E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo nder Vllaznisë, shtyhet festa

Besa dhe Tirana nuk falin, Flamurtari dhe Kastrioti tri pikë me peshë jashtë fushe, në garën për mbijetesë Blutë shpërdorojnë fitoren matematike të titullit, “përmbysen” në 120 sekonda në shtëpi

Duhej të ishte dita e festës së titullit. Me një fitore përballë Vllaznisë, Dinamo do të shpallej matematikisht kampione e Shqipërisë që prej javës së 27 të kampionatit. Megjithatë, blutë kanë shpërdoruar “match-point”-in dhe e shtyjnë për më vonë përvetësimin e titullit numër 18 në historinë e klubit. Të pashqetësuar prej diferencës së madhe të ndjekësve, kryeqytetasit preferuan që t’i bëjnë nder Vllaznisë, duke i lejuar shkodranëve marrjen e tri pikëve në “Qemal Stafa”. Skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça kaloi e para në avantazh me rrjetën e Emiliano Vilës, i cili përshëndeti rrjetën kur kronometri tregonte 52 minuta lojë. Por, në dhjetë minutat e fundit të takimit, Dinamo nuk ka bërë as sforcon minimale që të ruante avantazhin. Përkundrazi, ata lejuan Vllazninë që të përmbysnin shifrat në harkun e 120 sekondave. Në minutën e 80 ishte i riu Nika ai që vendosi baraspeshën, ndërsa dy minuta më pas, Rajoviç kaloi shkodranët në avantazh, falë një penalltie e cila solli edhe largimin me karton të kuq të kapitenit dinamovit, Arjan Pisha. Trajneri Muça është larguar nga stadiumi pa komentuar paraqitjen e të tijve, duke deklaruar vetëm “nuk kam çfarë të them… ma bëni hallall…”. Në fakt fjalët janë të tepërta: Dinamo vazhdon nderet në Superiore, sikur ky të ishte “mallkimi” për faktin se për 21 javët e para ishin dominuesit absolutë të kampionatit dhe e mbyllën garën e titullit pa mbaruar faza e dytë. Në anën tjetër, Vllaznia largohet nga kryeqyteti me tri pikë, që i ndryshojnë sezonin. Kjo ishte fitorja e katërt radhazi e kuqebluve të Edi Martinit (e dyta në harkun e tri javëve në Tiranë), që tashmë i janë larguar luftës për mbijetesë. Shkodranët ngjiten në kuotën e 39 pikëve, aq sa kanë edhe Laçi e Shkumbini që mbajnë vendet 5 dhe 6 në tabelë.
Besa dhe Tirana, dy skuadrat që luftojnë për vendin e dytë, nuk tolerojnë. Kavajasit fitojnë 2-0 me gola të Shkëmbit dhe Sinanit përballë Apolonisë, ndërsa bardheblutë triumfojnë 2-1 me Teutën, ndërsa i kanë realizuar vetë të tri golat. Devolli e Muzaka shënuan në portën durrsake, ndërsa në të 79-n, ka qenë përsëri Devolli që përshëndeti rrjetën, por këtë herë duke mposhtur portierin e tij. Fitore me peshë ajo që Flamurtari ka regjistruar në fushën e Skënderbeut, në një sfidë që vlente qëndrimin në elitë për të dyja klubet. Falë një goli të Franc Veliut, vlonjatët largohen me tri pikë të plota nga Korça. Fitore me peshë arrin edhe Kastrioti në fushën e Gramozit, ndërsa heroi i krutanëve ishte Babiç. Vetëm barazim pa gola në sfidën tjetër ndërmjet Laçit dhe Shkumbinit, dy skuadra që ëndërrojnë një vend në kupat e Europës. Një rezultat që i prish punë dy skuadrave, pasi tashmë Tirana e vendit të tretë është shkëputur.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›