Lëreni Kosovën të qetë, tiranë të Tiranës!
Enver Robelli
Në Shqipëri tashmë ka filluar fushata zgjedhore. Për të zhvendosur vëmendjen nga dështimet e mëdha, nga krimi e korrupsioni, qeveria e kryeministrit Sali Berisha po përdor kartën e populizimit dhe nacionalizimit të nëntokës, duke trumbetuar “bashkim me Kosovën”. Kjo politikë i bën dëm Kosovës dhe nuk i zgjidh problemet e Shqipërisë. Në prag të pesë vjetorit të realizimit të ëndrrës së madhe, pavarësisë së saj, Republika e Kosovës gjendet në fokus të politikës së brendshme të një shteti fqinj - Shqipërisë. I frikësuar se mund të humb pushtetin (gjë që në një vend demokratik do të ishte një zhvillim krejt normal) Sali Berisha, kryeministër i një shteti me skenë politike jonormale, po përpiqet me ngulm që Kosovën ta bëjë temë debati në fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Duke e ditur se një pjesë e madhe e kosovarëve kanë një ndjeshmëri të veçantë për shtetin shqiptar, Berisha pothuaj për çdo ditë gjuan në opinion “propozime atdhetare”: pasaporta për të gjithë shqiptarët, kampionat të përbashkët futbolli, “hapësirë unike të valëve” të transmetimit për mediet e Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas etj. Të gjitha këto britma atdhetare do të harrohen pas 23 qershorit. Shqipëria mund t’u japë pasaporta shqiptarëve përtej kufijve të saj, por kështu ajo do të rrezikojë liberalizimin e vizave për hapësirën e Schengenit. Me deklarimet e tij të fundit Berisha po e trajton Kosovën si diasporë, por Kosova nuk është diasporë e Shqipërisë: Kosova është shtet. Republika e Kosovës nuk mund të shërbejë si terren për allishverishe të politikës së brendshme të Shqipërisë. As nuk duhet të shërbejë si monedhë kusuresh në luftën e pamëshirshme për pushtet mes të ashtuquajturës Parti Demokratike dhe të ashtuquajturës Parti Socialiste. Kosova nuk ka asnjë faj për dështimet e Shqipërisë. Është shumë e qartë se debati i falsifikuar për bashkim me Kosovën është nisur në pamundësi për të zhvilluar debatin më të domosdoshëm sot në Shqipëri: si të çlirohet Shqipëria nga prangat e politikanëve mesjetarë, të cilët prioritet e kanë eliminimin e rivalit politik dhe jo përparimin e vendit.