E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leo-Milan, diçka nuk shkon Hija e Lipit, mbi Milanelon

E ardhmja Trajneri kuqezi nënkupton largimin. Tekniku i Italisë, një pasardhës

Një faleminderit nga thellësia për lojtarët, fjalë të thata mbi të ardhmen dhe raportin me Silvio Berluskonin: në pasndeshjen e hidhur të Milan-Katania, Leonardo lë të nënkuptohet, me çiltërsinë e tij të zakonshme, që diçka nuk shkon me klubin, ose po prishet. Dhe që prezenca e tij në pankinë edhe për sezonin e ardhshëm është gjithnjë edhe më e paqartë. Gjithçka përputhet me zërat e rinj për kontakte mes klubit kuqezi dhe Marçelo Lipit. Trajneri i Italisë, siç edhe dihet, do të jetë i lirë menjëherë pas botërorit afrikanojugor dhe është e qartë tashmë ftohja e tij me këtë Juventus, që, deri pak kohë më parë, ishte gati ta ngarkonte me një detyrë tekniko-menaxheriale. “Darka” e Rekos, këshillat e Blank e Seko mbi Ferrarën dhe fushata e merkatos tashmë janë pjesë e arkivit: aktual për teknikun e përfaqësueses italiane (që ka deklaruar së fundmi se e ka informuar Abeten mbi programet e tij për të ardhmen), është vlerësimi i madh dhe i përhershëm i Silvio Berluskonit, që çmon kualitetin prej lideri të trajnerit të kampionëve të botës. Lipi, përveç se drejton skuadrën, mund edhe të bashkëpunojë më ngushtë me Galianin e Braidën rreth blerjeve në merkato më shumë se sa paraardhësit. Gjatë kësaj kohe, Leonardo nuk e humbet stilin e buzëqeshjes, edhe pse këto fjalë tregojnë se jemi tashmë në fundin e filmit: “U detyrohem shumë të gjithë lojtarëve, ka thënë ai të dielën në mbrëmje në ‘San Siro’. Kanë qenë gjithnjë në krahun tim, pa ata aventura ime si trajner këtu te Milani do të ishte një ankth. Shtytja e vërtetë për të bërë gjëra të rëndësishme kanë qenë ata, lojtarët e mi. Nga Dida te Gatuzo, deri te Storari kur luante për ne. Prandaj shpresoj ta mbyll sa më mirë këtë sezon, sepse djemtë e meritojnë. Po na ndodhin situata të komplikuara, por unë shikoj te të gjithë një dëshirë të madhe për të kapërcyer vështirësitë”. Dhe në lidhje me marrëdhënien me Milanin, Leo ka hedhur me klas topin nga ana tjetër e fushës: “Pas 13 vitesh, që kur kam mbërritur këtu si lojtar, për mua kjo marrëdhënie supozohet si dashuri”. Ndjenjë e mrekullueshme, por e destinuar shpesh të përfundojë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›