E Hënë, 2 Nëntor 2026

Leopold Von Ranke në shqip, antologji e përkthyer nga historiani Xherardo Nikjari

Një pjesë e shkrimeve më të rëndësishme të historianit gjerman Leopold Von Ranke janë përmbledhur së fundmi në një botim antologjik, i përkthyer në shqip nga historiani shkodran Xherardo Nikjari.

Ranke, i njohur si themeluesi i departamentit të parë modern të historisë në shekullin XIX në Universitetin e Berlinit, mbetet një figurë kyçe për mënyrën se si historia studiohet dhe shkruhet sot.

“Është një libër i vëllimshëm, i cili nuk ka vetëm shkrimet analitike të Leopold von Ranke-s, që lidhen me procesin e historishkrimit, por ka edhe ekstrakte nga vepra të tjera madhore të tijat,” tha përkthyesi, z. Nikjari.

Redaktorja e librit është poetja Ledia Dushi, njëkohësisht drejtuese e Bibliotekës publike “Marin Barleti”, ndërsa për rëndësinë e këtij botimi u shpreh edhe pedagogia e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Nertila Ljarja.

“Është një prekje e re, një element i ri, që është pjesë e një dëshmie historike të kahershme,” u shpreh redaktorja e librit, znj. Dushi.

“Është një punë shumë e mirë e Xherardos, që pritej nga ai, pasi ka qenë gjithmonë një punëtor shumë i zellshëm. Jemi shumë krenarë për Xherardon,” deklaroi Prof. Dr. Ljarja.

Ky është libri i nëntë i përkthyer nga z. Nikjari, i cili ka sjellë në gjuhën shqipe një sërë veprash të autorëve klasikë të historiografisë botërore.

Botimi pritet t’u shërbejë në mënyrë të veçantë studentëve të degës së historisë në rrugëtimin e tyre akademik.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›