Inflacioni, në nivelet më të ulëta në dy vite
Muaji shkurt ka shënuar inflacionin më të ulët në dy vitet e fundit. Edhe pse çmimet mujore kanë pësuar një rritje të lehtë prej 0.7 përqindësh me muajin janar, në muajin shkurt inflacioni arriti në 1.9%, nivel që nuk ishte arritur që nga muaji maj i vitit 2007. Çmimet e mallrave dhe disa shërbimeve, pësuan një rritje të lehtë gjatë muajit shkurt, duke ndikuar në rritjen inflacionit në vend. Instituti i Statistikave raporton se çmimet e produkteve ushqimore dhe pijeve jo alkoolike kanë pësuar një rritje prej 1.6%. Çmimet e produkteve dhe shërbimeve bazë të përfshira në shportë, kanë pësuar një rritje të lehtë prej 0.7 përqindësh krahasuar me muajin e parë të këtij viti. Për muajin shkurt të këtij viti, treguesi i çmimeve të konsumit arriti në 1.9%, nga 3.6% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2008. Sipas raportit mujor, çmimet e zarzavateve pësuan një rritje nga 8 deri në 30% gjatë këtij muaji, ndërsa frutat një rritje prej 5%. Përveç rritjes, gjatë muajit shkurt, çmimet te disa produkte ushqimore, si produktet e bulmetit, pësuan një ulje fare të pandjeshme, prej 0.3%, ndërsa pijet alkoolike një rritje të lehtë prej 0.2%. Instituti i Statistikave raporton se, gjatë këtij muaji, çmimi i naftës dhe benzinës pësuan një ulje respektivisht prej 1.5 dhe 1.6%, por kostoja e transportit është rritur. Kështu, çmimet në transport janë rritur lehtë, me 0.3 për qind krahasuar me muajin janar.