E Diel, 1 Nëntor 2026

Subashi: Nga greva do dalim vetëm me barelë

Një ditë në jetën e deputetit grevist, Armando Subashi. Si po e lufton mungesën e ushqimit dhe çfarë mendon për kauzën


TIRANË - Ditët kalojnë dhe situata e grevistëve të vendosur në tendat para Kryeministrisë bëhet edhe më e vështirë, kur tashmë greva e urisë ka hyrë në ditën e saj të pestë.


Por, pavarësisht përkeqësimit të situatës dhe gjendjes së rënduar të tyre, grevistët duken të vendosur për ta vazhduar kauzën. Përgjatë këtyre ditëve ka pasur tre raste që kanë paraqitur komplikacione, duke u dërguar drejt spitalit.


Në këtë situatë, dita e një grevisti është e ndryshme nga ajo jashtë tendës. 22 deputetë dhe 200 përkrahës të majtë, i kanë kushtëzuar vetes së tyre ushqimin dhe vetëm uji është ai që vazhdon t'i mbajë në jetë, ndërsa ditën përpiqen ta kalojnë me kujdes për të harxhuar sa më pak energji. Një ditë të tillë na e tregon edhe deputeti grevist i Partisë Socialiste, Armando Subashi.


Sipas deputetit të opozitës, situata që është krijuar në tendat e grevës nuk të lejon që të bësh dallimin midis natës dhe ditës, pasi gjendja shëndetësore e 200 grevistëve mund të përkeqësohet nga momenti në moment. "Gjatë këtyre ditëve që ne jemi këtu për ne është pak e vështirë që të bëjmë dallimin midis ditës dhe natës, sepse të gjitha momentet e 24-orëshit përgjithësisht janë njësoj.


Ajo që duhet theksuar është se nga momenti në moment, orë pas ore ne ndiejmë në një farë mënyre përkeqësimin e gjendjes sonë, sepse kjo është një greve urie reale dhe besoj që për këtë janë të bindur edhe kundërshtarët tanë", - thotë deputeti Subashi, ndërsa thekson se vetë ai, por edhe grevistët e tjerë kanë filluar të kenë probleme reale shëndetësore si marrje mendsh, dhimbje të kokës, dhimbje të gjymtyrëve, të legenit etj.


Për të mos harxhuar energjitë, grevistët përpiqen të reduktojnë lëvizjet e tyre, duke qëndruar në shtretërit e tyre. Reduktimin e lëvizjeve përpiqen ta realizojnë edhe përmes gjumit që, sipas deputetit Subashi, për të personalisht gjumi zë një pjesë të konsiderueshme të ditës, veçanërisht kur gjendja sa vjen edhe rëndohet. "Gjithmonë e më shumë gjumi zë një pjesë të konsiderueshme të 24-orëshit.


Ndoshta gjatë kësaj periudhe gjumi mund të më ketë zënë rreth 12 orë. Nesër edhe në vazhdim mund të zërë edhe më shumë, pasi fuqitë tona po vijnë duke u pakësuar. Në këtë kuptim, mundohemi që të reduktojmë sa më shumë lëvizjet dhe harxhimin e energjive", - shprehet ai.


Por, përveç gjumit, deputeti grevist thekson se për të thyer edhe monotoninë që sjell qëndrimi në shtrat, ai mbledh grevistët në shtretërit më të afërt për të luajtur me letra, domino apo për të shkëmbyer ndonjë bisedë të shkurtër, ndërsa pas saj orët e tjera ia lënë vendit leximit të shtypit të shkruar apo ndonjë libri.


Kjo, sipas Subashit, bëhet më shumë për të mposhtur edhe shqetësimet shëndetësore, që kanë filluar të shfaqen tek secili prej grevistëve, ku fytyrat e tyre e tregojnë edhe më qartë gjendjen e rënduar.


"Gjatë këtyre pesë ditëve që ne jemi duke qëndruar këtu, ne arrijmë ta shtyjmë ditën vetëm me ujë dhe kjo nga momenti në moment na e vështirëson gjendjen tonë shëndetësore. Në këtë kuptim, gjithnjë e më shumë ne mundohemi të kufizojmë lëvizjet, të racionojmë ato pak energji që mund të na ketë mbetur.


Jo vetëm unë, por thuajse pjesa më e madhe e grevistëve në pjesën më të madhe të kohës qëndrojnë të shtrirë nëpër shtretërit e tyre dhe sigurisht duke parë nga pak televizor, duke lexuar ndonjë gazetë, ndonjë libër, por në momente të caktuara duke bërë edhe ndonjë lojë të vogël me letra apo me domino më shumë për të mposhtur edhe ato shqetësime shëndetësore që tashmë kanë filluar të shfaqen", - nënvizon deputeti i PS-së, ndërsa hedh letrën e radhës në tavolinën e vogël të vendosur midis shtretërve të grevistëve.


Duke iu referuar gjendjes së krijuar dhe ecurisë së saj për ditët në vazhdim, Subashi thotë se asnjëri prej grevistëve nuk do të dalë me këmbët e tij nga tenda para selisë së Kryeministrisë, ndërsa shton se pavarësisht kësaj situate që është krijuar grevistët e majtë kauzën për transparencën e zgjedhjeve e kanë fituar moralisht dhe sipas tij, pritet vetëm arritja e qëllimit final. "Asnjëri nga ne nuk del me këmbët e veta nga ajo derë atje.


Ne do të dalim prej këtu vetëm me barelë, duke na hipur në ambulancë, atëherë do të mund të dalim nga kjo derë. Me këmbët e tij nuk del asnjëri. Se kur do të jetë kjo ditë, pak rëndësi ka. Mund të jetë nesër, pas katër ditësh apo pas një jave.


Për hir të së vërtetës, ne moralisht kauzën e kemi fituar, jo vetëm në sytë e shqiptarëve, por edhe në sytë e ndërkombëtarëve. Por, sigurisht me këtë grevë që ne ndërmorëm, ne dëshirojmë të marrim edhe produktin në funksion të kauzës që kemi ngritur", - shton Subashi.


Kjo kauzë, sipas deputetit të Partisë Socialiste, kërkon të vendosë një standard demokratik për të garantuar zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht se mund të ketë pasoja apo kosto njerëzore, kosto të cilat janë marrë parasysh nga vetë 200 grevistët kur kanë deklaruar se këtë nismë e kanë ndërmarrë me vetëdije të plotë.


Ish-Presidenti u shpreh se politikanët duhet të mendojnë më shumë për qytetarët

Moisiu: Krerët politikë të zgjidhin krizën politike

TIRANË - Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka thyer heshtjen, duke u pozicionuar qartazi në funksion të zgjidhjes së krizës nga drejtuesit e forcave politike. Sipas tij, politikanët mbi të gjitha duhet të marrin parasysh interesat e qytetarëve shqiptarë.


Gjatë një aktiviteti të organizuar nga ambasada italiane, Moisiu kërkoi që klasa politike duhet të vendosë gjuhën e komunikimit dhe për më tepër të ndërgjegjësohet për situatën aktuale politike që është krijuar.


Greva e urisë së deputetëve dhe protestuesve të opozitës, ka hyrë në një fazë edhe më të vështirë kur forcat politike kanë qëndrime diametralisht të kundërta për zgjidhjen e saj.


Për këtë arsye, sipas Moisiut, krerët e formacioneve politike kryesore në vend, duhet të tregohen më elastike dhe të ndjeshme ndaj problemeve të qytetarëve për t'i dhënë zgjidhje definitive situatës së krijuar që para 8-muajsh. "I bëj thirrje forcave politike kryesore të mendojnë më shumë për këtë popull.


Drejtuesit politikë duhet të tregohen më elastikë në kuptimin e zgjidhjes së problemeve të lindura, në mënyrë të veçantë të gjejnë forcën e duhur për t'u treguar më të ndjeshëm ndaj vuajtjeve dhe problemeve të njerëzve", - tha dje ish-Presidenti Moisiu.


Në kulmin e krizës politike, Moisiu apeloi edhe një herë për arritjen e konsensusit dhe rikthimit të dialogut politik midis partive politike, në mënyrë që, sipas tij, vendi të mos përjetojë situatën e 20 viteve më parë.


Por, në zgjidhjen e kësaj situate, sipas ish-kreut të shtetit, duhet që grupimet politike shqiptare, të kujdesen për elektoratin që i ka votuar dhe jo për interesat e tyre të ngushta politike.


Kriza politike, e cila nuk mundi të marrë zgjidhje as nga Parlamenti Europian dy ditë më parë, duket se tashmë ka arritur kulmin e saj, ku 200 protestues dhe 22 deputetë të majtë kanë hyrë në grevë urie prej pesë ditësh, duke kërkuar zgjidhjen e krizës politike përmes hapjes së kutive të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›