Kabineti "Berisha", bëhen ndryshimet e para
Tiranë- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka bërë ndryshime në kabinetin qeveritar para përfundimit të këtij sesioni parlamentar. Sot është vendosur që Genc Pollo të lërë Ministrinë e Arsimit dhe të bëhet zëvendëskryeministër, ndërkohë posti që ai mbante prej disa kohësh do të mbetet brenda PD-së.
Sipas burimeve zyrtare bëhet e ditur se në vend të tij do të jetë Fatos Beja, deri tani me detyrën e nënkryetarit të Parlamentit dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Këto ndryshime flitet se nuk do të jenë të vetmet që pritet të bëhen në kabinetin “Berisha”, megjithëse nuk ka ende asnjë komunikim zyrtar për të tjera lëvizje.
Kështu, flitet se jashtë kabinetit do të mbetet PDK-ja, pasi në vend të kreut aktual të Shëndetësisë, Nard Ndoka është përfolur një tjetër emër, ai i Anila Godos.
Por, megjithëse i përfolur mjaft në media si ministre e ardhshme e Shëndetësisë, emri i saj dhe zëvendësimi me Ndokën nuk konfirmohet zyrtarisht nga kryeministria.