E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Institucionet të mbrojnë deputetin Balla

Tiranë- Partia Socialiste ka reaguar sot përmes kreut të grupit, Valentina Leskaj, pas ngjerjes së fundit në sallën e parlamentit gjatë seancës ku diskutohej për projektbuxhetin dhe ka kerkuar mbrojtjen e deputetit  demokrat Taulant Balla.

Sot byroja parlamentare ka vendosur ta pezullojë për 15 ditë deputetin Taulant Balla. Te pranishem ne mbledhjen e sotme ka qene Arjan  Madhi, Ramiz Coba, Jozefina Topalli, Spiro Peci etj por jo te gjithe pjesemarresit. Spiro Peci e ka quajtur jo te drejte pezullimin e Balles dhe ka kerkuar transkiptimin e gjithe bisedes se mbremshme ne parlament.

Shqetesimi i PS-se eshte lidhur me kercenimin me jete qe ka bere kryeministri ndaj deputetit Taulant Balla. “Si deputete duhet të them se ndjehem e fyer dhe e kërcënuar në dinjitetin e në qenien time nga kryeministri i Shqipërisë, i cili mbrëmë shfaqi përpara përfaqësuesve të të gjithë shqiptarëve, jo vetëm mungesën e plotë të respektit për ta, po më shumë se kaq, mungesën e plotë të kontrollit mbi instiktet primitive të urrejtjes dhe të hakmarrjes ndaj kundërshtarëve”- tha Valentina Leskaj ne deklaraten e sotme per shtyp.

Ajo ka shprehur shqetësimin e madh për faktin se Shqipëria qeveriset, jo vetëm nga një politikan krejt i paaftë, por edhe nga një person i ç’ekuilibruar psikologjikisht, që me shfaqjen e djeshme tregoi fare hapur se përbën një rrezik shoqëror tepër serioz.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, i mbledhur sot në mesditë, pas ngjarjes së mbrëmshme në Kuvendin e Shqipërisë, ku Kryeministri Sali Berisha, me një fjalor rrugaçëror dhe banal, ofendoi deputetin Taulant Balla, kërkoi që ky rast të merret në shqyrtim nga institucionet ligjore në vend.

Sipas kryetares, Valentina Leskaj, rasti i djeshëm, tregoi papërgjegjshmërin e Kryeministrit Berisha përballë opozitës.

“Si kryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, duhet të them se ndjehemi të gjithë të dhunuar në mandatin tonë për të përfaqësuar popullin me virtytet e cilësitë e tij më të mira, në një parlament, ku gjuha rrugaçërore e artikuluar mbrëmë nga goja e kryeministrit të vendit kaloi ç’do kufi, ku dhuna në drejtimin e parlamentit po shndërrohet në mënyrë pune”- tha ajo.

Ajo e ka quajtur një ditë tepër të vështirë për deputetët dhe pas kërcënimit me jetë që ju bë një deputeti të Partisë Socialiste. “Grupi Parlamentar Socialist, e sheh të udhës t'i bëj një apel të gjithë qytetarëve shqiptar, qofshin socialistë, demokratë apo pa parti, që të dënojnë këtë shfaqje të ulët e të frikshme të papërgjegjshmërisë së Kryeministrit tonë”- tha më tej.

Leskaj ka theksuar se shqiptarët meritojnë të qeverisen me dinjitet. Ajo i është drejtuar institucioneve që ngarkon ligji, për marrjen në mbrojtje të deputetit të kërcënuar direkt nga Kryeministri i vendit .

“Është e turpshme ajo që ka ndodhur dje, është dhe më e turpshme ajo që ka ndodhur sot në mbledhjen e Byrosë së Parlamentit, ku nuk janë dënuar dhunuesit, por i dhunuari”- tha ajo.

Grupi Parlamentar Socialist ka bindjen se grahmat e fundit të politikës së vjetër, të urrejtjes e të goditjes primitive të kundërshtarit, do të rrisin vetëdijen qytetare e politike të të gjithë shqiptarëve, për domosdoshmërinë e një ndryshimi të madh në drejtimin e vendit, i cili nuk duhet dhe nuk do të jetë më peng i një personazhi të vjetër të së shkuarës, si Sali Berisha, që turpëron Shqipërinë dhe shqiptarët e shekullit të XXI.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›