Letër për (mos)faljen
Falja është edhe virtyt njeriu, por kur e tejkalon raportin personal, duke u bërë për kauzën e shumicës, kthehet në diçka të keqe dhe e dëmton atë. Në këtë kontekst njerëzimi jo rrallëherë është gjetur në situata të ngjashme: janë falur individë të ndryshëm të cilët paraprakisht e kanë dëmtuar intencën e përgjithshme. Diçka kësisoj ka ngjarë kur dikush s’ka dashur të besojë që një i afërm i tij mund ta ketë lënduar interesin e të gjithëve. Për pasojë mëkatari është lënë i lirë për të gjetur veten me pështjellime të reja. Atëherë mjedisin e ka karakterizuar gjendja e çrregullt në formë të mjegulluar. Për rezultat është marrë edhe mosprekja e cakut të dëshiruar nga mazhoranca. Tërësia është detyruar të vuajë si shkak i bashkekzistencës me elementet e kontestuara. Pra mosqitja përjashta e shapit ka vazhduar ta prishë me të madhe sheqerin.
Po qe se e analizojmë Kosovën, do ta shohim se si është fakt i gjallë, komplet paragrafi i sipërshkruar. D.m.th., rrugëtimin nëpër jetë i njerëzve të këtyre hapësirave, e ka përshkuar sistematikisht kjo dukuri.
Pa dashur të lëshohem në emra të veçantë (secili prej prizmit të tij mund ta ketë të njohur ndonjë rast), por duke bërë shtjellimin e çështjes në vija të trasha, janë evidente rastet e faljes së atyre që këtij vendi i kanë bërë dëme. Në këtë rast, fjalën e kam për faljen e llojit: trajtim i barabartë e zaten edhe më i avancuar, me atë që ka ecur diçka për dobinë e këtij vendi. Notarë të ndryshëm e të zhdërvjellët të turlifarë sistemesh, janë lënë të hidhen nëpër pozita që s’iu kanë takuar. Shitja e atdhetarizmit prej anës së tyre te shumëkush, ka arritur të përpihet. Edhe kjo është adresë e kërkimit pse vendi e ka prekur stagnimin e gjithëmbarshëm. Bashkëjetesa nëpër institucione të ndryshme me banorë të kësaj kategorie i ka kompremituar edhe vetë ato.
Zakonisht, falja e individëve të tillë, ka ardhur në shprehje shkaku i lidhjes farefisnore dhe i qëllimit të shfrytëzimit të potencialeve profesionale. Por në këtë anë të botës, është e gabuar gjithë ditën e lume, qasja që veç pse dikush është i afërm i yti, ai s’duhet të ndëshkohet.
Sa i përket profesionalizmit, këta tipa s’shquhen bash prej asfarë idealesh, dhe kapacitetet e tyre është vështirë të thithen, sepse ata janë vështirë të shtrydhshëm. Është komuniteti i idealistëve, ai që mund të bëjë ndryshime diku (rasti i UÇK-së në fundvitet e nëntëdhjeta).
Si rezultat i argumenteve të mësipërme del që raporti me këtë klasë të njerëzve është ndërtuar kryekëput dallash.
Është proces krejt normal dhe aspak i dënueshëm, ai i ndërrimit të qëndrimeve të dikujt përkitazi me diçka. Edhe nëse ashtu sikundër e gjejmë të shtjelluar këtë çështje të Karl Popper: “Ndryshim në kontekstin pozitiv”. Ama rasti konkret i këtyre personave, përveçse është rënie në mend në të vona orë, veprimtaria paraprake ka lëvizur edhe nëpër terrenin moral, dhe është më zor e falshme.
“Mosfalja e bën njeriun të mendohet se ku ka gabuar”, (Jorge Luis Borges). Një gjë e tillë është diçka shumë e logjikshme, të cilën mund ta pranojë secila mendje e ndritur. Individët e tillë është dashur të lihen anash të nënçmuar. Mbase të strukur nëpër qeniet e tyre, secili duke e lodhur kokën me kujtime, do ta gjente çalimin e vet në kohë. Për më shumë edhe për gjithë të tjerët, e kam një gjë për ta thënë, e cila për autor zbulimi në këtë vend e ka intelektualin shqiptar, Albin Kurti. “Një gjeneralit në Angli i është ngritur lapidar veç për këmbën që e kishte humbur në luftë për atdheun, dhe jo për trupin, të cilin e kishte humbur më vonë…”. Kaq.