Letër nga grevistët: Greva nuk ka afat

Deputetët dhe 200 përkrahësit grevistë i dërguan ndërkombëtarëve një letër publike
TIRANË - Greva e urisë e 22 deputetëve të PS-së dhe 200 përkrahësve të saj nuk do të ketë afat. Komiteti i Grevës së Urisë i ka dërguar dje një letër të hapur përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar dhe medias lidhur me arsyet e kësaj greve.
"Ne, 22 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë së bashku me 200 bashkëqytetarë, të shqetësuar për fatin e demokracisë në vendin tonë, kemi vendosur të angazhohemi në formën më ekstreme të protestës demokratike, duke hyrë në grevë urie në emër të themelit të çdo demokracie: zgjedhjeve të lira dhe të ndershme", - thuhet në letrën e lexuar dje për mediat nga deputeti grevist, Fatmir Xhafaj.
Ai ka sqaruar së kërkesa e opozitës është e thjeshtë dhe demokratike: hetim parlamentar i plotë dhe i detajuar mbi zgjedhjet e 28 qershorit, që përfshin hapjen e kutive të votimit dhe të materialeve zgjedhore që gjenden brenda kutive.
Kjo kërkesë, sipas deputetëve grevistë dhe 200 bashkëqytetarëve, nuk ka për synim marrjen e pushtetit në tavolinë, por qëllimin e vetëm që zgjedhjet e ardhshme të jenë të garantuara dhe manipulime si ato të zgjedhjeve të fundit të mos përsëriten më.
"Për plot nëntë muaj, ne jemi përpjekur të ushtrojmë të drejtën tonë kushtetuese për transparencë, por përpjekjet tona kanë ndeshur murin e arrogancës dhe kokëfortësisë së një qeverie, veprimet e të cilës nuk njohin më kornizat e vendosura nga Kushtetuta e Republikës.
Është pikërisht kjo qeveri që nuk pati kurajë për të reaguar ndaj mbështetjes të jashtëzakonshme të qytetarëve shqiptarë për kauzën tonë. Plot 200 mijë shqiptarë protestuan në Tiranë në emër të transparencës së votës së tyre, por sërish, qeveria nuk pati vesh për të dëgjuar kërkesat e tyre demokratike", - tha Xhafaj.
Ai shtoi se opozita ka vendosur ta përshkallëzojmë protestën, duke hyrë në një grevë urie pa afat, që do të shoqërohet nga protesta në mbrojtje të kësaj kauze në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë.
"Ky vendim nuk ishte i lehtë për tu marrë dhe në të njëjtën kohë ne jemi të vetëdijshëm për pasojat që ky vendim mbart. Por, sikundër secili prej jush në vendin tuaj, ne nuk mund të sakrifikojmë më demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme në vendin tonë.
Ajo çka ne kërkojmë është një standard që në vendet tuaja konsiderohet normal: zgjedhje të lira dhe të ndershme. Asgjë më shumë. Asgjë më pak", thuhet në letrën e drejtuar ndërkombëtarëve.
Ish të përndjekurit mbështesin grevistët
TIRANË - Ish të përndjekurit janë solidarizuar dje me kërkesat e grevistëve. Kryetari
i Shoqatës të Përndjekurve Politikë, Kurt Kola, i shoqëruar edhe nga disa ish të përndjekur të tjerë kanë vizituar dje grevistët, në emër të asaj që ata e cilësuan vota e lirë. "Kemi ardhur të përshëndesim grevistët e urisë, në emër të 10 të pushkatuarve, të 600 vjetëve internim dhe të 24 viteve burg, të familjes Kola, për fjalën e lirë, për votën e lirë, për demokraci.
Kam ardhur të përshëndes e të solidarizohem me grevistët e urisë në emër të të burgosurve politik, që kanë vuajtur pikërisht për votën e lirë, për demokraci, për fjalën e lirë. Ne përfaqësojmë atë shoqatë që është krijuar në 1991 dhe që ka 20 vjet që lufton dhe punon për tu restauruar demokracia në Shqipëri, që mesa duket akoma mungon", - tha dje kryetari i kësaj shoqate, Kurt Kola.
Edhe pse pranon se situata politike në vend ka përçarë edhe vetë ish të përndjekurit, ai theksoi se ish të përndjekurit ruajnë moralin politik, për të cilin kanë sakrifikuar gjithë jetën. "Arsyeja që erdhëm sot është, pikërisht, sepse kjo grevë urie është vazhdimësia e luftës sonë 45-vjeçare për demokraci", - tha Kola.
Reagon PS: Veprimi më i turpshëm në ditën e pestë të grevës
Topalli mbledh gratë kundër Ramës
TIRANË - Disa shoqata grash kanë protestuar dje para bashkisë së Tiranës dhe kanë lëshuar thirrje kundër liderit të PS-së, Edi Rama, duke e akuzuar se po përdor gratë në grevën e urisë. Madje, këtyre shoqatave i është bashkuar edhe një pjesë e madhe e administratës së Kuvendit.
Zyrat e Kuvendit kanë qenë dje thuajse bosh, ndërsa është paralizuar puna për dy orë rresht. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë. Shumica prej tyre, me urdhër të kryetares së Kuvendit, u "solidarizuan" në një protestë kundër Edi Ramës para bashkisë.
Pjesëmarrëset në këtë tubim kanë apeluar kundër grevës së urisë, duke deklaruar se në këtë mënyrë në mes të Tiranës po ngrihet Muri i Berlinit. Ato janë shprehur të shqetësuara për pengesën që, sipas tyre, po krijohet për liberalizmin e vizave dhe proceset integruese të vendit. Ndaj kësaj proteste, deputetet socialistë reaguan menjëherë, duke e cilësuar këtë një protestë të organizuar nga kryetarja e Kuvendit, Topalli.
"Besoj të gjithë ishim dëshmitarë, ju dhe ne sot, që zonja Topalli për herë të dytë pas mitingut dhe koncertit festiv të datës 1 maj, detyron mësues, pjesëmarrës të administratës, nxënës të shkollave të ndryshme të lenë mësimin, të lenë punën, të mbyllin zyrat dhe të vijnë të bëjnë një antimiting para Bashkisë së Tiranës.
Ky ishte veprimi më i turpshëm që ne kemi parë në ditën e pestë të grevës së urisë", - tha deputetja e PS-së, Vasilika Hysi. Ajo i ka kërkuar Topallit që të heqë dorë nga këto antimitingje dhe si nënë, por edhe si kryeparlamentare, të manifestojë për lirinë e votës.
Kisha Katolike: T'i lutemi Zotit që zgjidhja të vijë
TIRANË - Situata politike në vend është parë më shqetësim edhe nga Kisha Katolike Shqiptare. Në Asamblenë vjetore që u zhvillua në Tiranë në datat 4 dhe 5 maj, Ipeshkvijtë i bëjnë apel politikës shqiptarë që të zgjedhë rrugën e dialogut drejt një zgjidhjeje të drejtë të krizës.
Duke iu drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, Kryeministrit Sali Berisha, Kryetarit të opozitës, Edi Rama, Kryetarëve të partive politike në Shqipëri, Kisha Katolike fton që me "ndërgjegje dhe përgjegjësi të kërkojnë të mirën e përbashkët para çdo interesi tjetër partiak apo individual dhe të zgjedhin rrugën e dialogut të hapur pa asnjë paragjykim, për të cilin ka vend gjithmonë, në mënyrë që të shkohet drejt një zgjidhjeje më të denjë dhe të drejtë, duke pasur në zemër dhe në mendje gjithmonë të mirën e njerëzve tanë të vuajtur."
Deklarata e Ipeshkvijve mbyllet duke thënë se "po i luten Zotit dhe do nxisin besimtarët që të luten për një zgjidhje sa më të shpejtë".
Përveç shqiptarëve në SHBA, grevës së urisë i janë bashkuar edhe emigrantët në Greqi
Nju Jork, 22 shqiptarë në grevë urie para OKB-së
TIRANË - Një grevë urie pa afat është paralajmëruar tashmë edhe në Nju Jork.Një grup prej 22 veprimtarësh atdhetarë shqiptarë do të futen në grevë urie para selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Mes tyre bëjnë pjesë ish-kandidatë për deputetë, avokatë, etj. Sipas 22 bashkatdhetarëve, motivi i grevës është solidariteti me grevistët shqiptarë, të cilët kanë hyrë në ditën e 6-të të grevës së urisë.
"Motivi i grevës është solidariteti me bashkatdhetarët tanë në Shqipëri për të mbrojtur votën e lirë, si një nga liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të demokracisë, kundër vjedhjes dhe manipulimit të votave nga partia në pushtet", - thuhet në deklaratën e përbashkët të firmosur nga 22 veprimtarët, që do të fillojnë grevën e urisë të premten në mëngjes, në datën 7 maj.
Sipas grevistëve, orari u ndryshua për shkak të përkeqësimit të gjendjes se grevistëve të urisë në Tiranë, që u rrezikohet jo vetëm shëndeti, por edhe jeta. Në këtë grevë pritet që të marrin pjesë edhe 5 gra e vajza shqiptare në solidaritet me gratë dhe vajzat që prej një jave ndodhen në grevë urie në Tiranë.
Ndërkohë, grevës së urisë së deputetëve të PS-së dhe mbështetësve të tyre në Tiranë i janë solidarizuar edhe 18 emigrantë shqiptarë në Athinë. Në një apartament të Athinës, 18 shqiptarë janë ngujuar në solidaritet të grevës së PS-së për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Një prej grevistëve emigrant, Skënder Hysa, që jeton prej 21-vitesh në Greqi deklaroi se greva e urisë do të vazhdojë deri sa të zbardhet e vërteta e zgjedhjeve. "Dua të di kush ka votuar në emrin tim", - u shpreh për mediat Hysa.
Ora 10:00
Një përfaqësi e ish të përndjekurve politikë, të kryesuar nga Kurt Kola vizitojnë grevistët e urisë dhe deklarojnë mbështetje për kauzën e tyre, duke vlerësuar sakrificën si mjet për të shpëtuar demokracinë.
Ora 10:00
Kryeministri Berisha bën homazhe në monumentin "Nënë Shqipëri" në nderim të ditës 5 majit, Ditës së Dëshmorëve. Ai shprehu keqardhjen për deputetët dhe qytetarët grevistë, por tha se kutitë nuk hapen
Ora 11:00
Gratë demokrate të punësuara në administratën shtetërore, atë qendrore dhe atë lokale protestojnë para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar largimin e kryetarit të saj, Edi Rama, të cilin e kanë akuzuar se ka detyruar disa gra të futen në grevë urie.
Ora 11:00
Kreu i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar edhe nga drejtues të tjerë opozitarë ka bërë homazhe në varrezat e Dëshmorëve në nderim të ditës së 5 Majit. Rama tha se 5 maji është dita për të kuptuar sesa shumë kanë kontribuar këta njerëz për të ndërtuar Shqipërinë.
Ora 11:15
Deputetët Taulant Balla dhe Arben Malaj të sapokthyer nga Brukseli, ku morën pjesë në mbledhjen e komitetit ndërparlamentar të Stabilizim-Asociimit, u rifutën sërish në grevë urie. Balla deklaroi për mediat se ishte i vendosur për t'i shkuar deri në fund kësaj kauze.
Ora 14:00
Deputetët dhe qytetarët grevistë firmosin një letër, të cilën ia dërguan gjithë faktorit ndërkombëtar të përfaqësuar në vend dhe institucioneve të huaja, ku i bënë të ditura se arsyeja e ngujimit ka lidhje me një të drejtë të pamohueshme për këdo transparenca e zgjedhjeve.
Ora 17:35
Protestues të ardhur nga Berati bllokojnë rrugën në rrethrrotullimin e "Zogut të Zi". Protestuesit bllokuan rrugën për 20 minuta, dhe me pas u nisën drejt qendrës, ku do të zhvillohej protesta e radhës në orën 18.00.
Ora 18:00-20:00
Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se Berisha duhet të reflektojë për kutitë. Në protestë flasin edhe deputetët grevistë.
Transparenca, Malaj dhe Balla i kthehen grevës së urisë
TIRANË - Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, menjëherë pas kthimit nga Brukseli mëngjesin e djeshëm, bashkë me deputetin tjetër, Arben Malaj, i janë rikthyer grevës së urisë. Balla dhe Malaj ndodheshin në Bruksel në takimin e Komunitetit ndërkombëtar të Stabilizim-Asocimit ndërmjet BE dhe Shqipërisë, takim ky që për shkak të mazhorancës nuk u arrit në një marrëveshje.
Menjëherë pas mbërritjes në Tiranë, Balla dhe Malaj janë bashkuar me kolegët dhe qytetarët tek çadrat ku po mbahet greva. "Unë jam kthyer bashkë me kolegët e mi, bashkë me kolegun Arben Malaj, mbrëmë vonë nga takimi i Komunitetit Ndërkombëtar të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë.
Sigurisht, në mbajtje të fjalës, dhe në mbajtje të respektit të kolegëve të mi dhe mbështetësve të Partisë Socialiste që ndodhen në grevë urie, i rikthehem sot grevës së urisë bashkë me kolegun tim, Arben Malaj.
Do të jemi këtu deri në ditën që së bashku me miq e shok këtu brenda, të arrijmë objektivin e përbashkët që është një objektiv në shërbim të demokracisë. Këtë thamë në Bruksel, këtë po bëjmë në Tiranë", - tha dje Balla, para së të futej në grevën e urisë. Deputeti i PS-së shtoi se greva e urisë do të ketë po aq sukses sa greva e vitit 1991.