Informimi për qytetarët, replika Topi-Alibeaj
Kreu i shtetit tha se mungon transparenca e të dhënave për pronat. Kundërshton Alibeaj
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, lëshon kritika ndaj administratës publike për mungesën e informimit ndaj qytetarëve, veçanërisht për çështjen e pronave. Në Konferencën Europiane për Lirinë e Informacionit, që zhvilloi dje punimet në Tiranë, Presidenti i Republikës ka deklaruar se, ka mjaft zyrtarë burokratë, që sorollatin qytetarët për regjistrimin e pronave.
Për Presidentin e Republikës mungon transparenca e të dhënave për pronat dhe, sipas tij, duhet të ndryshojë mënyra e informimit të qytetarëve, veçanërisht për problemet e pronësisë. "Një nga çështjet më të rëndësishme në Shqipëri, me së cilës jemi përballuar shumë në periudhën e tranzicionit dhe që vazhdojmë të përballohemi, është çështja e së drejtës së pronës.
Në mjaft raste, qytetarët janë të painformuar, nuk gjejnë aksesin e duhur për t'u informuar, shpeshherë këto veprime administrative, edhe nga punonjës të rëndomtë të administratës, bëhen në konspiracion pikërisht për të realizuar qëllime të errëta të tjetërsimit të pronës, dhe në mjaft raste ky debat zhvillohet në media",- tha Topi gjatë fjalës së mbajtur në punimet e konferencës.
Por, konstatimi i Presidentit të Republikës është kundërshtuar nga ministri i Drejtësisë Enkeled Alibeaj, edhe ky i fundit i pranishëm në Konferencën Europiane për të Drejtën e Informimit. Sipas Alibeajt, nuk ka pengesa nga institucionet për informimin e qytetarëve dhe kjo situatë është përmirësuar ndjeshëm në vitet e fundit.
Ai shtoi se qytetarët duhet të njohin mirë dhe legjislacionin që u jep atyre akses në informacionet e administratës, duke kërkuar informacion me kërkesë të rregullt ligjore.
Çështja e informimit të publikut është prekur dhe nga Avokati i Popullit, Ermir Dobjani. Për këtë institucion, informacioni që marrin qytetarët nga zyrtarët e institucioneve të ndryshme është i pamjaftueshëm, po t'i referohemi nevojës që ka publiku për informim.
Për të krijuar një akses më të madh të publikut në informacionin e administratës publike, Avokati i Popullit Ermir Dobjani kërkon dhe mënyra të tjera të informimit, krahas atyre që njihen deri më sot. Kështu, zhvillimi i aktiviteteve të hapura me qytetarët dhe median, në mënyrë të tillë që vetë qytetarët të përzgjedhin informacionin që e shikojnë më të dobishëm, shihet si një mënyre për të krijuar më shumë hapësira për qytetarët.
Sipas institucionit që mbron të drejtat e qytetarëve për t'u informuar, të gjithë duhet të kenë akses në burimet e të dhënave me interes të përgjithshëm, të disponuara nga administrata publike.
Për më tepër, transparenca e institucioneve nënkupton që, qytetarët të kenë mundësi të njihen edhe më të dhënat që kanë të bëjnë me ata vetë ose me interesat e tyre.
Avokati i Popullit e shikon të rëndësishëm rolin që ka ky institucion për të ndihmuar qytetarët që të kenë një akses sa më të gjerë në administratën shtetërore.
"Për lirinë e informimit, zyra e Avokatit të Popullit mund të bëjë vërtetë shumë, mbi të gjitha, për të çrrënjosur kompleksin e frikës së nëpunësve që hezitojnë të japin informacion nga dhe për punën e tyre.
Kjo realizohet duke u dalë në mbrojtje të gjithë atyre zyrtarëve që u kërcënohet vendi i punës nga shefat përmes gogolit të ruajtjes së sekretit shtetëror", - tha Ermir Dojani në punimet e konferencës Europiane për Lirinë e Informacionit.