E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonard Rosenman, modernisti i muzikës së filmit

Një epilog për një njeri të thjeshtë e fisnik që i dha shumë muzikës së filmit. Nuk u bashkua asnjëherë me servilizmin kundrejt regjisorëve të njohur të kohës duke vënë në dukje "nivelin skandaloz të injorancës muzikore dhe mungesën serioze të shijes në muzikë prej tyre"


Takimi me Leonard Rosenman-in ndodhi në pranverë të vitit 2003. Ishte diçka e cila erdhi krejt papritur. Një profesor i imi i kompozicionit në USC, George Burt, më thotë një ditë që ta prisja mbas mësimit sepse kishte diçka për të më thënë, më pas më ofroi mundësinë që të takohesha me Leonardin çdo javë për të kaluar kohë me të.

Leonardi vetë, ish-profesor në USC, donte të vazhdonte lidhjet me studentë të caktuar për të diskutuar mbi muzikën, muzikën e filmit dhe filmin në përgjithësi.

Pasi përmenda emrin e tij nja dy-tre herë, për t'u siguruar që s'po keqkuptoja emrin e kompozitorit për të cilin bëhej fjalë, pa menduar gjatë pranova atë çfarë po më ofrohej. Për vetë krijimet dhe veprat që lidheshin me emrin e Rosenman-it u ndjeva shumë i emocionuar që do të takoja një personalitet të tillë të fushës.


Duke udhëtuar për në shtëpinë e tij nëpër kodrat e Hollivudit, duke parë vilat e atyre që kanë bërë histori në artin e shtatë, më shkonte nëpër mend krijimtaria e lexuar dhe e studiuar nëpër libra e partitura e një kompozitori si ai që mbas pak unë do të kisha rastin unik të takohesha nga afër, takim i cili u kthye në një miqësi në vitet në vazhdim.


Leonard Rosenman-i u lind në Brooklyn, Nju Jork më 1924. Lufta e Dytë Botërore e gjen të inkuadruar me Forcat Ajrore të SHBA-së në zonën e Paqësorit. Në moshë shumë të re ai fillon studimet në piano duke vazhduar më pas me diplomimin në kompozicion në University of California, Berkeley.


Nxënës i Arnold Schoenberg-ut dhe Roger Sessions ai fiton një bursë për të studiuar kompozicion në Tangleëood nën drejtmin e kompozitorit italian Luigi Dallapiccola. Gjatë këtyre viteve u formua si një kompozitor bashkëkohor duke përqafuar serializmin si sistemin më shprehës për kompozimet e tij.


Duke vazhduar në rrugën e Alban Berg-ut dhe Anton Webern-it, Leonardi fillon karrierën në Neë York duke shkruar muzikë dhome, për instrumenta të ndryshëm si dhe për teatër. Mik dhe koleg me kompozitorët ikonë amerikanë Aaron Compland dhe Leonard Bernstein, ai ishte dhe pianist i zoti, dhunti të cilën e përdori për performanca si instrumentist dhe profesor pianoje.


Gjatë një bashkëpunimi me dramaturgun Hoëard Sackler, bashkëpunon dhe me aktorin kryesor të kësaj pjese teatrale, James Dean. Ky i fundit e kishte parë të luante piano në një eveniment në Nju Jork. Ashtu siç kujton dhe Leonardi:

"Disa muaj më vonë, në orën 11 të natës më bie zilja e derës. Shoh një djalë që s'më kujtohej ku e kisha njohur i veshur i gjithi me lëkurë, nga ato që veshin motorçiklistët. I thashë, çfarë mund të bëj për juve? Dhe ai më thotë, "Dua të studioj piano me ty"."

Kjo njohje ishte instrumentale në ndryshimin e karrierës së Leonardit, nga kompozitor i muzikës koncertale në kompozitor muzike filmi. Miqësia me James Dean-in u zhvillua shumë shpejt.

Edhe njohja me regjisorin Elia Kazan u realizua nëpërmjet Dean-it. Kur ky u zgjodh për rolin kryesor të Caleb Trask-ut në "East of Eden", i prezanton dhe Kazan-i pasi ndoqi një koncert me pjesë te Rosemnamn-it, vendosi ta angazhojë si kompozitor të filmit, megjithëse s'kishte shkruar asnjëherë muzikë për film.

Ftesën për t'u kthyer në Kaliforni, Rosenman-i e priti jo me shumë entusiazëm, por vendos më në fund të lëvizë për në Hollywood për të shkruajtur muzikën e këtij filmi.


Si kompozitor i frymëzuar nga estetika e shkollës së dytë vjeneze e përfaqësuar nga Alban Berg-u, Leonardi do të përdorë atë mënyrë të kompozuari, e cila bazohej mbi ekspresionin post-romantik dhe më vonë mbi atë të teknikës kompozicionale të serializmit 12-tonësh apo të totalit kromatik.

Ky lloj shkrimi dëgjohet në shumë nga kolonat muzikore të Rosenman-it, me një intensitet Berg-ian, i cili përkufizon një ndarje të qartë me teknikat dhe kompozimet e stilit romantik nga gjenerata paraardhëse e kompozitorëve të filmit në Hollyëood, siç ishin Max Steiner-i dhe Eric Korngold-i.


Në muzikën e "East of Eden" (1955) motivet melodike zhvillohen duke kombinuar stilin, teknikat dhe timbrin e quajtur "americana" me një dizonancë e stilit të Schoenberg-ut. "Frikës" së Elia Kazan-it se mos ai nuk mund të shkruante një temë muzikore të thjeshtë, duke qenë se ai ishte kompozitor i një muzike shumë komplekse, Leonardi i përgjigjet me kompozimin e temës kryesore të filmit, atë të dashurisë, "në 7 minuta e gjysmë ekzakt" siç është shprehur ai vetë. Kjo gjë e bindi Kazan-in se kishte gjetur kompozitorin e duhur.


"Me një fjalë, e gjej veten në ditën e parë në shesh-xhirim në Mendocino të Kalifornisë, duke pasur që në atë moment ide muzikore në kokë për skenat që do të xhiroheshin" kujton Leonardi. "I luaja Elias në piano përditë idetë muzikore dhe diskutonim këtë material se si do të aplikohej në skenat për të cilat flisnim.

Kështuqë, kur filmi ishte në një version provizor montimi dhe muzika ishte në një formë provizore. Kur filmi u kompletua, muzikës i nevojitej vetëm orkestrimi, më pas ne vetëm sa e incizuam."


Filmi i mëpasmë "Rebel Without a Cause" (1955) me regjisor Nicholas Ray, demonstroi se një zë i ri kishte ardhur në Hollivud. Më pas, producenti John Houseman e angazhon për muzikën e dramës "The Cobëeb" (1955). Megjithë protestën kundër angazhimit të Rosenman-it si kompozitor i filmit nga departamenti i muzikës i studios prodhuese (MGM), ai kompozon muzikën e cila rezulton të jetë kolona e parë muzikore e bazuar në totalin kromatik (12 tonëshin) e përdorur në një film të prodhuar nga një studio e madhe në Hollyëood (MGM).


Leonardi përdori avant-gardizmin në kompozicion për filma si "Edge of the City" (1956) të Martin Ritt dhe "The Young Stranger" (1957) të John Frankenheimer. Por, teknika tonale kompozicioni të muzikës së filmit u përdorën prej tij në filma me subjekt luftën, si "Lafayette Escadrille" (1958) me regjisor Ëilliam Ëellman, dhe "Pork Chop Hill" (1959) me regjisor Leëis Milestone.


Teknika origjinale të konceptimit kompozicional dëshmohen dhe në punët e tij të mëvonshme, sidomos në filmin me regjisor Richard Fleischer "Fantastic Voyage" (1966), në të cilën me një stil impresionizmi e me një mënyrë brilante, ai bashkërendit teknika dhe hapësira sonore shumë të veçanta, nga përdorimi i efekteve të instrumentave të kontrabasit apo në tinguj misteriozë të inkorporuar dhe të asociuar me ngjarje specifike në ekran. Këto janë elementë në kontrast me teknikat e përdorura në projekte të tjera, siç ishin ato të aplikuara në filmin e titulluar "A Man Called Horse" (1970), ku muzika e indigjenëve amerikanë është pjesë integrale e kolonës muzikore.


Duke shkruar muzikën për filmin televiziv "Sybil" (1976), Rosenman-i eksperimentoi mikrotonalitetin duke përdorur dhe një ansambël origjinal të kompozuar nga një seksion harqesh, dy harpa, dy piano të akorduara në një të katërtën e tonit, 4 zëra fëmijësh dhe disa elemente elektronikë.

Menjëherë pas kësaj, ai përdor teknika dhe mikrotonalitete të ngjashme në pjesën e tij kocertale "Koncert në tre pjesë për Kontrabas dhe Orkestër." Muzika për këtë film i dha çmimin Emmy, i pari nga dy të tillë që ai do të fitonte.


Filmat "sci-fi" dhe ata me subjekt "fantastiko-shkencor" ishin zhanri perfekt për aplikimin e ideve, origjinalitetit e eksperimentimit muzikor të Rosenman-it. Pjesa korale e çuditshme "Requiem për Bombën e Shenjtë" në filmin "Beneath the Planet of the Apes" (1970); "Marshe të frikshëm e skena energjike lufte" në muzikën e nominuar për "Golden Globe" në filmin e Ralph Bakshi-t "The Lord of the Rings" (1978); fuga në stilin e Bahut e inkorporuar në muzikën e nominuar për çmimin Oskar në filmin "Star Trek IV: The Voyage Home" (1986), janë shembuj për një konceptim jashtë formulave të zakonshme të aplikuara në Hollywood në ato vite.


Edhe kolonat muzikore më "normale" për nga konceptimi të Rosenman-it ishin të jashtëzakonshme për nga rezultati, siç ishin muzika e nominuar për çmimin Oskar e filmit të titulluar "Cross Creek" (1983) me regjisore Marjorie Kinnan Raëlings dhe ajo, e cila i dha dhe çmimin e dytë Emmy, e kompozuar për filmin televiziv "Friendly Fire" (1979).
Leonard Rosenman është dy herë fitues i çmimit Oskar, më 1975 dhe 1976. Për ironi, i fitoi duke adaptuar muzikën e kompozitorëve Hendel dhe Shubert për filmin e Stanley Kubrick-ut "Barry Lyndon," dhe këngët popullore të Woody Guthrie-it për filmin "Bound for Glory" me regji të Hal Ashby-it.

Është historike fjalia e thënë prej tij gjatë pranimit të çmimit Oskar më 1976, "unë shkruaj muzikë orgjinale gjithashtu, e dini ju"?


Rosenman-i shkruajti muzikë dhe për shumë programe televizive duke përdorur herë pas here nga fanfara tunxhi triumfale si në "The Defenders" (1961), në muzikë komplekse të stilit të Ligeti-t për dramën "Combat!" (1962), dhe për 7 sezonet e serialit të Robert Young-ut "Marcus Ëelby, M.D.", i cili filloi më 1969.


I fundit ishte "Jurij" (2001), një film italian me subjekt jetën e një violinisti të ri, me regjisor Stefano Gabrinin, ku adaptimi i "Ciaccona në Sol Minor" e Tommaso Vitali-t shërben si bazament për zhvillimin e kolonës muzikore të filmit, e cila shndërrohet në një kombinim i "tonalitetit" me dizonancën e bazuar në serializëm e paraqitur nga ana e violinës solo.
Rosenman-i nuk u bë asnjëherë i preferuar i Hollivudit dhe kompozoi në drejtimin dhe estetikën krijuese që i kishte dhënë vetes.

Ai nuk u bashkua asnjëherë me servilizmin kundrejt regjisorëve dhe producentëve të njohur të kohës duke vënë publikisht në dukje në raste të caktuara "nivelin skandaloz të injorancës muzikore dhe mungesën serioze të shijes në muzikë prej tyre", duke iu bashkuar kështu me këtë qëndrim kompozitorëve të tjerë si David Raksin dhe Bernard Herrmann.


Megjithatë, Rosenman-i mundi të bënte që zëri i tij të dëgjohej duke e përdorur në të njëjtën kohë filmin si një laborator eksperimental për zhvillimin e ideve të avancuara muzikore që do t'i realizonte dhe kompletonte më vonë në muzikën koncertale që ai kurrë nuk e la pasdore.


Më 2 Mars 2009, në përvjetorin e parë të vdekjes së tij (4 Mars 2008), pata rastin të jem i ftuar në një koncert të organizuar nga Katedra e Kompozicionit dhe Orkestra Simfonike e Universitetit të Nju Jorkut, koncert i cili u organizua për të festuar dhurimin e arkivës personale dhe krijuese të Leonard Rosenman-it këtij universiteti nga familja dhe e shoqja e tij Judie Rosenman.


Ishte një përmbyllje, një "rënie perdjeje" perfekte për një kompozitor legjendar, dhe mbi të gjitha një epilog për një njeri të thjeshtë e fisnik që kaq shumë i dha muzikës së filmit. Një kadencë finale që Leonardi do ta dëshironte si jo gjë tjetër, pasi deri në minutat e fundit ai fliste për vitet dhe krijimtarinë e tij në Nju Jork dhe për premierën e parealizuar të simfonisë të përmasave të stërmëdha "The Dinosaur Symphony," që ai aq shumë dëshironte ta dëgjonte të luajtur në qytetin ku çdo gjë filloi për të.


Tashmë, e gjithë vepra dhe krijimtaria e tij ndodhet në duart e kompozitorëve të rinj njujorkezë, e hapur për të gjithë dhe e ruajtur në arkivën e një prej universiteteve më të famshëm të botës.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›