E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa, "big"-ët në provën e forcës

Kupa e Shqipërisë rikthehet me takimet e turit të dytë eliminator. Edhe pse në letër duket se skuadrat kryesore duken më të favorizuara, një gjë e tillë nuk mund të thuhet me siguri, për vetëm formën që ato po kalojnë. Pavarësisht kësaj, trofeu i dytë për nga rëndësia në vend është një shans i mirë për klube si Besa, Tirana, Vllaznia apo edhe Flamurtari, që të hedhin pas shpine rezultatet zhgënjyese në kampionat. Tirana, "koka e serisë" në Grupin A, paraqitet mes njëmijë e një problemeve në Lushnjë: nga humbja në Laç, te diferenca prej 12 pikësh me Dinamon kryesuese dhe së fundmi me "grupet armiqësore", që shfaqen në radhët e skuadrës, sa herë që bardheblutë nuk marrin rezultatet e dëshiruara në fushë. Takimi në "Roza Haxhiu" mund të shërbejë për të sjellë më pas qetësi në radhët e 24-herë kampionëve, pasi "lagunarët" pritet të hedhin në fushë lojtarët e rinj. Në Lushnjë janë të përqendruar te ngjitja në elitë dhe për këtë arsye ata nuk do të shpenzojnë forca në Kupë. Gjithsesi, skuadra e drejtuar nga Alban Tafaj e di se nuk i lejohet një tjetër figurë e keqe si ajo e turit të parë, ku humbën 3-1 në fushën e Luzit. Në Ballsh zhvillohet dueli ndërmjet skuadrave që po dominojnë dy kampionatet respektive: Dinamo kryesuese në Superiore luan me Bylysin, që udhëheq klasifikimin e Kategorisë së Parë. Skuadra e drejtuar nga Ilir Spahiu do të jetë një tjetër test i vështirë për blutë e drejtuar nga Shkëlqim Muça, që me diferencën në kampionat mund t‘i përkushtohen pa frikë edhe Kupës. Një tjetër ndeshje, që parashikohet emocionuese dhe me shumë të papritura, do të jetë ajo ndërmjet Kastriotit dhe Shkumbinit. Pavarësisht barazimit në fushën e tyre me Flamurtarin, krutanët po kalojnë një formë të jashtëzakonshme fizike dhe këtë e tregojnë në fushë: nuk humbasin prej shtatë javësh (më shumë se dy muaj kalendarikë). Edhe peqinasit janë në zonën e mesit të tabelës, megjithëse kanë paraqitur ulje dhe ngritje në rezultate. Ndeshja e katërt e Grupit A është ajo ndërmjet Laçit dhe Besës. Laçianët zbresin euforikë në fushë prej fitores së fundjavës me Tiranën, ndërsa kavajasit e Shpëtim Duros janë në emergjencë në fazën ofensive. Ky mund të jetë rasti ideal për Xhafajn e Mancakun, që të zhbllokohen dhe t‘u japin verdhezinjve golat e shumëpritur.
Në Grupin B, Vllaznia udhëton drejt Kamzës. Triumfi i fundjavës me Gramozin i ka dhënë pak frymëmarrje skuadrës së Roland Luçit, por kundërshtari i Kupës nuk mund të nënvlerësohet. Shkodranët duhet të jenë të kujdesshëm nëse pretendojnë të lajnë "mëkatet" e kampionatit, pasi kamzalinjtë janë një skuadër e ndërtuar me objektivin për t‘u ngjitur në Superiore dhe kanë lojtarë mjaft cilësorë. Disi më e balancuar sfida Partizani-Teuta, me durrsakët që në teori nuk do të sforcohen shumë për t‘u kualifikuar. Në Ersekë ka një përballje ndërmjet dy skuadrave që mbyllin klasifikimin në elitë, me Gramozin që pret Flamurtarin. Takimi i fundit i këtij grupi luhet ndërmjet Skënderbeut dhe Apolonisë. Fierakët kanë triumfuar një herë gjatë këtij sezoni në Korçë (në javën e 6-të), por bardhekuqtë e Haxhiut do të kërkojnë ta "harrojnë" serinë negative në kampionat, ku nuk fitojnë prej dy muajsh e gjysmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›