Interneti i shërben jetës, nuk e zëvendëson atë
Nga Doriana Metollari
Kultura jonë po bëhet gjithnjë e më shumë e hapur dhe njohëse e botës ku jetojmë falë internetit. Njerëzit shkëmbejnë vlera, ide, lidhin interesa pune dhe e gjitha kjo duhet t’i kompletojë ata, jo t’i izolojë siç kam parë disa herë.
Njeriu ka nevojë dhe për shumë interesa të tjerë, që nuk janë as vetëm interneti, as vetëm televizioni apo çdo gjë tjetër e marrë “vetëm”. Ju propozoj përdorimin e të gjithave bashkë në sasinë që ju duhet ju, jo atyre.
Tani po flas hapur. Nëse kur ndez televizionin të zë koka dhe ti merr një aspirinë e vazhdon ta shohësh prapë, është një sinjal i fortë pasiviteti nga trupi yt dhe mbase ka ardhur koha ta dëgjosh.
E njëjta gjë dhe për internetin. Nëse Facebooku bëhet jeta jote, do të thotë se jetën tënde ende nuk e ke zbuluar krejtësisht. Shërbimet që të ofron interneti apo çdo mjet tjetër janë kaq të shumta sa po t’i përdorësh pak nga të gjitha, fillon të përmirësosh cilësinë e jetës, por po i besove vetëm njërës për t’u kompletuar, ke izoluar pjesën tjetër dhe nuk është mirë.
Dua të merrem me secilin prej jush, duke filluar nga shtëpiaket. Në çdo rast ke mundësi të zgjedhësh dhe të zgjedhësh do të thotë, të distancohesh nga ajo që po bën dhe të dëgjosh sinjalet brenda dhe jashtë teje.
Shpesh herë janë njerëzit që i japin një kuptim krejt të gabuar jetës së vet, vetëm sepse nuk shkëputen dot nga pasiviteti. Nëse pyet këdo përse të shërbeu X telefilm, nuk do të dinë me siguri të përgjigjen, sepse nuk e kanë kuptuar as vetë, përveç një dëshire të brendshme që kanë për t’u përmirësuar dhe një mungese vullneti për ta bërë vërtet.
E njëjta gjë dhe për internetin. Është një formë për tu lidhur me njerëzit por nuk zëvendëson ata dhe as jetën. Nëse nuk e përdor me një qëllim që në vetvete është aktiv, dikush tjetër vjen e të merr orët e tua për interesa ekonomike. Ty çfarë të lë ? Një boshllëk pakënaqësie që në të vërtetë nuk ekziston, e ke krijuar vetëm në kokën tënde. Mendoje dhe një herë !
*Drejtore e HermesNews