E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Më 9 maj, protestë masive në Tiranë

Opozita paralajmëron një tjetër protestë masive në datën 9 maj, ditën e Europës kur forcat demokratike triumfuan mbi nazizmin. Rama: "Do jemi për të dëshmuar se ne jemi këtu për Europën"

TIRANË - Opozita paralajmëron një tjetër protestë masive në datën 9 maj, ditën e Europës kur forcat demokratike triumfuan mbi nazizmin. Organizimin e kësaj proteste e ka deklaruar dje kreu socialistë Edi Rama gjatë mitingut të radhës të zhvilluar në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në mbështetje të mbi 200 grevistëve që dje kanë mbushur plot pesë ditë ngujim në grevë urie.


Për të shprehur solidaritetin e tyre me grevistët kësaj here protestës, i janë bashkuar edhe qindra mbështetës nga qarku i Beratit dhe ai i Dibrës, të cilët ndërmjet të tjerave kërkuan edhe largimin e kryeministrit Berisha, si shkaktarin e përkeqësimit jo vetëm të situatës politike, por edhe asaj ekonomike.


Rama


Opozita ka përmbyllur dje mitingun e gjashtë radhazi në bulevardin kryesor të Tiranës, duke kërkuar hapjen e kutive të votimit për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, si e vetmja mënyrë për t'i dhënë fund krizës së gjithanshme që, sipas tyre, ka mbërthyer vendin.


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur në këtë tubim ritheksoi edhe një herë bindjen e opozitës se asnjë vendim gjykate nuk pengon transparencën dhe hapjen e kutive dhe se ajo që e bënë të pamundur këtë gjë është vetëm përpjekja e kryeministrit dhe mazhorancës për të fshehur atë që shpesh herë ai e ka konsideruar si krim elektoral.


"Nuk ka vendim gjykate që pengon transparencën, nuk ka Kushtetutë që pengon transparencën e kutive. Transparencën e kutive e pengon vetëm pushteti që mban në kuti armën që vrau zgjedhjet e shkuara dhe kërkon të vrasë edhe zgjedhjet e ardhshme për të mbajtur peng të ardhmen tonë", - tha Rama në fjalën e vet.


Për këtë arsye, ai i ka bërë thirrje kundërshtarit të tij politik që të hapë kutitë për t'i treguar të gjithë shqiptarëve dhe botës se pushteti që ai mban është mbi bazën e meritës dhe jo të vjedhjes së votave.


"Hap kutitë Sali Berisha. Ne nuk duam të dorëzosh në tavolinë pushtetin por të dorëzosh armën me të cilën vrave zgjedhjet", - u shpreh më tej kreu socialist. Ndërkaq, ai ka bërë të ditur se rruga e vetme që i ka mbetur tashmë opozitës është ajo e vazhdimit të kësaj beteje pavarësisht kostove që mund të ketë.


Kjo, sipas tij, është një detyrim që opozita e sotme ka në mbrojtje të vlerave të demokracisë. "Në këtë udhëkryq ne nuk kemi asnjë dilemë, rruga jonë është rruga e lirive dhe të drejtave të sanksionuara në kushtetutë dhe liria dhe e drejta për transparencë, është një liri dhe e drejtë kushtetuese, e patjetërsueshme, për të cilën janë në grevë sot 200 burra dhe gra, djem dhe vajza dhe për të cilën është sot në protestë e gjithë Shqipëria", - tha Rama, duke i bërë thirrje dhe një herë kryeministrit të bëjë publik vendimin e Gjykatës që ndalon hapjen e kutive.


Në vijim të kësaj përpjekje, ai ka bërë të ditur se lufta e opozitës nuk do të mbetet me kaq, prandaj ka ftuar qytetarët nga e gjithë Shqipëria që të marrin pjesë në një miting tjetër të përmasave si ato të 30 prillit në kryeqytet. "Ditën e diel është 9 maj, dita e Europës dhe e fitores mbi fashizmin.


Të dielën në 9 maj, në orën 10:00 që të gjithë qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe të gjithë ata të tjerë që po më dëgjojnë janë të ftuar të vijnë këtu, për të dëshmuar se ne jemi këtu për Europën", - tha Rama.


Ai ka falënderuar Gjergji Kojen edhe përfaqësuesit e PSV91, të cilët i janë bashkuar kësaj kauze, ndërsa e ka quajtur si sjellje fashiste antimitingun e organizuar dje nga gratë demokrate.


Grevistët

Protestuesit e djeshëm i kanë përshëndetur edhe grevistët e urisë nga brenda tendave, të cilët janë shprehur të vendosur për të vijuar këtë sakrificë deri në momentin që Berisha të dëgjojë zërin e tyre dhe t'i thërrasë arsyes për të hapur kutitë e votimit.


"Kjo është keqardhja e neveritshme e vullnetarëve të Sali Enverit që, si dikur në 1991, u mblodhën për t'i qarë hallin atyre që për demokraci protestojnë. Ka tashmë 20 vjet që është i njëjti mentalitet. I njëjti mentalitet që nuk e imagjinon dot veten pa idhullin gënjeshtar Berisha.


I njëjti mentalitet që nuk e ka për gjë të shajë, të ofendojë, të poshtërojë, gratë, vajzat, baballarët, pleqtë e deri tek fëmijët. Sigurisht që kjo nuk na zmbraps dhe nuk na tremb", - tha deputetja e Beratit, Ermonela Felaj, e flijuar në grevë urie. Ndërsa deputeti Ilir Beqja, duke i bërë të ditur Berishës se do të mbajë përgjegjësi personale për gjithë këtë sa po ndodh, ka theksuar se kjo betejë nuk është kundra demokratëve.


"Në këtë grevë ne nuk jemi kundër demokratëve, por kundër qeverisë së Sali Berishës", - tha ai. Deputetja tjetër greviste, Shegushe Ligori, theksoi se kryeparlamentarja Topalli e deputetja Bulku nuk mund ta kuptojnë dot se njeriu vepron edhe për ideale.


Në mitingun e djeshëm kanë folur edhe krerët e opozitës, si dhe deputetë të qarkut të Beratit, të cilët kanë sjellë në vëmendje pjesë nga rrënimi i përditshëm që po ndjejnë shqiptarët në kurrizin e tyre si pasojë e asaj që ata e quajtën keqqeverisje. Kështu deputeti Erion Braçe, duke iu referuar raporteve të ndërkombëtarëve e akuzoi qeverinë Berisha, si më të korruptuarën në Europë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›