E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lesi se di kush është Topalli

Kreu i LDK-së thotë se është i hapur për koalicione si për të majtën, ashtu edhe për të djathtën, ndërsa thotë se ka pasur oferta. Ai thotë gjithashtu, se muajt e fundit i është krijuar një paqartësi për kryetaren e Kuvendit.

Kryetari i Lidhjes Demokristiane (LDK), Nikollë Lesi, thotë se nuk ka vendosur akoma nëse do të jetë pjesë e koalicionit të djathtë apo atij të majtë. Ai thotë se ka pasur ofertë nga të dyja forcat politike kryesore në vend. Ndërkaq, ai thotë se pret të takohet me Anton Gurakuqin dhe me Nard Ndokën, për të diskutuar mundësinë e një bashkëpunimi të të gjitha forcave demokristiane, dhe kjo pasi të ketë përfunduar Kodi Zgjedhor. Ndërkohë, kreu i LDK-së e cilëson si një lojë politike të zakonshme vonesën në nismat kryesore, si ligjin për dosjet, imunitetin dhe Kodin Zgjedhor, që mazhoranca ka deklaruar disa herë se do t’i përfundojë brenda muajit, por që më pas janë shtyrë disa herë. Ndërkohë, Lesi thotë se është i paqartë për qëndrimet e muajve të fundit të kryekuvendares Jozefina Topalli.  -Ndërsa figurat qendrore të politikës kanë deklaruar se do të kandidojnë në Tiranë, ku pragu është më i ulëti, ku do të kandidojë Nikollë Lesi për zgjedhjet e ardhshme? “Akoma nuk kam vendosur, pasi po pres Kodin Zgjedhor dhe, së dyti, do të jetë Kongresi i Parë i Lidhjes Demokristiane Shqiptare, i cili do të vendosë për aleancat zgjedhore”. -Disa muaj më parë ju keni deklaruar një nismë për bashkimin e demokristianëve, për të dalë të gjithë së bashku. Sa shanse ka tashmë për këtë bashkim? “Nuk shoh ndonjë gjë pozitive tek përbashkimi, të cilin e aspirova dhe punova duke dhuruar edhe drejtimin e Partisë Demokristiane në qershor 2006. Megjithatë shpresa vdes e fundit, ndaj po pres një takim me zotin Anton Gurakuqi dhe me zotin Nard  Ndoka. Kështu që nuk mund të jem i saktë në vendimin e demokristianëve, që duhet thënë se janë në momentin e tyre historik, më të përçarë se kurrë”.  -PDK-ja e Gurakuqit dhe LDK-ja juaj kanë deklaruar se do të dalin në zgjedhje si koalicion. Tashmë Gurakuqi deklaron se do të dalë në zgjedhje me Partinë Demokratike. Do të thotë kjo se edhe LDK-ja do të dalë në zgjedhje si koalicion me Berishën? “Së pari, PDK-ja ende nuk ka mbaruar gjyqet që ka brenda saj se cili do të jetë kryetar: Gurakuqi apo Ndoka. Së dyti, dyshoj se ata të dy do të kenë probleme për t’u regjistruar në zgjedhje, pasi nëse nuk ka një vendim definitiv gjykate për kongreset e tyre, zor se mund t’i regjistrojë KQZ-ja me siglën “PDK”, pasi secili do të kërkojë të regjistrohet si kryetar partie, ndërkohë që në horizonte shikoj një mjegull të madhe rreth fatit të tyre politik”.   -A ju ka ofruar Berisha në koalicionin e tij? “Akoma nuk kemi mbyllur pakt konkret”. -Po Partia Socialiste? “Është ofruar në të vërtetë me propozime pothuajse interesante”.-Si e vlerësoni koalicionin e përbërë dhe sa u qëndron pranë interesave të LDK-së? “Koalicioni i përbërë është në interes të Lidhjes Demokristiane”. -Si e shihni të djathtën aktualisht, kur PDK-ja e Ndokës do të dalë në zgjedhje pa PD-në, PDR-ja kërkon të shkrihet me PD-në dhe PR-ja kundërshton kodin zgjedhor etj. A mendoni se e djathta është e çorientuar në këtë periudhë? “Partia Demokristiane siç të thashë, do të ketë probleme për regjistrimin e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa Partia Demokrate e Re është e shkrirë edhe pa u shkrirë me Partinë Demokratike. Për Partinë Republikane mendoj se do të jetë PD-ja e interesuar ta ketë në koalicion, por jo kaq afër sa herët e tjera”. -Mazhoranca ka deklaruar se brenda shtatorit do të finalizojë disa nisma të rëndësishme, si Kodin Zgjedhor, ligjin për dosjet, imunitetin etj. Ndërkohë tashmë ndodh ndryshe, ku sërish janë shtyrë këto nisma. Nga se vjen kjo “zbehje” e vullnetit? “Mendoj se është një lojë e zakonshme politike”.-A mendoni se spiunët do të pastrohen nga politika para zgjedhjeve të ardhshme, apo është thjesht një demagogji e radhës? “Besoj se po”. -Si deputet i vjetër i Kuvendit, që keni parë edhe spastrime të spiunëve, plus që me gazetën “Kohën Jonë” e keni ndjekur çështjen nga afër. Sa do të “tkurrej” PD-ja me hapjen e dosjeve? “Nga të dyja palët ose më saktë nga shumë palë do të ketë spiunë që do të dalin nga ligji i ri”. -Një pyetje të fundit. A keni të njëjtin mendim si Nard Ndoka për kryetaren e Kuvendit? “Mund të them vetëm se jam i paqartë se kush është Jozefina Topalli muajt e fundit. Më duket sikur nuk i interesojnë demokristianët e 3 korrikut 2005. Shpresoj të jem i gabuar, por dyshoj se ajo nuk do katolikë që i bëjnë hije”!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›