E Diel, 1 Nëntor 2026

Letërporosia; Vendimi i gjykatës për Kumbaron niset urgjent në Londër

Vetëm një ditë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda riktheu masën e arrestit me burg për Ilir Kumbaron, organi qendror i akuzës dërgoi me urgjencë drejt Londrës këtë vendim për ta vënë në dispozicion të autoriteteve britanike, të cilat ishin në pritje të qëndrimit të gjykatës për ekstradimin apo jo të këtij shtetasi. Sipas burimeve nga akuza, vendimi është përkthyer në anglisht dhe është dërguar me letërporosi, ndërkohë që pritet se cili do të jetë reagimi me vendim i gjykatës londineze për ta ekstraduar 56-vjeçarin, i kërkuar me ngulm nga prokuroria për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë shqiptare. Prokuroria arsyeton se Kumbaro nuk mund të lihet në gjendje të lirë, pasi për shkak të një akuze të re të shtuar në ngarkim të tij, asaj të rrëmbimit të Avdyl Loshajt, rrezikon të arratiset apo të prishë provat që provojnë fajësinë e tij. Ky reagim i menjëhershëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe prokurori erdhi pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila pushoi masën e sigurisë për Kumbaron, pasi sipas arsyetimit të Kolegjit Penal, që prej viti 2004, masa e arrestit “burg pa afat” kishte humbur efektet e saj procedurale. Ndërkohë, prokurori i çështjes, Xhevat Hana, kërkoi dy ditë më parë rivendosjen e arrestit, pasi sipas tij, mbi Kumbaron përveç rrëmbimit të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha dhe Ziso Kristopulli, ekziston edhe një tjetër akuzë, ajo e rrëmbimit dhe torturimit të Avdyl Loshajt.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›