Leo paralajmëron Marsejën: Milani kërkon vetëm fitoren
"Nuk do të hyjmë në fushë për të barazuar, dëshirojmë të fitojmë. Mendoj se të njëjtën gjë kërkon edhe Marseja". Në këtë mënyrë, Leonardo prezantoi sfidën e sotme në "San Siro", të vlefshme për Ligën e Kampioneve. Një triumf do t‘i siguronte Milanit kalimin e fazës së grupeve. "Jam i bindur se mund t‘i mundim francezët dhe të sigurojmë kualifikimin. Skuadra po kalon një moment të mirë dhe arritja e objektivit varet vetëm prej nesh", tha më tej trajneri brazilian në konferencën për shtyp. Dyshimi i vetëm që ka drejtuesi i stolit kuqezi është Borrielo, i dëmtuar. "Sulmuesi po bën një kontroll vetëm për t‘u siguruar se nuk rrezikon, sqaroi Leo, do të vazhdojmë ta monitorojmë gjendjen e tij, ndërsa vendimin për ta pasur në dispozicion kundër Marsejës do ta marrim nesër (sot). Unë jam optimist, sepse pas ndeshjes me Kaljarin lojtari dukej i qetë, megjithëse kishte ndier disa ngacmime të vogla". I paevitueshëm diskutimi për individët brenda skuadrës, në një moment kur vendimet e trajnerit po shkaktojnë pakënaqësi te disa "senatorë". Nga Borrielo, vëmendja në konferencë spostohet tek Inzagi, i përjashtuari i madh në ndeshjet e fundit: "Shpjegimet për vendimet e marra vijnë natyrshëm. Gjithmonë mundohem që të flas me futbollistët dhe t‘i argumentoj zgjedhjet teknike. Marrëdhëniet me grupin janë të mira, jam treguar gjithmonë e sinqertë, jo vetëm me Inzagin, por me të gjithë. Ruajtja e ekuilibrave nuk është asnjëherë e thjeshtë, por jam i qetë për sa u takon marrëdhënieve me lojtarët". Njëri prej të pakënaqurve është Xhenaro Gatuzo. Së fundmi është përfolur se mesfushori mund të transferohet në Angli, ku Çelsi dhe Mançester Siti kërkojnë shërbimet e tij. "Me Gatuzon nuk ekziston asnjë problem. Ne flasim shpesh: aktualisht lojtari është i dëmtuar dhe të gjithë i urojmë që të rikuperohet sa më shpejt. Nëse ai ka ndonjë problem, këtë do ta shqyrtojmë në momentin e duhur. ‘Ringio‘ ka marrëdhënie të shkëlqyera me mua dhe me klubin, mund të diskutojmë pa probleme rreth çdo teme", tha tekniku brazilian.