E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidenti Herzog dekoron kryeministrin Rama me Medalje Nderi për “miqësinë e pathyeshme me popullin hebre”

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, i akordoi të dielën kryeministrit Edi Rama, Medaljen Presidenciale të Nderit, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e tij për Izraelin pas Masakrës së 7 Tetorit, për qëndrimin e guximshëm kundër antisemitizmit dhe për miqësinë e qëndrueshme me popullin hebre.

Ceremonia u krye në rezidencën e presidentit izraelit, ku kryeministri Rama shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Linda Rama. Dy liderët zhvilluan një takim diplomatik me fokus zhvillimet rajonale dhe nevojën urgjente për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtur në Gazë.

“Jam krenar t’ju dhuroj Medaljen Presidenciale të Nderit – dekorata më e lartë civile në Izrael. Kjo medalje u jepet individëve që ndriçojnë botën me lidership të jashtëzakonshëm, qartësi morale, vlera demokratike dhe për miqësinë e pathyeshme me popullin hebre dhe me shtetin e Izraelit. Kur erdhi koha për t’i kthyer fjalët në vepra, ju i bëtë ballë kësaj sfide me guxim. Në orën tonë më të errët, pas sulmit të tmerrshëm të Hamasit ndaj Izraelit – sulmi më i kobshëm ndaj popullit hebre që nga Holokausti – ju refuzuat t’i dorëzoheshit presionit ndërkombëtar. Ju i qëndruat busullës tuaj morale dhe shprehët miqësinë e thellë dhe mbështetjen jetike për Izraelin.

Sipas traditës hebraike, bota qëndron mbi tri shtylla: drejtësia, e vërteta dhe paqja. Unë besoj se këto vlera – dhe ekuilibri midis tyre – përcaktojnë lidershipin tuaj dhe lidhjen e veçantë midis kombeve tona. Le të mbetet miqësia midis Shqipërisë dhe Izraelit një simbol i vullnetit të mirë në këto kohë të errëta, duke na kujtuar të gjithëve se integriteti dhe guximi janë gjithmonë zgjedhje – dhe se një e ardhme më e sigurt dhe e paqtë është e mundshme,” tha presidenti Herzog.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha: “Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria u bë strehë për popullin hebre dhe ndryshe po kështu nga vendet e tjera, hebrejtë nuk largoheshin, por erdhën për të gjetur strehë, për të gjetur mbrojtje dhe për të qenë të sigurt. Nuk mundem të mos kujtoj këtu një prej shumë episodeve, të asaj faqeje të lavdishme të historisë sonë, kur të gjithë udhëheqësit fetarë u thirrën nga nazistët për të dhënë qasje për t’i dorëzuar arin shqiptar dhe listën e hebrejve dhe ata menjëherë thane: “Mund ta merrni floririn, po hebrenjtë janë tanët, do t’i mbrojmë”. Dhe ata nuk bashkëpunuan me nazistët dhe askush nuk e bëri këtë. Ka dy hebrenj në listën e personave të internuar në Gjermani nga e gjithë bota, por nuk janë hebrenj në fakt. Janë dy shqiptarë që ishin djemtë e një familjeje shqiptare, që fshehu dy hebrenj dhe kur nazistët shkuan t’i merrnin, i vjetri i shtëpisë u tha, “prisni në derë”, sepse do t’ua dorëzonte, dhe u dorëzoi dy djemtë e tij, që përfunduan në Bergen-Belsen dhe nuk u kthyen kurrë, e nuk thanë kurrë që ata nuk ishin hebrenjtë që supozohej të mbronin.

Historia jonë e Luftës së Dytë Botërore është e mbushur me episode të tilla e në të njëjtën kohë është një dëshmi që unë e ruaj shumë fort në zemër për të gjithë brezin e ardhshëm që ka të bëjë me mbrojtjen e tjetrit, pavarësisht besimit të tij a të saj fetar. Dhe po, Shqipëria është një vend me shumicë myslimane, por kjo ishte një nga arsyet pse nazistët nuk mundën të mbërrinin tek hebrenjtë, sepse myslimanët ishin mburoja e tyre më e fortë.“

Kryeministri Rama theksoi: “Ne shpresojmë fort që në këtë kohë të re, do të jemi në gjendje të ndërtojmë diçka, jo aq të jashtëzakonshme sa ç’bënë gjyshërit e gjyshet tona, por në të njëjtën frymë vëllazërimi e bashkëpunimi, dhe ne qëndrojmë të patundur krah Izraelit, në këtë moment të vështirë e të dhimbshëm, ku ende ka njerëz në bodrumet mesjetare të Hamasit. Siç e kam thënë më parë, dua ta përsëris dhe tani, Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por në këndvështrimin tim e në këndvështrimin tonë, nuk ka zgjidhje me Hamasin aty dhe ndryshe nga ç’janë përpjekur të tjerët të thonë, Hamasi nuk është lëvizje rezistence. Hamasi janë nazistët e shekullit të ri. Historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe, me nazistët nuk ka kompromis.“

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama pas nderimit nga Izraeli me Medaljen Presidenciale të Nderit

Zoti President, e kam posaçërisht vështirë të gjej fjalët. Duke u përballur edhe me një surprizë të tillë, nuk kam një fjalë këtu me vete, kam vetëm disa pika diskutimi.

Kështu që do të përpiqem të them disa fjalë zemre, duke e filluar me një mendim shumë të sinqertë, që ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar, e mbi të gjitha, në emër të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë, të cilët vunë veten e jetët në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne dhe e kthyen vendin tim në të vetmin vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrej sesa në fillim të saj.

Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria u bë strehë për popullin hebre dhe ndryshe po kështu nga vendet e tjera, hebrejtë nuk largoheshin, por erdhën për të gjetur strehë, për të gjetur mbrojtje dhe për të qenë të sigurt. Nuk mundem të mos kujtoj këtu një prej shumë episodeve, të asaj faqeje të lavdishme të historisë sonë, kur të gjithë udhëheqësit fetarë u thirrën nga nazistët për të dhënë qasje për t’i dorëzuar arin shqiptar dhe listën e hebrejve dhe ata menjëherë thane: “Mund ta merrni floririn, po hebrenjtë janë tanët, do t’i mbrojmë”. Dhe ata nuk bashkëpunuan me nazistët dhe askush nuk e bëri këtë.

Ka dy hebrenj në listën e personave të internuar në Gjermani nga e gjithë bota, por nuk janë hebrenj në fakt. Janë dy shqiptarë që ishin djemtë e një familjeje shqiptare, që fshehu dy hebrenj dhe kur nazistët shkuan t’i merrnin, i vjetri i shtëpisë u tha, “prisni në derë”, sepse do t’ua dorëzonte, dhe u dorëzoi dy djemtë e tij, që përfunduan në Bergen-Belsen dhe nuk u kthyen kurrë, e nuk thanë kurrë që ata nuk ishin hebrenjtë që supozohej të mbronin.

Historia jonë e Luftës së Dytë Botërore është e mbushur me episode të tilla e në të njëjtën kohë është një dëshmi që unë e ruaj shumë fort në zemër për të gjithë brezin e ardhshëm që ka të bëjë me mbrojtjen e tjetrit, pavarësisht besimit të tij a të saj fetar. Dhe po, Shqipëria është një vend me shumicë myslimane, por kjo ishte një nga arsyet pse nazistët nuk mundën të mbërrinin tek hebrenjtë, sepse myslimanët ishin mburoja e tyre më e fortë.

Në përpjekje për të ndërtuar mbi këtë histori, ne bëjmë gjithçka mundemi që të ngrëmë zërin kundër antisemitizmit. Ne kemi miratuar të gjithë legjislacionin kundër antisemitizmit dhe kemi promovuar mësimin mbi Holokaustin hebre, duke integruar atë në kurrikulën tonë shkollore, sepse është bindja jonë e palëkundur që kjo s’ka të bëjë me hebrenjtë. Kjo ka të bëjë me humanizmin tone. Nga ana tjetër, ndërkohë që flasim, po ndërtojmë dy qendra hebreje; një muze hebre në Vlorë, aty ku ishin vendosur hebrenjtë, dhe një qendër kulturore hebreje në Tiranë, ku edhe njëherë historia e shpëtimit të hebrejve është e integruar, por në të njëjtën kohë duam t’i japim hapësirë së tashmes e së nesërmes, e duam që sa më shumë të jetë e mundur të kemi marrëdhënie me Izraelin dhe me popullin hebre, qysh nga niveli i turistëve që ju përmendet. Më vjen keq për ta, sepse fluturuan në Shqipëri më 2 prill. Iu ishte thënë më 1 prill dhe kryeministri iu dha një darkë dhe ata menduan që ishte një shaka nga Sundori. Nga ky nivel pra, deri tek niveli i shkencëtarëve tuaj të mrekullueshëm dhe njerëzve të mrekullueshëm të teknologjisë e industrive tuaja të mrekullueshme.

Dua ta përsëris këtu, që, ashtu siç ka qenë, jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, por tre herë në histori, – tokë ku hebrejtë gjetën strehë e mbrojtje, – Shqipëria do të jetë gjithmonë shtëpia juaj e dytë dhe ju do të jeni gjithmonë të mirëpritur në Shqipëri.

Ne shpresojmë fort që në këtë kohë të re, do të jemi në gjendje të ndërtojmë diçka, jo aq të jashtëzakonshme sa ç’bënë gjyshërit e gjyshet tona, por në të njëjtën frymë vëllazërimi e bashkëpunimi, dhe ne qëndrojmë të patundur krah Izraelit, në këtë moment të vështirë e të dhimbshëm, ku ende ka njerëz në bodrumet mesjetare të Hamasit.

Siç e kam thënë më parë, dua ta përsëris dhe tani, Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por në këndvështrimin tim e në këndvështrimin tonë, nuk ka zgjidhje me Hamasin aty dhe ndryshe nga ç’janë përpjekur të tjerët të thonë, Hamasi nuk është lëvizje rezistence. Hamasi janë nazistët e shekullit të ri.

Historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe, me nazistët nuk ka kompromis.

Duke ju uruar çdo të mirë juve, popullit të Izraelit, gjithë rajonit, e duke pritur me padurim të shoh paqen midis hebrejve dhe arabëve, mbetem vërtetë mirënjohës përgjithmonë, për këtë moment të jetës sime, që jam i sigurt, nuk e meritoj si person, por që jam i sigurt që të gjithë shqiptarët që kanë bërë diçka për hebrenjtë e meritonin këtë moment.

Faleminderit!

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›