E Diel, 1 Nëntor 2026

Për të dalë me listë të përbashkët duhet koalicion pa u identifikuar partitë pjesëmarrëse

Engjëll Bejtaj, Spiro Peçi e Spartak Braho sqarojnë se e vetmja zgjidhje do të ishte regjistrimi në KQZ jo si parti, por si koalicion

Në bazë të kodit të ri zgjedhor, asnjë parti e regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk mund të ketë lista të përbashkëta me një subjekt tjetër politik. Pra, ideja e shumëpërfolur e daljes me lista të përbashkëta është rrëzuar, çka e bën të pamundur aplikimin e njërës prej formave të përdorura në zgjedhjet e shkuara. Por, megjithatë, duket se ka një hapësirë për të bërë të mundur bashkëpunimin e dy forcave politike dhe të daljes me lista të përbashkëta kandidatësh për deputetë. Përfaqësuesi i PSD-së në Komisionin e Reformës, Engjëll Bejtaj, ai i LSI-së, Spartak Braho, por edhe juristi Spiro Peçi i sqaruan dje “Korrierit”, se e vetmja zgjidhje për ato subjekte që duan të bashkëpunojnë në këtë formë është thuajse shkrirja e tyre. “Mund të ketë listë të përbashkët, por vetëm nëse subjektet nuk regjistrohen si parti. D.m.th duhet të shkrihen”, - u shpreh anëtari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Spiro Peçi. Pra, që dyja partitë të kenë listë të përbashkët, nuk duhet të regjistrohen në KQZ me emrin e tyre përkatës, por vetëm me atë të koalicionit. “Listë të përbashkët ka një koalicion, që është koalicion me një emër të caktuar, pa u identifikuar partitë që janë pjesë përbërëse të këtij koalicioni. Ndërsa koalicioni i përbërë është kur partitë edhe pse janë pjesë e një koalicioni, kanë identitetin e vet brenda tij, pra kanë listën e vet”, - deklaroi kreu i grupit parlamentar të PSD-së, Engjëll Bejtaj. I të njëjtit mendim është edhe juristi Spartak Braho. “Po. E vetmja mënyrë do të ishte dalja e koalicionit si një subjekt i vetëm. P.sh., nëse PSD-ja e PS-ja do të duan të dalin me listë të përbashkët. atëherë detyrimisht do të regjistrohen në zgjedhje me një emër të vetëm”, - u shpreh Braho. Për një pjesë të partive, kryesisht të vogla, në fakt kjo do të ishte zgjidhja e vetme për të bërë të mundur arritjen e përqindjes, që do të mundësonte marrjen e një mandati. I vetmi problem në këtë rast do të ishte pikërisht zhdukja e emrit të partive. Mandati i deputetit do të lexohej më pas si i të gjitha partive që janë regjistruar si koalicion. Nisur nga ky fakt, mundësia e zhdukjes së emrit të tyre për pjesën më të madhe të partive do të ishte “e sikletshme”, e ndaj kjo zgjidhje vështirë se do të merret nga parti që kanë krijuar tashmë identitetin e tyre. Megjithatë, kjo është zgjidhja e vetme për ata që, sipas llogarive, mendojnë se bashkimi i votave me një subjekt tjetër politik do të sillte përfaqësim në Kuvend. Kjo, pasi komisioni i posaçëm parlamentar për hartimin e kodit, miratoi pak ditë më parë mënyrën e funksionimit të koalicioneve e të regjistrimit të tyre. Partitë pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrin pjesë në një koalicion tjetër e as të paraqesin lista shumëemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë. Pra, pavarësisht daljes si koalicion apo jo, secila parti do të paraqesë kandidatët e saj. Numri i kandidatëve për subjektet që dalin të vetëm në zgjedhje detyrimisht do të duhet të jetë i jo më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, ndërsa për ato që hyjnë si koalicion në zgjedhje jo më i vogël sesa gjysma e mandateve.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›