Lesi: Më 10 maj, kongres për shkarkimin e Ndokës
Zoti Lesi, pas fitores së koalicionit të djathtë, ju deklaruat se nuk ishte zbatuar marrëveshja mes jush dhe PD për postet që duhej të kishte PDK në qeveri. Si qëndron e vërteta e marrëveshjeve për qeverisjen?
Para 3 korrikut 2005, zoti Berisha ishte tepër i interesuar për afrimin e PDK dhe timin në podiumet elektorale, aq më tepër që kishte përballë kryeministrin, Nano, asokohe në një konflikt të egër e publik me mua si botues e politikan. Pas fitores së zgjedhjeve, atëkohë unë fillova të kritikoj ardhjen e Lufter Xhuvelit në bashkëqeverisjen e djathtë dhe u mënjanova nga qeveria, mendoj për këtë fakt, por mundet edhe për hir të pavarësisë sime, të cilën e kam manifestuar me bollëk e nganjëherë duke krijuar armiq politikë shumë të fuqishëm. Mora 3.4 për qind të votave kombëtare, aq sa nuk kishte marrë asnjëherë PDK, por njerëzit që më mbështetën mua, u ndjenë larg bashkëqeverisjes dhe në rrugë, ndaj mendova e rimendova disa herë një zgjidhje praktike; të jepja dorëheqje, në mënyrë që PDK të gjente mënyra për t’u afruar me PD, natyrisht në atë vend që i takonte dhe më pas të zgjeroheshin edhe me tre deputetët përkrahës të zotit Ndoka që vinin nga PDR. Ndodhi ajo që tashmë është publike; unë dhashë dorëheqjen, Nard Ndoka mori drejtimin e PDK dhe kështu filloi përfshirja e PDK, qoftë edhe për hir të numrave, deputetëve.
A ishte lënia e partisë në duart e Nard Ndokës mënyra më e mirë për t'iu afruar qeverisjes?
Në atë kohë mendoja se po, meqenëse ne ishim dy deputetë të PDK dhe ata që erdhën ishin tre. Gjykuam se iu takonte atyre drejtimi, pasi ishin më shumë. Vazhdimimisht e shihja këtë bashkim vetëm në aspektin pozitiv për zgjerimin e forcave demokristiane, pa cenuar bazën tradicionale të trashëguar. Asnjëherë nuk mendoja se mendja diabolike e Ndokës do të mendonte vetëm për përfitime personale e të klanit që do krijonte rreth tij, duke më larguar mua të parin e duke injoruar bazën e gjetur demokristiane.
Në media, PDK e periudhës Ndoka është akuzuar se është një grupim interesash kryesisht korruptive. Ju si e gjykoni këtë akuzë dhe a e kishit parashikuar një situatë të tillë?
Fatkeqësisht, koha e vërtetoi këtë, por unë nuk e kisha parashikuar një gjë të tillë, sepse sa nuk kishte pushtet, Ndoka shfaqte tjetër qëndrim ndaj pushtetarëve dhe abuzuesve me pushtetin, por shumë shpejt, sa mori pushtet, u kthye në të akuzuar jo vetëm nga media, por mbi të gjitha nga mbarë opinioni.
Si e keni gjykuar faktin se Ndoka dhe PDK do të merrnin përsipër Ministrinë e Shëndetësisë, një sektor strategjik dhe mjaft delikat dhe të rëndësishëm njëkohësisht?
Me logjikë politike do të thoja se fusha të tilla si arsimi dhe shëndetësia do të duhej të drejtoheshin nga partia më e madhe në pushtet, pasi janë fushat më të ndjeshme dhe të prekshme nga elektorati. Megjithatë, që në momentin e parë që u diskutua në grup se mund t’i jepej PDK kjo ministri, mendja më shkoi tek emrat e mëdhenj të mjekësisë dhe i kërkova grupit që të propozonim për ministër Mentor Petrelën ose Halim Kosovën, figura që kanë dhënë prova se janë përveç se mjekë shumë të mirë, edhe administratorë po aq të zotë. Drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë nga një prej këtyre emrave, në emër të PDK mendoja se do të ishte një nder për partinë tonë dhe njëkohësisht mendoja se së bashku me z.Ndoka do të kishim më tepër kohë për t’u marrë me drejtimin dhe organizimin e partisë. Por, kur Ndoka tha se do ta merrte vetë postin e ministrit të Shëndetësisë, atëherë kam deklaruar se kjo do të ishte një sfidë personale e zotit Ndoka dhe jo e PDK. Mund t’i referoheni arshivës mediatike dhe do të dalë kështu siç po ju them tani.
Më vonë, ju kemi parë në rolin e akuzatorit ndaj jo vetëm drejtuesve të PDK, por dhe të gjitha partive aleate në qeverisje. Reflektim?
Është në natyrën time ndjenja e kriticizmit ndaj veprimeve a fenomeneve që jo vetëm unë, por në përgjithësi opinioni mbarë i quan të padrejta. Unë nuk kam bërë asgjë tjetër veçse këtë opinion të përgjithshëm e kam përcjellë në parlament. Kam thënë se partitë e vogla i kanë kthyer ministritë në shtojca të administratës partiake, duke ulur ndjeshëm nivelin e profesionalizmit dhe ekspertizës në ministritë përkatëse dhe institucionet që varen prej tyre. Ndërsa akuzat për korrupsion janë thënë, megjithëse nuk iu kanë shkuar akoma deri në fund, edhe nga organet kompetente.
A keni ndonjë akuzë konkrete për këta aleatë, e kryesisht për drejtuesin e PDK? Vetëm pak ditë më parë, një zyrtar i kësaj partie deklaroi se Ndoka nuk ka arsimin e mesëm.
Nëse nuk ka arsimin e mesëm, kjo nuk është vetëm një akuzë, por një fakt skandaloz. Personalisht as nuk e kam çuar nëpërmend se mund të ketë gjëra të tilla brenda parlamentit. Për rastin në fjalë, mendoj se i takon z. Ndoka të vërtetojë të kundërtën, pra të japë fakte bindëse dhe të provuara se e ka kryer shkollën e mesme.
Jeni shprehur se anija qeverisëse po mbytet dhe arsyeja kryesore janë aleatët. A mendoni se zyrtarët e lartë të PD janë të mpleksur në afera korruptive?
Atëherë, siç e kam thënë dhe herë të tjera, partitë aleate kanë një peshë shumë të madhe në qeverisjen e sotme jo vetëm për faktin se qeverisin pjesën më të madhe të administratës publike, por gjithashtu menaxhojnë dhe pjesën më të madhe të fondeve të buxhetit të shtetit. Për vetë faktin se janë parti të vogla, kanë mungesë të burimeve njerëzore të specializuara e si rrjedhojë, duke futur në strukturat drejtuese militantë apo farefis, që në pjesën më të madhe të tyre e kanë mendjen të marrim ç’të mundin, kjo çon në futjen ujë dhe mbytjen e anijes qeverisëse.
Si e gjykoni punën e kryeministrit Berisha? Në skandalin e fundit të Gërdecit u shfaq emri i djalit të tij, ndërsa jo rrallë nëpër media përflitet dhe emri i vajzës së tij. A mendoni se kryeministri po goditet qëllimisht në pikën e tij më të fortë, ndershmërinë, apo ka të vërteta në këtë mes?
Të gjykosh një punë gati trivjeçare do të duhej shumë vend e kohë, sepse nuk mund të përkufizohet vetëm me një fjali. Është e vërtetë se z. Berisha erdhi në pushtet përveç të tjerave, edhe sepse mori një angazhim për luftën ndaj korrupsionit, si dhe duke paraqitur si armë të fortë të tij ndershmërinë dhe kjo do të jetë një sfidë e tij deri në fund të këtij mandati. Vlerësimin më të mirë do t’ia japë elektorati në 2009. Sa për akuzat e fundit, personalisht besoj se drejtësia dhe vetë të implikuarit do të jenë të interesuar për të vërtetën që ta sqarojnë publikisht.
Zoti Lesi, a mendoni se ky është niveli, me të cilin duhet të përfaqësohen politikisht vlerat demokristiane apo socialkristiane të vendit tonë?
Ka më shumë se një vit që unë e kam ngritur zërin, duke theksuar se jo vetëm nuk janë të përfaqësuar demokristianët e vërtetë, por në emër të tyre janë veshur me pushtet gjithfarë lloj njerëzish të të gjitha krahëve, mjafton t’i shkojnë përshtat lidershipit aktual të PDK. Në këtë mënyrë ai mendon të largojë nga partia të gjithë përfaqësuesit e vërtetë të elektoratit demokristian dhe të përdorë vetëm emblemën e tyre për të arritur qëllimet e tij personale të mbijetesës në politike, duke sunduar mbi një grup heterogjen pa identitet.
Pas votimit të fundit të ndryshimeve kushtetuese, ka një krisje në Partinë Demokristiane. A mund të na shpjegoni se ç'po ndodh në këtë parti momentalisht?
Mendoj se aktualisht shumë prej përfaqësuesve tradicionalë të demokristianëve tashmë e kanë kuptuar se partia e tyre është uzurpuar nga një grup njerëzish, të cilët abuzuan në mënyrën më të paskrupullt me besimin e tyre, duke detyruar të largoheshin nga partia një grup i konsiderueshëm që tashmë kemi krijuar LDK, por dhe ata që dëshironin t’i mbesnin besnik siglës së PDK, tashmë e shohin veten të mënjanuar dhe të harruar në shkresat e dikurshme të kësaj partie. Ishte pikërisht ky konkluzion që i mblodhi ata në një tubim, ku vendosën që me datën 10 maj, në përputhje me statusin e PDK me dy të tretat e firmëtarëve të Këshillit Kombëtar, të mbledhin kongresin e jashtëzakonshëm për shkarkimin e kryetarit aktual, z. Ndoka.
Zoti Lesi, ju jeni ndër njerëzit që kanë bërë emër në fushën e gazetarisë, me një prej gazetave më të rëndësishme në vend dhe që mision të saj kishte opozitarizmin ndaj Berishës. A mendoni se media po kryen siç duhet funksionet e saj, kur kryeministri po tregohet shpesh agresiv ndaj saj, duke sulmuar madje dhe nominalisht gazetarët?
Gazeta ku unë kam bërë karrierë ka patur për mision opozitarizmin ndaj çdo pushteti, të djathtë apo të majtë qoftë. Dualizmi ndërmjet pushtetit politik dhe atij të medias ka ekzistuar që me vendosjen e pluralizmit dhe do të vazhdojë gjithmonë. Për hir të së vërtetës, ka mjaft ndryshim nga mënyra e të sjellit të pushtetit të Berishës ndaj medias në mandatin e tij të parë dhe tani. Personalisht, mbetem gjithmonë në krah të gazetarëve dhe i inkurajoj ata në luftën e tyre ndaj fenomeneve negative të pushtetit.
A vazhdoni t'i qëndroni mendimit se Berisha është njeriu që duhet ta drejtojë këtë vend?
Mendoj se Berisha duhet ta drejtojë këtë vend deri në 2009, por jo me këtë kabinet qeveritar që ka paraqitur deri tani.
Kalojmë në një plan tjetër politik. Një nga problemet, prej të cilit ka vuajtur më shumë opozita në kohën kur drejtohej nga zoti Berisha, ishte antiopozitarizmi. A mendoni se kryeministri i është përgjigjur me të njëjtën monedhë, kur kemi të paktën dy momente të rëndësishme, zgjedhjen e presidentit që u realizua falë krisjeve brenda PS, dhe zgjedhjet lokale, kur prapë grupime brenda PS u bënë faktor presioni ndaj kryetarit Edi Rama?
Mendoj se në këtë pikë po luhet e njëjta skemë.
Prej kohësh, në Drejtorinë e Tatimeve qarkullon një urdhër i ministrit Bode, që detyron gazetat që të bëjnë sigurimet e gazetarëve në bazë të numrit të faqeve. Si e gjykoni një gjë të tillë?
Mendoj se kjo është një skemë detyruese e vendosur nga Ministria e Financave, por pa një bazë reale dhe si rrjedhojë, e padrejtë. Sa i takon mbrojtjes së gazetarëve, mendoj se duhet të jenë më aktive shoqatat e gazetarëve ose, nëse ato nuk veprojnë, të shihet mundësia e grupimit të tyre në sindikata dhe pastaj të jenë ato që t’i detyrojnë punëdhënësit për të siguruar gazetarët. Personalisht, do ta kërkoj në interpelancë ministrin për këtë udhëzim jo të bazuar në logjikë e në ligj.
Gazeta “TemA” botoi para pak ditësh një fakt tronditës, sesi kryeministri po “blinte” botuesin e një prej mediave të rëndësishme në vend. A mendoni se ka një tentativë të qeverisë për të korruptuar mediat?
Tentativa të tilla kanë qenë të njohura dhe janë përdorur gjithmonë nga pushtetet. Varet nga misioni që i kanë vënë vetes media të caktuara, për të shfaqur dhe qëndrueshmërinë e tyre ndaj ofertave të mundshme. Fatkeqësisht, sot vërehet se jo vetëm drejtues të mediave, por dhe gazetarë të veçantë janë të njëanshëm në trajtimin e ngjarjeve e fakteve, çka të bën të mendosh se dhe fragmente të ndryshme brenda një mediaje, pa dijeninë e pronarëve të tyre mund të përfshihen në afera korruptive.
Kohët e fundit është shfaqur një përplasje mes dy grupimeve në PD. Përkrahës të presidentit Topi kanë shprehur shpesh kundërshti për nismat e grupit. Pse mendoni se ka ardhur një konflikt i tillë dhe si e parashikoni në të ardhmen zhvillimin e tij?
Ndodh shpesh që, kur partitë janë në pushtet, të krijohen pakënaqësi dhe përçarje. Megjithatë, me atë që është parë deri tani, grupi i PD duket të jetë kompakt, çka tregon se pushteti i njëshit është akoma i fuqishëm në këtë parti. Mendoj se do të jetë pikërisht përcaktimi i zonave elektorale që do të nxjerrë më në pah konfliktet brenda këtij grupimi.
Të ardhurit rishtas, kryesisht nga Perëndimi pranë Partisë Demokratike dhe që kanë marrë detyra kyçe, janë përfshirë menjëherë në vorbulla korrupsioni. Çka ndodhur sipas jush? Janë zgjedhur njerëzit e gabuar, apo sistemi është tepër joshës dhe jashtëzakonisht i vështirë për t’u luftuar?
Mendoj se është spekuluar deri diku me të ashtuquajturit të ardhur nga Perëndimi. Sigurisht, nëse dikush ka punuar në administratën e lartë të shteteve të Perëndimit dhe sjell këtu atë eksperiencë mjaft të nevojshme për administratën tonë, do të ishte i mirëpritur. Gjithashtu, janë të mirëpritur edhe të sapodiplomuarit në Perëndim, por kjo nuk do të thotë se të ardhurit nga Perëndimi janë të imunizuar ndaj aferave korruptive, përkundrazi është vërejtur se ka prej tyre që kërkojnë të pasurohen në mënyrë të menjëhershme aq më tepër në një terren si ky i yni dhe kjo mund t’i bëjë ata që të përfshihen lehtë në korrupsion.
Zoti Lesi, të flasim pak për ngjarjen e hidhur të Gërdecit. Në bazë të publikimeve, por dhe të informacioneve që mund të keni patur më parë, cilët janë fajtorët kryesorë të saj?
Për mua dhe siç pritet të vërtetohet, fajtorët e kësaj fatkeqësie me pasoja tragjike janë pushtetarë të etur për fitime personale, prandaj në këtë pikë mbështes organet kompetente në punën e tyre, duke kërkuar njëkohësisht prej tyre hetimin e ngjarjes deri në çdo detaj të saj, me qëllim vënien para drejtësisë së fajtorëve, por dhe kthimin e besimit te publiku, se drejtësia funksionon.
Shqipëria ka gjasa që në vitin 2009 të marrë anëtarësimin me të drejta të plota për në NATO. Sa për qind meritë e vendit tonë mendoni se është në këtë arritje dhe sa për qind është lëshim për shkak interesash gjeostrategjike?
Po të bazoheshim vetëm në meritat tona, kam bindjen se procesi i anëtarësimit në NATO do të shkonte paralel me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, pasi në përgjithësi kërkohen të njëjtat kushte e reforma për t’u kryer nga ana jonë.