E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leterme: Heqja e vizave, Belgjika u mbështet

Kryeministri i Belgjikës, vend i cili në korrik do marrë presidencën e BE-së, Yves Leterme ka siguruar mbështetjen e vendit të tij për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ai theksoi se liberalizmi i vizave është një çështje teknike, dhe jo politike, ndaj duhen plotësuar kushtet për heqjen e tyre. "BE ka prioritet mundësinë e heqjes së vizave për shqiptarët. Përgëzova Berishën për progresin që është bërë për heqjen e vizave. çështja e vizave është një çështje teknike, dhe jo politike ndaj duhen plotësuar kushtet për liberalizmin e tyre", theksoi Leterme.
Leterme tha se Belgjika pret të marrë Presidencën e BE-së në korrik të këtij viti, ndaj vendi i tij është i angazhuar në një të ardhme të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. "Anëtarësimi i Shqipërisë do sillte më shumë stabilitet në rajonin e Ballkanit", theksoi ai.
Kryeministri i Belgjikës tha se i premtoi Berishës se vendi i tij do të ndihmojë me ekspertizë Shqipërinë për plotësimin e pyetësorit për anëtarësim në BE.
Në fund të fjalës së tij kryeministri tha se Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›