Braçe: Imuniteti i Mediut? Mbështesim kërkesën
TIRANË- Kundrejt heshtjes zyrtare të Partisë Demokratike, partia më e madhe e opozitës është në mbështetje të Prokurorisë së Përgjithshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes së Gërdecit. Kjo është konfirmuar dje nga nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe. Një ditë pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Braçe tha se PS është e gatshme të mbështesë çdo kërkesë që vjen në Parlament nga organi i akuzës, për hetimet e mëtejshme lidhur me çështjen e Gërdecit. “Grupi parlamentar i PS-së është i gatshëm të mbështesë si luftën kundër krimit të organizuar apo korrupsionit, pavarësisht emrave apo personave të implikuar në to, të cilët do të jenë objekt hetimi nga institucionet e larta të drejtësisë”,- tha ai. Në të njëjtën kohë, Braçe kërkoi që hetimet të vijojnë edhe më gjerë, duke mos u pozicionuar vetëm tek një individ. Dy ditë më parë, kryeprokurorja Ina Rama publikoi në një konferencë për shtyp, shkeljet e evidentuara deri tani nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke paraqitur dhe kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të tij si deputet. Kundrejt kësaj kërkese, Partia Socialiste është shprehur e gatshme që ta mbështesë, për sa kohë që nisma të tilla i shërbejnë luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësisht emrave që janë në tavolinë. Ndërkohë nuk ka pasur asnjë reagim nga kampi blu mbi qëndrimin që do të mbahet, edhe pse pritet që të mos ketë surpriza në këtë drejtim.
Mediu sfidon Prokurorinë, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi ligjore për tragjedinë e Gërdecit