Skemat se si do të bëhet financimi i partive në fushatat elektorale
Shaban Sulçe
Partitë politike shumë shpejt pritet të kenë gati edhe propozimin e tyre konkret përsa i përket një çështjeje të rëndësishme të reformës zgjedhore, siç është transparenca e financimit të fushatave elektorale. Kjo ka qenë një pikë mjaft e kritikueshme në raportet e organizmave ndërkombëtarë për të gjitha proceset zgjedhore të zhvilluara në Shqipëri vitet e fundit. Për këtë arsye, realizimi dhe garantimi i transparencës së financimit të partive është cilësuar si një prej pikave që politika shqiptare duhet të përmbushë, për ta quajtur të plotë dhe të kompletuar reformën zgjedhore. Kjo ka qenë një prej kërkesave dhe rekomandimeve të vazhdueshme që institucionet ndërkombëtare si OSBE-ODIHR-i, por edhe organizma të tjerë të rëndësishëm të çështjeve zgjedhore, kanë dhënë në drejtim të politikës shqiptare.
Propozimet
Mësohet se dy janë variantet kryesore, të cilat janë duke u diskutuar nga ekspertët e partive dhe nga deputetët në komisionet parlamentare, përsa i përket financimit të partive politike në fushatat zgjedhore. Varianti i parë është heqja e tavanit aktual të vendosur për financimin e partive. Çdo person që dëshiron të financojë një parti mund të financojë pa limit, aq sa të dëshirojë, por jo duke mbetur anonim. Madje do të jenë vetë partitë përfituese, të cilat janë të detyruara, të bëjnë publike emrin e financuesve të tyre. Varianti i dytë i propozuar është vendosja e një tavani financimi, i cili gjithsesi duhet të jetë më i madh se shuma prej 1 milion lekësh që është aktualisht.
Edhe në këtë rast, financuesit nuk duhet të jenë anonimë.
Kontrolli
Një tjetër problem që është i lidhur me transparencën e financimit të partive është institucioni që do t’i kontrollojë ato. Këtë funksionin e ka kryer vitet e fundit Kontrolli i Lartë i Shtetit, por kompetencat e kontrollit të tij ishin vetëm për paratë që partitë përfitonin nga buxheti i shtetit. Për këtë arsye ekspertë dhe organizata të specializuara për zgjedhjet kanë propozuar krijimin e sistemit të auditit të financimit të parave. Ky koncept është konceptuar si një institucion, veprimtaria e të cilit do të jetë e bashkërenduar dhe e lidhur ngushtë me institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas propozimeve të bëra, do të jetë KQZ-ja, ajo që do të sanksionojë marrjen e masave ndëshkuese ndaj partive politike, në rast të evidentimit të fshehjes së transparencës financiare të tyre. Një element mjaft i rëndësishëm i funksionimit të sistemit të auditit do të jetë detyrimi ligjor, në të cilin partitë politike duhet të dorëzojnë listën e plotë të financuesve të fushatave të tyre elektorale. Dorëzimi i kësaj liste do të konsiderohej si një dhe botimi i saj në Buletinin e Zgjedhjeve të KQZ-së apo në shtypin e shkruar do të konsiderohet si një avantazh lehtësues për procesin e auditimit si dhe një provë e transparencës së financimit të fushatave elektorale.
17 Maj 2008