pas sukseseve në përballjet direkte. “Skuadra tregoi se në këto momente është më superiore se kushdo tjetër”, ishin fjalët e Mesit. Sulmuesi nënvijëzoi: “Unë nuk kam thënë se jam më i mirë se Kristiano Ronaldo, por se Barça është më e mirë se madrilenët. Ishte një ndeshje e ekuilibruar, ndërmjet dy skuadrave që e respektojnë njëra-tjetrën. Shfrytëzuam rastet që na u krijuan dhe për këtë arsye fituam. Kampionati nuk ka përfunduar, ende nuk mund ta shohim veten si kampionë, por hodhëm një hap mjaft të rëndësishëm drejt titullit”.

Kundër Realit, Mesi realizoi golin numër 40 në këtë sezon. Kjo ishte rrjeta e tij numër 27 në La Liga dhe e shtata në tetë “klasike” që ka luajtur. Me këtë ecuri, “pleshti” vazhdon të shfaqet si lider në garën për “Këpucën e Artë”, përpara sulmuesit të Mançester Junajtid, Uejn Runi. Paraqitja e 22-vjeçarit mund të cilësohet edhe si një paralajmërim për Interin, kundërshtar me të cilin Barcelona do të përballet në gjysmëfinalet e Champions League. Por, Mesi shfaqet diplomat dhe nuk bën deklarata të nxituara: “Na presin edhe mjaft ndeshje të vështira deri në fund të sezonit. Personalisht mendoj se duhet të vazhdoj të paraqitem në të njëjtën mënyrë”. Edhe Guardiola shfaqet i kënaqur, por qëndron me këmbë në tokë: “Jemi shumë të lumtur, fituam një sfidë të rëndësishme. Arritëm një rezultat të rëndësishëm. Nuk duhet të harrojmë vlerat e kundërshtares sonë, që nuk kishte humbur asnjë takim në shtëpi në kampionat. La Liga ende nuk ka përfunduar. Në lojë janë edhe 21 pikë, gjithçka mund të ndodhë”.

Në kampin madrilen, humbja është përjetuar keq. Edhe pse drejtori i përgjithshëm, Valdano, ka theksuar se nuk është momenti të hapet debati për trajnerin, gazeta “Marca” sulmon Pelegrinin: “Më pas të gjithë jetuan të lumtur. Përralla e Pelegrinit përfundoi”. Trajneri ka dështuar në dy ndeshjet kyçe të sezonit: kundër Lionit në Champions dhe përballë Barcelonës. Megjithatë, Kristiano Ronaldo nuk i ka humbur shpresat: “Duhet të ngremë kokën, kanë mbetur edhe shtatë ndeshje. Sezon i dështuar? Nëse fitojmë La Ligën, nuk mund të quhet i tillë. Do të vazhdojmë të luftojmë, pasi llogaritë bëhen në fund”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›