E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikoi gruan dhe 5 fëmijët, 15 vjet burg për Xhambazin

I akuzuar për trafikimin e gruas dhe pesë fëmijëve, togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda shpallën fajtor dhe dënuan me 15 vite burg të pandehurin Agim Xhambazi. Vendimi është marrë dje nga gjykata, të cilës i ka rezultuar gjatë hetimit gjyqësor se ky i pandehur ka trafikuar në shtetin fqinj të Greqisë gruan e tij dhe pesë fëmijët, duke i detyruar ata të lypnin rrugëve të Athinës e qyteteve të tjera helene. “Pas disa ditësh qëndrimi në Athinë në vitin 2001, i dyshuari ka detyruar bashkëshorten dhe pesë fëmijët të lypnin dhe më pas fitimet e arritura t’ia dorëzonin atij”, - thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, mësohet se shfrytëzimi i gruas dhe fëmijëve nga i pandehuri ka vazhduar për shtatë vjet, gjatë të cilave ata kanë lypur në rrugë. Pas kësaj periudhe, të dëmtuarit kanë arritur të largohen nga tutori i tyre dhe janë vendosur në ambientet e një shoqate humanitare, duke bërë më pas edhe denoncimin. Sipas arsyetimit të gjykatës, 46-vjeçari nga Bilishti, i shpallur dje fajtor për veprën penale të “trafikimit të qenieve njerëzore”, së bashku me gruan e tij Lindita Xhambazi dhe 5 fëmijët e tyre, në vitin 2001 kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin për në Greqi. Me ndihmën e nënës së Agim Xhambazit janë sistemuar në Athinë, në një shtëpi me qira, si dhe janë pajisur me dokumente të rregullta qëndrimi në Greqi. Pas disa ditësh qëndrimi, Agim Xhambazi ka detyruar bashkëshorten e tij dhe pesë fëmijët të lypnin rrugëve të Athinës dhe qyteteve të tjera të Greqisë. Nën presionin fizik dhe psikologjik, shtetasja Lindita dhe fëmijët e saj kanë vazhduar të lypnin për një periudhë prej 7 vjetësh dhe të ardhurat e siguruara, sipas gjykatës, administroheshin prej shtetasit Agim Xhambazi. Në vitin 2007, e dëmtuara dhe 5 fëmijët e saj janë ndihmuar nga disa shoqata humanitare në Greqi, duke u larguar prej Agim Xhambazit dhe janë strehuar te këto shoqata me qendër në Selanik, Greqi. Agim Xhambazi u arrestua në Greqi për llogari të drejtësisë shqiptare, për t’u ekstraduar disa muaj më parë nga Interpoli.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›